Futboll Sport

Duka: Disa të paudhë po i hedhin benzinë një ‘zjarri’ që nuk ekziston

Humbja e Shqipërisë në miqësoren e djeshme ndaj Kosovës me rezultatin 3-0, bëri që të shpërthejnë edhe debatet në rrjetet sociale. Të shumtë ishin ata që kritikonin trajnerin Panucci, por nuk munguan as ‘përplasjet’ mes qytetarëve të të dy shteteve, që ndoshta harruan se ishte thjesht një vëllazërore.

 Për t’ua kujtuar këtë ka menduar presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që nëpërmjet një letre të hapur, ka bërë thirrje që gjithçka të shijohet si një festë, ashtu siç ishte në fushën e lojës.

Duka theksoi se duhet uruar Kosova, ndërsa Shqipëria duhet të bëjë autokritikë dhe të rikthehet që nga ndeshja me Ukrainën, por tha se kurrsesi nuk i duhet hedhur ‘benzinë’ një zjarri që nuk ekziston për rivalitetin mes këtyre dy skuadrave.

Letra e plotë e Dukës:
Të nderuar dashamirës të Futbollit, shqiptar kudo ku ndodheni!

Mbrëmë ishte një ditë e madhe për shqiptarët kudo që ndodhen: realizuam një ëndërr të kahershme, miqësoren e zyrtarizuar mes dy ekipeve të një gjaku Kosovë-Shqipëri. Qe një ditë e madhe për shqiptarët kudo që jetojnë, por nuk mund ta mohoj që ishte një dite e errët për kombëtaren tonë. Por, ndodh në futboll, ka edhe ditë si kjo, megjithëse askush nuk i dëshiron. Unë uroj dhe besoj shumë që skuadra, stafi dhe të gjithë ne, do të dimë që ta lexojmë këtë paraqitje të keqe sportive.

Kjo skuadër ka shumë e më shumë potencial dhe uroj që këtë ta tregojë menjëherë që në ndeshjen e radhës me Ukrainën. Kosova luajti më mirë se ne, dhe për këtë unë i përgëzoj dhe nuk kam pse ta fsheh që jam i lumtur për suksesin e këtij ekipi, si të ishte Shqipëria. I uroj nga zemra shumë suksese ekipit të Kosovës në të ardhmen e tij.

Nga ana tjetër, e kam jo pak të vështirë të kuptoj, të besoj, e jo vetëm unë, por edhe shumë nga qytetarët e paindoktrinuar dhe pa paragjykime në të dyja anët e kufirit, se si një ndeshje miqësore vëllezërish, të bëhet shkak për anatemime, negativitet dhe baltë nga disa të pa udhë , të cilët kërkojnë me çdo kusht të bëhen “protagonistë” të neveritshëm duke menduar se po i hedhin benzinë një “zjarri” që nuk ekziston aspak. Shqipëria dhe Kosova luajtën thjesht një ndeshje sportive.

Kombëtarja e Shqipërisë ka qenë e hapur për futbollistët e të gjitha trevave shqiptare. Ne kemi pasur nevojë për futbollistë cilësorë, dhe ata kanë pasur dëshirë që të shprehin cilësitë e tyre, dhe njëherësh të japin kontributet e veta në të vetmin ekip shqiptar.

Të gjithë bashkë kemi bërë krenarë çdo shqiptar në çdo cep të globit , me vepra e jo me lehje. Ne kemi lobuar me pasion dhe me fanatizëm që Kosova të ketë këtë Federatë që ka edhe sot. Ndaj, një miqësore midis vëllezërish, me çfarëdo rezultati, duhet të na gëzojë të gjithëve më shumë.

Kjo është e gjitha, ishte thjesht një miqësore: autokritikë Shqipëria, dhe urime Kosova. Për të tjerat e kam të pamundur të futem në debate me analistë politikë, apo edhe ish-presidentë, që brenda 24 orësh gdhihen trajnerë futbolli, këndej dhe andej kufirit.

Gëzuar shqiptarë kudo që ndodheni!

Related posts

TELENOVELA “WANDA-ICARDI”/ Pochettino qetëson tifozët: Ai do jetë…

Delo.autor

VIJON “LUFTA” PËR JORDI ALABAN/ Barcelona piketon tre emra për në verë

Delo.autor

Aguero nuk është i lumtur me Guardiolan

Delo.autor

Leave a Comment