Futboll Sport

Superliga/ Ankandi për Sindrit Gurin, tre klube bëjnë gati milionat

E ardhmja e Sindrit Gurit është Belgjika. Shkodrani i sulmit të Kukësit, autor i 16 golave në Superiore këtë sezon, ka oferta të shumta. Drejtuesit e Kukësit presin ofertën më të mirë dhe me shumë mundësi nga transferimi i tij mund të përfitojnë deri në 500 mijë. Dëshira është që në arkat e tyre të derdhet një shumë më e madhe, ndaj edhe po punohet intensivisht për të përmbyllur marrëveshjen. Fakti që janë disa klube që e duan do të shtyjë ndonjërin ta rritë ofertën.

Kristal Abazaj ishte i fundit që u transferua në Belgjikë te skuadra e Anderlecht për shumën e 750 mijë eurove, por tropojani është vetëm 21 vjeç, ka luajtur së fundmi me Shqipërinë U21 si dhe u ftua në kombëtare nga Christian Panucci për miqësoren me Norvegjinë. Plusi i madh i Gurit është pasaporta italiane. Sulmuesi ka deklaruar se në sezonin e ri do të luajë në Belgjikë dhe mbetet vetëm të mësohet emri i klubit.

Në ndeshjen me Skënderbeun ai ka qenë nën vëzhgim, ashtu si edhe në takime të tjera dhe tre janë klubet potenciale për të përfituar shërbimet e tij. Gent-i është klubi që këmbëngul për të dhe është në garë me KV Oostende dhe Zulte Waregem, që tentojnë të marrin pjesë në Europa League. Tashmë kush do të bëjë ofertën më të mirë do të përfitojë shërbimet e Sindrit Gurit. Menaxheri Shkumbin Qormemeti është ai që po tenton të mbyllë gjithçka brenda këtyre ditëve, për t’i dhënë shkodranit mundësinë të punojë i qetë dhe ta ketë mendjen e fjetur sa i takon së ardhmes.

Guri mund të konsiderohet një lojtar i pjekur, pasi në tetor mbush 25 vjeç dhe këto dy vite në Superiore me Kukësin i kanë dhënë mundësinë të rritet akoma më tepër. Ai është produkt i Vllaznisë, ndërkohë që në elitë është aktivizuar edhe me Besën, për të luajtur më pas edhe në të Parën me Kastriotin e Korabin. Me këta të fundit shpërtheu, duke realizuar 20 gola, çka bëri që të ishin disa ekipet e Superiores që e kërkuan.

Related posts

VIDEO/ ‘Ylli’ i Interit shënon autogolin e vitit. E pabesueshme çfarë bën…!

Q.Autor

Dembele dëshiron t’i bashkohet Aubameyangut tek Arsenali

Sadik.Autor

PREMIER LEAGUE/ Alexis pranon vuajtjet: Nuk po arrij të përshtatem tek United

Sadik.Autor

Leave a Comment