Futboll Seria A Sport

Milani i shpall luftë Arsenalit për të siguruar shërbimet e francezit

Drejtuesit e Milanit kanë shfaqur interes për të siguruar shërbimet e francezit Nabil Fekir. 24-vjeçari prej kohësh është në radarin e kuqezinjve dhe duket se në këtë merkato drejtuesit e “Djallit” janë të vendosur të rivalizojnë kokë më kokë me Arsenalin për të nënshkruar me yllin e Lyon. Fekir është një nga talentet më premtues të futbollit.

Gjatë dy sezoneve të fundit ai ka impresionuar duke tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha në Evropë. Që kur është shëruar nga një dëmtim afatgjatë në gju rreth dy vite më parë, 24-vjeçari është kthyer në formën e tij më të mirë. Këtë sezon, francezi ka bërë përshtypje, duke shënuar 17 gola dhe duke ndihmuar me shtatë asiste në 27 paraqitjet në kampionatin francez (Ligue 1) për Lyon. Media franceze “Football365” raporton se “Topçinjtë” dhe kuqezinjtë janë të vendosur për të luftuar fortë me njëri-tjetrin për të siguruar shërbimet e Fekir.

Mesfushori sulmues ka tërhequr interesin e Arsenalit prej disa muajsh dhe ai është parë si një lojtar që mund t’i ofrojë sulmit të “Topçinjve” më tepër paparashikueshmëri dhe impulsin e nevojshëm për të ndëshkuar kundërshtarët. Afeksioni i trajnerit Arsène Wenger për lojtarët francez nuk është diçka e re, pasi gjatë dy dekadave të fundit ai ka sjellë në “Emirates Stadium” lojtarët më të mirë francez. Vetëm në merkaton e vitit të kaluar ai nënshkroi me sulmuesin Alexandre Lacazette, po nga Lyon. “Topçinjtë” janë kthyer në një ‘koloni’ me lojtarë francezë.

Gjithsesi Wenger ka deklaruar se në fund të sezonit do të largohet nga Arsenali dhe ndoshta Fekir do të hezitonte të transferohej në Londër, duke ditur se konkurenca është shumë e madhe. Nga ana tjetër drejtuesit e Milanit, nuk do t’i lejojnë “Topçinjtë” të marrin lehtë Fekir. Francezi është vlerësuar 40 milionë euro dhe ka një kontratë, që shkon deri në verën e vitit 2020.

Related posts

PARTIZANI godet sërish/ Të kuqtë fitojnë garën me Laçin për TALENTIN E KOMBËTARES

Isa.Autor

GJEOGRAFIA E 807 GOLAVE/ Sot Cristiano Ronaldo kërcënon Atletikon në Ligën e Kampioneve

F.autor

Aritje historike me kombëtaren, trajneri jep papritur dorëheqjen

Isa.Autor

Leave a Comment