Futboll Sport

Radas thumbon Partizanin: I kemi rivalë jashtë… fushe

Skënderbeu duket se po pret me padurim ndeshjen e radhës përballë Partizanit. Pavarësisht se janë me një “mal” me mungesa, korçarët nxitojnë drejt kësaj sfide, pikësëpari për të afruar mbylljen matematike të sezonit me titullin kampion e më pas për të mposhtur një rival, i cili më shumë ekziston këtë sezon jashtë fushe sesa brenda saj.

 

Për kapitenin Marko Radas, në ndeshje të tilla nuk është e nevojshme motivimi nga faktorë të tjerë, pasi çdo ekip motivohet vetë. Pavarësisht mungesave Radas kërkon edhe një herë suksesin në kampionat dhe afrimin drejt titullit kampion.

Marko, një ndeshje e madhe po afron. Si shkon Skënderbeu në këtë takim me Partizanin?

Është një ndeshje mes dy ekipeve që kanë luftuar shumë në fushë, por më së shumti jashtë saj. Jemi të motivuar për të bërë mirë në këtë takim, pasi është një nga ato ndeshje që askush nuk do ta humbë. Nuk ka nevojë në të tilla ndeshje as për premio as për mbledhje, pasi lojtarët vetëmotivohen.

Çfarë do të thoni më shumë jashtë fushe?

E thashë kështu, pasi me Partizanin kemi pasur diferenca të mëdha. Asnjëherë nuk janë ngritur në pikën që të ishin rivalët tanë këtë sezon. Ndërsa jashtë fushe, ju i dini më mirë se kushdo tjetër, fillesën e deri te ngacmimet e fundit.

Kjo do të thotë se është koha për hakmarrje?

Ne nuk kemi për çfarë të marrim hak me ta sepse asnjëherë nuk na kanë mundur këtë sezon. Jemi përpara si me pikë dhe me ndeshje direkte. Kështu që çdo gjë për ne është në rregull. Kërkojmë që të fitojmë edhe këtë ndeshje, me qëllim që të afrohemi më shumë drejt titullit kampion.

Këtë takim e luani si kapiten, por Skënderbeu është me shumë mungesa. Sa do të ndikojnë këto?

Them se do të jetë një ndeshje e vështirë për faktin se jemi me një pjesë të madhe të ekipit të padisponueshëm. Pesë mungesa nuk janë pak për asnjë skuadër dhe kjo nuk ka diskutim. Por, nga ana tjetër për Skënderbeun nuk besoj se do të ndihet shumë. Është një ekip që zgjidh çdo moment negativ, pasi ka luksin e lojtarëve që mund të luajnë të gjithë titullar. Ndaj, do të shikojmë edhe këtë ndeshje se çfarë mund të bëjmë.

 

Skënderbeu për titull, Partizani për Europën. Kush buzëqesh në fund?

Më shumë se te ne, presioni është tek ata. Ne jemi të qetë, pasi diferenca është e madhe dhe nëse nuk fitojmë nuk humbasim asgjë. E kundërta ndodh për ata, pasi nëse nuk arrijnë të fitojnë këtë takim largohen më shumë nga Europa. Prandaj, presioni është i gjithi mbi Partizanin. Për ne kjo nuk ka shumë rëndësi.

Përse nuk ka shumë rëndësi?

Sepse ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe jo për ekipet e tjera në renditje. E kundërta ndodh me të tjerët, që mendojnë për Skënderbeun fillimisht më pas për veten e tyre.

Kush e fiton këtë takim të javës së 30-të?

Nuk ka dyshim, unë do të them fiton Skënderbeu. Jemi ekipi më i mirë në tërësi dhe kjo nuk ka diskutim. Do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë dhe për të kërkuar maksimumin. Kemi treguar që mund të fitojmë në çdo fushë.

 

Nga ana tjetër, jeni edhe në finale të Kupës. Mendoni se Skënderbeu mund t’i fitojë të dy trofetë?

Kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer në këtë sezon dhe duam të shkojmë deri në fund të objektivave tanë. Sigurisht që duam të fitojmë edhe Kupën, pasi nuk e kemi fituar asnjëherë më parë. Do të ishte dhurata jonë më e mirë për tifozët korçarë.

Lufta për Champions-in bëhet e zjarrtë. Për ju kush shkon në Champions këtë vit?

Ne po shohim të mbyllim mirë këtë sezon deri në fund. Më pas çdo gjë do të duket më tej. Nuk shoh asnjë motiv pse të tjerët të pretendojnë Champions-in, kur ne jemi të parët.

Related posts

Largimi i Buffon, Italia përcakton kapitenin e ri

Sadik.Autor

Pas Klose, Hoeness kërkon të afrojë një tjetër ish-lojtar te Bayern

Sadik.Autor

PARTIZANI-KASTRIOTI/ Pas kombinimeve spektakolare, Hakaj ndëshkon “Krutanët” me një SUPER GOL (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment