Marrë shkas nga vendimi i UEFA-s për anulimin e fondit prej 215 mijë euro, Tirana e ka pranuar se nuk i ka pasur dokumentet konform rregullave që kërkoheshin nga Komisioni i Licencimit të Klubeve në UEFA për ndeshjet në Europa apo Champions League. Për këtë arsye, bardheblutë janë të destinuar që të mos tërheqin 215 mijë euro, por edhe të paguajnë 3 mijë euro gjobë për kostot e këtyre procedurave.
Duke e lidhur këtë situatë me atë të Sion-it ku luan Ermir Lenjani, bardheblutë kanë shpëtuar një tjetër “gjobë” e cila do të ishte më e majme. Bardheblutë shmangën penalizmin nga UEFA për pjesëmarrjen në kompeticionet evropiane sepse kanë faktuar me fatura se kanë bërë shlyerjen e disa borxheve, ndërsa me disa të tjerë kishin lidhur marrëveshje për shlyrje me këste.
Sion-i për të njëjtin problem si bardheblutë është dënuar me 2 vite mospjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s, pasi nuk pranoi se kishte borxhe, ndërkohë që te Tirana para se të njiheshin me vendimin përfundimtar kanë pranuar se borxhet nuk ishin shlyer plotësisht ndaj lojtarëve, administratës apo palëve të treta. Që do të thotë se për shkak të borxheve Tirana nuk do të shpërblehet me 215 mijë euro.
Për këtë çështje Tirana ka pohuar se do të shkojë deri në CAS për të kërkuar të drejtë. Mbetet të shihet se si do të rrjedhin ngjarjet. Ndërkohë që FSHF nuk ka thënë asgjë në lidhje me këtë situatë, pasi janë bashkëpunëtorë në dështimin e bardhebluve në këtë situatë sepse i licencuan në mënyrë të gabuar.