Futboll Sport

Shkodra, “në zi” për Vllazninë. Kuqeblutë mund ta festojnë 100-vjetorin në Kategorinë e Parë

Në përvjetorin e 100-të të një prej skuadrave më të vjetra të historisë së futbollit shqiptar, Vllaznisë, shkodranët e përjetojnë si dramën më të madhe të qytetit të tyre mundësinë e rënies së kësaj skuadre nga Kategoria Superiore.

Ndonëse mundësitë janë të pakta, Vllaznisë i duhet të luajë edhe dy ndeshje deri në përfundim të këtij sezoni, fillimisht ndaj Kukësit e më pas ndaj Skënderbeut, me shpresën se këto dy skuadra do të kenë ndjeshmërinë e nevojshme që të lënë Vllazninë aty ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar.

“Futbolli është fe më vete për Shkodrën. Aq futbollistë sa ka nxjerrë Vllaznia e Shkodrës, qytetet e tjera që kanë ekipet kampione, nënkampione apo thjesht në Superiore nuk i kanë banorë”, thotë një qytetar.

“Për këtë gjë që na kanë bërë, kujtdo që na e ka bërë, mos ia bëftë Zoti dy të mira bashkë. Na kanë bërë të vuajmë, të qajmë e të hidhërohemi. Na kanë hequr një pjesë të jetës sonë. Për mua është dëshpërimi më i madh i jetës sime”, nxjerr dufin një qytetar tjetër.

Megjithatë, Edi Martini, një nga emrat e njohur dhe më të suksesshëm të futbollit shkodran, tregon problemin kryesor që e solli Vllazninë në këtë pikë.

“Vllaznia u bë si një plaçkë në duart e politikës dhe normalisht fundi i kësaj pune dihej. Ne rrijmë me shpresën dhe dëshirën e madhe që të mos fitojë Kamza kundër Laçit. Ishalla dalin me faqen e bardhë ata, që të na zbardhin faqen edhe neve”, deklaron Edi Martini, ish-futbollist i Vllaznisë.

Trishtimi në Shkodër ka prekur këdo nga qytetarët që hasëm në rrugë, sepse në këtë qytet jetohet me futbollin.

“Për Shkodrën është ditë zie. Është më zi sesa tërmeti i vitit ’79”, tha një qytetar shkodran.

Zymtësinë e kësaj situate e ndien kushdo. Ajo shihet edhe në fjalët e pakta të një tjetër emri të madh të futbollit shkodran, si Vioresin Sinani.

“Askush nuk do të donte që për 100-vjetor ekipi të jetë një kategori më poshtë. Është një situatë që, kur nisi ky sezon, të them të drejtën askush nuk e ka menduar, përfshi mua, që ekipi do të shkonte në këtë pikë”, shprehet Vioresin Sinani, ish-futbollist i Vllaznisë.

“Më hall i madh që na ka rënë në jetë, s’ka. Flas për vete dhe për tifozët shkodranë. Të diskutohet rënia e Shkodrës? S’më ka zënë gjumi mbrëmë, e them me ndershmëri. Jam 72 vjeç, s’e di, më mirë të mos jetoja! (nis e të përlotet) Jam prekur shumë”, thotë një këpucar, tifoz i flaktë i Vllaznisë.

Related posts

ELIMINIMI NGA “EURO 2020″/ Spanja “blindon” Luis Enriquen, rinovimi kalon nga Kosova

Delo.autor

Conte ‘trondit’ Chelsean, pret thirrjen e Perezit për t’ju bashkuar Realit

Q.Autor

MotoGP/ Shpërthen Jorge Lorenzo: Ja si më kopjoi Valentino Rossi

Sadik.Autor

Leave a Comment