Çështja me e re te Tirana quhet “Ze Maria”. Nëse tema e ditës duhet të ishte ngjitja në Kategorinë Superiore, kjo nuk po ndodh. Vëmendja është zhvendosur e gjitha te trajneri dhe kaosi i krijuar për të ardhmen e tij. Për të kuptuar këtë, mjaftoi veprimi që bëri në fundin e ndeshjes me Pogradecin. Jo vetëm që nuk festoi arritjen, por braktisi stadiumin i tërbuar.
Dhe ky gjest kaq demonstrativ sigurisht që nuk është pa gjë, por një sinjal i fortë që situata mes tij dhe klubit nuk është aspak e qetë, për të mos thënë që raportet po shkojnë drejt një “divorci” zyrtar. Deri më tani bien në sy dy gjëra; pikësëpari pretendimet e vendosura prej tij për rinovimin (synon një ekip për titull) dhe së dyti hezitimi që shfaq klubi.
Tirana edhe pse nuk ia ka mbyllur dyert, ende nuk i ka lënë një datë për t’u takuar. Këtë la të kuptohet edhe vetë presidenti në fjalën e tij të fundit për “Panorama Sport”. Ai qartësoi se do të flasë me trajnerin për rinovimin vetëm pasi të mbyll çështjen e rrogave, por njëherësh kujtoi se ai është trajneri më i paguar në Shqipëri. Dhe nga sa mësohet trajneri merr 5 mijë euro në muaj, ndërsa i gjithë stafi i kushton klubit 7.5 mijë euro.
Vetëm kështu mund të bien dakord. Por, deri dje të paktën, mund të thuhet që braziliani praktikisht është i ikur nga Tirana.