Futboll Sport

Partizani pa tifozë ndaj Vllaznisë, klubi i “kuq” vuan dënimin e Komisionit të Disiplinës!!

Tifozët e Partizanit duhet të presin ndeshjen e javës së fundit të këtij kampionati, për ta parë nga afër skuadrën e tyre të zemrës në veprim, nëse duan të jenë në stadium. Kjo, pasi vendimi i Disiplinës, pezullimi me dy ndeshje i tyre, nuk do të “modifikohet”, siç bëhet zakonisht nga klubet, duke e shlyer gjysmën e mbetur financiarisht.

Pra, ndaj Vllaznisë, mbështetësit e kuq duhet ta përcjellin gjithçka nga ekrani i televizionit, sepse klubi nuk ka marrë mundimin të paguajë për ta. Një veprim disi i çuditshëm, po të kemi parasysh kërkesën e trajnerit Klevis Dalipi para disa ditësh, kur shprehte dëshirën e tij që të paguhej gjysma e dënimit dhe tifozët ta mbështesnin Partizanin në një ndeshje delikate ndaj kuqebluve.

Njoftimi i fundit, se ky ballafaqim i javës së 34-t të Superiores do të luhet pa tifozë, në “Selman Stermasi”, tregon se për të kuqtë nuk është “jetë a vdekje”, sikurse e ndërton problemin nevoja për të arritur Kupat e Europës. A kanë hequr dorë “demat” nga kjo gjë dhe do të vijojnë në të njëjtën rrugë si ndaj Teutës, duke u dhënë “oksigjen” të rrezikuarve për të rënë një kategori më poshtë?

Kjo mbetet të kuptohet nga secili prej nesh, edhe nga vetë tifozët e Partizanit, të cilëve ndoshta u është kursyer “bileta” e ndonjë “teatri” të mundshëm në fundjavë. Më mirë kështu për ta, edhe pse thellë brenda vetes e kanë një “gjemb në mish” me Vllazninë, sepse ka qenë “mace e zezë” për ta dhe i ka larguar nga titulli kampion, gjatë rivalitetit të ashpër me Skënderbeun, në dy edicione të kaluara.

Mbajtja larg e “lojtarit të 12-të” në këtë ndeshje tregon në parantezë se Partizani është zemërgjerë ndaj emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar, kur është fjala për të mos u dhënë atyre goditjen fatale drejt kategorive inferiore. Jo shumë larg, e ka demonstruar këtë gjë edhe ndaj “armikes” historike, Tiranës, pavarësisht se kjo e fundit e pësoi sezonin e kaluar.

Ndoshta e bën këtë, sepse vetë e ka provuar në kurriz se çfarë do të thotë të luash në Kategorinë e Parë, madje edhe të Dytën! Duke materializuar proverbin tonë popullor: o njeri me mend, provoje në trupin tënd, sa më dhemb, aq të dhemb…

A do të funksionojë kjo edhe javën e fundit të kampionatit, ndaj Kamzës, sepse edhe ajo rrezikon, madje presidenti i saj, Naim Qarri, është tifoz i thekur i të kuqve? Të presim e të shohim, por, nëse vijojmë në të njëjtën linjë, duhet t’i besojmë sërish urtësisë sonë popullore: po kaloi miu nëpër mustaqe, e bën rrugë…

Related posts

Gjermania bën bilancin: humbësit dhe fituesit e 2 miqësoreve të fundit

Sadik.Autor

LAJMËRON LARGIMIN NGA KOMBËTARJA PORTOKALLI/ Van Gaal: Katari, Botërori i fundit me Holandën

Delo.autor

VJEN KONFIRMIMI/ Zbulohet stadiumi ku do luhet Superkupa e Europës

Delo.autor

Leave a Comment