Futboll Ligue 1 Sport

Rebeli Rabiot, nën gjurmët e shumë të tjerëve te “Les Bleus”

Rabiot është vetëm i fundit i një “klani” të panumërt. Futbollisti i Parisit ka refuzuar rolin e “rezervës” te “gjelat” e Francës. Deschamps foli gjatë mbi këtë çështje në konferencën për shtyp, duke nënvizuar sesi mesfushori parizien kishte pranuar një gabim të madh, pjesë e të cilit ishte bërë edhe ai.

E thënë me të tjera fjalë, vështirë se mund ta shohim Rabiotin te Kombëtarja franceze për sa kohë që në krye të pankinës së “Les Bleus” qëndron Didier Deschamps. Që do të thotë deri në vitin 2020, me përjashtim të ndonjë dështimi katastrofik në Botërorin e Rusisë dhe shkarkimit të paevitueshëm të tij.

Zgjedhja e Rabiotit, e komunikuar përmes “e-mail”-it, është kritikuar thuajse në unanimitet në Francë, edhe pse “Le Parisien” mëngjesin e kësaj të enjteje ishte përmbajtur disi, duke risjellë në vëmendje ecurinë e djaloshit, me një baba të sëmurë rëndë dhe tejet i lidhur me nënën e tij agjente.

Fakt është se Rabiot nuk është i pari që rebelohet ndaj “gjelave”. Më herët, siç kujton “L’Equipe”, kanë qenë Cantona, i cili në vitin 1988 ofendoi publikisht ish-trajnerin e asaj kohe, Michel Henri, i cili nuk e kishte grumbulluar pas largimit të Platinisë. Pasoja? Plot 10 muaj skualifikim. Por më pas, Cantona u rikthye te “Les Bleus”, të cilët tashmë ishin nën drejtimin e vet Platinisë.

Një tjetër kapitull “i përgjakshëm” është ai i Anelkasë. Përpara se t’i këpuste një ofendim Domenechut, në Botërorin e 2010-s në Afrikën e Jugut, sulmuesi ishte përplasur edhe me paraardhësin e tij Santini. Në vitin 2003, Anelka, i cili kishte munguar në Botërorin katastrofik të vitit 2002, kishte përmirësuar ndjeshëm gjendjen fizike për një rikthim në kombëtare, pas dëmtimit të Govou.

“Santini duhet të gjunjëzohet dhe të kërkojë falje”, ishte shprehur ai. Anelka do të rikthehej me “Les Bleus” vetëm dy vite më pas, kur në pankinë ishte Domenech, një trajner shumë pak i mirëpritur nga Mexes dhe Pires. I pari, asokohe te Roma, e kishte quajtur antipatik përpara kamerave televizive, ndërsa për të dytin (ish-lojtar i Arsenalit) ai ishte tejet egoist. Një rrëfim i vitit 2012 ky, duke risjellë në kujtesë vitin 2004, kur mes të dyve nuk kishte aspak sintoni. “Më trajton si të isha një fëmijë”, do të shprehej 30-vjeçari Pires, pas një zëvendësimi të pakapërdishëm. As ai dhe as qendërmbrojtësi nuk ishin mes të preferuarve të epokës së trajnerit finalist të Botërorit të vitit 2006.

Ofendimet e Anelkasë ndaj Domenech në Afrikën e Jugut pasuan me një grevë të turpshme për futbollin francez nga e gjithë skuadra gjatë drejtimit të trajnerit tranzitor Laurent Blanc (tekat e Menez, shkëndijat me Ben Arfa dhe Nasri), derisa mbërrijmë në epokën “Deschamps”.

Gjatë kësaj epoke shpërtheu çështja “Benzema”, me futbollistin e Realit që e akuzoi trajnerin se nuk e kishte grumbulluar duke u dorëzuar “përpara një pjese raciste të shoqërisë franceze”. Fraza këto që shuan përfundimisht shpresat e sulmuesit të Realit të Madridit për t’u rikthyer te “gjelat”, pavarësisht se rreth tij, Deschamps kishte ndërtuar fazën e parë të mandatit të tij, duke e bërë element kyç për Francën e Botërorit 2014.

Rabiot, ndërkohë, duket se gjendet nën një shoqëri të mirë, e me një pjese të “kolegëve” ka të përbashkët moshën e rebelimit, rreth 23 vjeç, çështje që si me ironi konsiderohet si “adoleshencë futbollistike”. Megjithatë, asgjë nuk e justifikon zgjedhjen e vetëpërjashtimit, për më tepër në një kohë kur është shumë pranë rinovimit me Paris SG.

Related posts

PO KALON MOMENTE TË VËSHTIRA TEK PSG/ Neymar godet tifozin pas humbjes së Kupës (VIDEO)

Delo.autor

SHORTI I CHAMPIONS LEAGUE/ Inter në grupin e “ferrit”, Lewandowski kundër Bayern. Real Madrid me fat

F.autor

TRIUMFOJNË NDAJ CARDIFFIT/ Dyshja e sulmit jep fitoren “Topçinjve”

Delo.autor

Leave a Comment