Futboll Sport

Revolucioni i kuq, 90 minuta larg spastrimeve. Zbardhet lista e lojtarëve që priten të largohen

Sezoni 2017-2018 ka qenë një ndër më problematikët për Partizanin, që pas rikthimit në Superiore para 5 viteve. Luhatjet kanë qenë të shumta në këtë edicion dhe në janar u tha se ka nisur një projekt i ri, zbatimi i të cilit pritet të finalizohet në merkaton e verës. Ndaj, “demat” janë të prirë që t’i nënshtrohen një tjetër revolucioni pas përfundimit të ndeshjes së fundit të kampionatit, ku të mërkurën luajnë derbin me Kamzën.

Ky takim pritet të jetë i fundit për disa lojtarë dhe pjesëtarë të Partizanit, pasi në përfundim të 90-minutëshit pritet shtrëngim duarsh mes palëve. Te spastrimet hyjnë ata që u mbaron kontrata dhe nuk do të rinovojnë, ata që nuk kanë bindur, por edhe ndonjë që mund të shitet. Por ka edhe dilema. Largimet janë të pritshme edhe në stafet teknike, pasi prej kohësh janë lakuar alternativat për trajnerin e ri, si dhe për drejtorin teknik.

ALBAN HOXHA- Portieri është nën kontratë me të kuqtë, por është folur se në verë “gardiani” mund të transferohet jashtë vendit. Hoxha është në kontratë dhe nëse largohet, zëvendësuesi i tij mendohet të jetë Enea Koliçi i Kukësit.

KALARI, FEJZULLAHU – Mbrojtja pritet t’u nënshtrohet spastrimeve. Renaldo Kalarit dhe Arbnor Fejzullahut u mbaron kontrata dhe ata ende nuk kanë rinovuar. Gjasat më të mëdha për të mbetur i kuq i ka Fejzullahu, i cili pas përfundimit të ndeshjes me Kamzën pritet të zhvillojë bisedimet e fundit me drejtuesit e klubit.

KOTOBELLI- Mbrojtësi firmosi kontratë 1+1 kur erdhi në verën e shkuar, por për vazhdimin e bashkëpunimit për sezonin e ri, rinovimi është në dorë të klubit. Gjasat janë për një ndarje mes palëve.

SODIQ ATANDA- Nigeriani është nën kontratë, por në pjesën e dytë mbrojtësi është “fikur” fare, ndaj pritshmëritë janë për t’u larguar. Atanda ka luajtur pak në pjesën e dytë të sezonit dhe duke humbur terren, ka gabuar edhe në ndeshjet ku është aktivizuar.

IDRIZ BATHA- Kapitenit i mbaron kontrata më 30 qershor dhe gjasat janë që ndaj Kamzës ka 90-minutëshin e fundit, pasi ai nuk i ka pranuar kushtet e rinovimit të Partizanit. Mësohet se të kuqtë i kanë ofruar një kontratë me terma më të ulët financiar, por me bonuset mund të arrinte pritshmëritë. Ky trajtim nuk i ka pëlqyer kapitenit, i cili nëse e mbyll përfundimisht me të kuqtë, pret të kalojë te Kukë- si, pasi ka firmosur edhe një parakontratë me verilindorët.

EDGAR ÇANI- Sulmuesi i Kombëtares erdhi me bujë te “demat”, por problemet e vjetra me datimin nuk e lanë të shprehej. Sezoni i sulmuesit te “demat” është i dështuar, pasi deri tani ka shënuar vetëm 1 gol dhe ka dhënë një asist në kampionat. Çani ka edhe një vit kontratë me Partizanin dhe fati i tij varet nga trajneri i ri, por mund të ketë edhe një ribisedim mes palëve për termat financiarë.

AFRIMET E JANARIT- Jo të gjithë të afruarit në janar kanë bindur, ndaj disa prej tyre mund të largohen në përfundim të sezonit. Emran Ramadani ka gjetur pak hapësira dhe me shumë mundësi nuk do të jetë më pjesë e të kuqve. Mbase edhe Milan Kulum mund të ketë të njëjtin fat, ndonëse drejtori Rama gjithnjë ka folur me superlativa për serbin.

SHITJET- Merkato e verës pritet të shoqërohet edhe me ndonjë shitje. Esat Mala, Jurgen Bardhi, Lorenc Trashi dhe Jasir Asani janë më të kuoturit për t’u transferuar në këtë merkato vere.

Related posts

Mourinho: Asgjë personale me Pogba, luan dobët sepse është i dëmtuar

Q.Autor

TRANSFERIMI TEK EKIPI I GATTUSOS/ Rrahmani flet si futbollist i Napolit: Jam mbrojtës agresiv, shpresoj që…

Delo.autor

DEBUTIMI NË SERIE A/ Mbrojtësi i Kombëtares godet në gjenitale… mesfushorin Rabiot

Delo.autor

Leave a Comment