Ish-kapiteni i Vllaznisë dhe i ekipit tonë Kombëtar, Elvin Beqiri shpreson që kuqeblutë të mbijetojnë në Superiore me ndihmën e Zotit, duke bërë më të mirën e tyre në ndeshjen e fundit dhe më pas të shpresojnë në rezultatet e ekipeve të tjera.
“Ne duhet që të bëjmë më mirën vetë në radhë të parë dhe pastaj të presim atë që do të na sjellin të tjerët. Por, do të thosha inshalla kemi edhe Zotin me vete në këtë javë të fundit të sezonit. Në këtë ditë të madhërueshme të Ramazanit, shpresoj që Zoti të jetë me ne. Të gjithë mund ta thonë këtë për ekipet e tyre, por unë e them se më dhemb vetëm Vllaznia tani. Por, siç edhe thashë, askush nuk mund të të ndihmojë, po nuk arritëm që të ndihmojmë veten. Të tregojnë maksimumin në Korçë, përballë një ekipi që nuk ka atë impenjimin e përhershëm, pasi dihet se tani është kampion. Derisa jemi në lojë, tani duhet që të japim gjithçka në ato 90 minuta”, u shpreh fillimisht Beqiri.
PRESIONI – Në mbyllje të deklaratës se tij, Beqiri ka folur edhe për arsyet që e çuan Vllazninë në këtë pikë të kampionatit, ku ashtu si një sezon më parë duhet të sigurojë mbijetesën në ndeshjen e fundit, e cila këtë herë nuk është më në dorën e tyre. “Një nga arsyet pse erdhëm deri këtu, ka të bëjë me faktin se lojtarët u vunë nën presion, gjë e cila nuk kishte dashur të ndodhte. Ata nga ndeshja në ndeshje nuk arritën që të dilnin në lojën e tyre. Situata për mendimin tim u vështirësua edhe më shumë në ndeshjen me Kamzën.
Në atë përballje skuadra nuk paraqiti asgjë nga ajo që i kërkohej dhe ai barazim ka ndërlikuar edhe më shumë situatën. Më pas presioni, ka ardhur gjithmonë në rritje. Por, gjithsesi çfarë u bë, nuk zhbëhet më. Tani duhet të mbledhin forcat dhe të japin gjithçka për gjithç- ka në takimin me Skënderbeun dhe të shpresojnë te një lojë pa kompromis mes Partizanit dhe Kamzës”, ka përfunduar ishkapiteni Beqiri.