Futboll La Liga Sport

Arsyet pse Ronaldo vendosi të largohet nga Reali/Nga Neymari tek çështja në gjykatë

Cristiano Ronaldo është i bindur se do të largohet nga “Santiago Bernabeu” këtë verë. Pas përfundimit të ndeshjes finale të fituar mbrëmë ndaj Liverpool, ylli portugez konfirmoi për median largimin nga Real Madrid. Deklarata e tij ishte surprizë për gazetarët dhe shokuese për tifozët, të cilët nuk e prisnin diçka të tillë. Mirëpo, dashuria e madhe që presidenti Florentino Perez ka për Neymar ka bërë që CR7-ta t’i japë ‘lamtumirën’ gjigantëve madrilenë. Megjithatë, kreu i klubit “Los Blancos”, i pyetur nga media menjëherë pas deklaratës së sulmuesit, tha se Cristiano do të vazhdojë të respektojë kontratën.

Mediat spanjolle shkruajnë se një ndër shkaqet kryesore që çuan 33-vjeçarin të marrë këtë vendim ishte pikërisht interesi i klubit për të afruar brazilian e PSG-së. Mirëpo, e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo” ka renditur edhe disa arsye të tjera që kanë nxitur largimin e pesë herë triumfuesit të “Topit të Artë” nga 13 herë kampionët e Champions League.

Ronaldo ishte padyshim protagonist në këtë Champions, ku theu rekordin me 15 golat e shënuar këtë sezon dhe ndihmoi skuadrën deri në finalen e madhe të Kievit, ku mposhtën 3-1 Liverpoolin e Jurgen Klopp.

Rritja e pagës

Presidenti Perez i pati premtuar Ronaldos se do t’i rriste pagën pas finales së Champions League në Cardiff, ku ylli portugez ishte i jashtëzakonshëm. Por, që nga muaji prill kreu i klubit spanjoll nuk ka bërë asnjë lëvizje kundrejt këtij rasti. Mediat patën raportuar ditë më parë se agjenti i sulmuesit do të ulej për të biseduar me drejtuesit e Realit për kushtet e reja në kontratën e portugezit, por pas deklaratës së mbrëmeshme duket se gjërat kanë ndryshuar. Edhe pse ai vetë e mohon që largimi i tij të ketë të bëjë me pagën, fakti që presidenti nuk ia ka përmbushur kërksën konfirmon që edhe kjo është një arsye shtesë pse ai ka vendosur të mbyllë aventurën me “Los Blancos”.

Neymar

Thashethemet e vazhdueshme në lidhje me transferimin e Neymar te Real Madrid nuk janë pëlqyer edhe aq shumë nga Ronaldo, ose ky i fundit nuk është i gatshëm që të luajë me brazilianin. 33-vjeçari ka mbetur paksa i zhgënjyer nga presidenti Perez pas deklaratave të shumta lëvduese që ka bërë për Neymar ndërkohë që portugezi ishte një ndër lojtarët kyç që çoi Realin në finalen e Kievit me 15 golat e tij të shënuar dhe një nga kandidatët kryesorë për të marrë për të pestën herë në karrierën e tij “Topin e Artë”. Megjithatë, gjithçka do të varet edhe nga paraqitja e lojtarëve në kampionatin Botëror që zhvillohet në Rusi.

Çështja në gjykatë

Çështja e evazionit fiskal e ka mërzitur tejet shumë Ronaldon. Ky është një tjetër rast dhe shkak që e ka ‘detyruar’ portugezin të marrë valixhet dhe të ikë nga Spanja. Ai e ka pranuar edhe vetë pak muaj më parë se do të dëshironte të kthehej në Angli, pasi atje nuk ka pasur asnjëherë probleme me ligjin.

Ronaldo u bë pjesë e Real Madrid në 2009-ën pasi u transferua nga gjigantët e Premier League, Manchester United. Ai ka arritur të ngrejë 15 trofe me madrilenët për nëntë sezone ndërsa ka fituar edhe katër Topa të Artë.

Related posts

MOTO GP/ I mbijetoi aksidentit tragjik, pilotja spanjolle do të garojë në Moto3

Delo.autor

LIVE/ Partizani-Kukësi, Dominim i verilindorëve. Mbyllet pjesa e parë në “Selman Stërmasi”

Delo.autor

KONTRATË FARAONIKE/ Zbulohet paga e majme e Sadikut në Bolivi. Ja sa milionë dollarë do të përfitojë

Delo.autor

Leave a Comment