Futboll Sport

Arroganca e trajnerit rrezikon një brez të tërë, Lëv sinjale largimi: Koha për ndryshime

Pak fjalë, pak buzëqeshje, nëse ajo nuk ishte në drejtim të ndonjë familjari që kishte dalë për t’i pritur dhe asnjë lëvizje e nxituar apo qoftë edhe deklarata të çfarëdo tipi. Fundja, gjithçka e keqe ishte për t’u thënë, u nënvizua pas humbjes turpëruese me Korenë e Jugut, por nëse Joakim Lëv kishte vendosur që të merrte dje vendimin e tij për të vazhduar apo jo në stolin e Kombëtares së Gjermanisë, as kjo nuk është pranuar nga federata. Krerët e saj, kanë kërkuar që mendjen të ftohen, të kthjellohen dhe në fund të bëhet një analizë e qartë dhe e saktë mbi shkaqet e këtij dështimi të pamenduar kurrë.

Gjithsesi, dikush nën akuzë duhet të përfundojë, ose ndoshta, siç ndodh shpesh në të tilla raste, do të jetë vetë trajneri që mund të marrë me një vendim personal përgjegjësitë që kishte mbi shpatulla, por Joakim Lëv ka besim dhe vlerësim nga të gjithë, edhe pse disa pyetje kanë nisur të ngrihen.

Brez i djegur?

Ndoshta, pas kësaj që ndodhi në Rusi, ndonjë lojtar mund të vendosë që të tërhiqet nga kombëtarja, një i tipit Toni Kros për shembull, i cili mund të ndjekë gjurmët e Bastian Shvajnshtaigerit që u largua në SHBA në moshën 33-vjeçare, apo akoma më shumë të Filip Lahmit, vetëm 29-vjeçar. Ndoshta mund të ketë edhe nga ata lojtarë që tundohen si Mats Humels, apo edhe Mesut Ozil shumë i kritikuar, ndoshta edhe Zherom Boateng, apo një veterani si Mario Gomez që vështirë se ndihet më pjesë e këtij grupi. Por fati i gjermanëve është se zëvendësuesit nuk mungojnë. Mos harrojmë se vetëm 12 muaj më parë, Gjermania fitoi Kupën e Konfederatave me Kombëtaren B, atë të gjeneratës së talenteve të shumtë, ku spikasin Gorencka, Xhan, Brandt, Ginter, Verner, Draksler, Junes dhe Sane.

Ndoshta, pikëpyetja e madhe që ngrihet pas këtij dështimi lidhet pikërisht me disa prej emrave të mësipërm: pse shumë prej tyre munguan në këtë Botëror, të paktën edhe duke qëndruar në pankinë, por shumë mjaft prej tyre u lanë jashtë. Ndërsa të tjerë si Brandt për shembull, grumbulloi vetëm një grusht me minuta. Gjithsesi, këtë pyetje ka nisur ta arsyetojë dhe ndoshta ndonjë media tjetër po jep përgjigjet, por ndërkohë, Gjermania dhe gjermanët mund të qëndrojnë të qetë, sepse baza për të rinisur gjithçka ekziston dhe garanton sukses, por ndoshta më drejtë se kushdo tjetër ka qenë menaxheri i kombëtares, Oliver Birhof, ai që foli kundrejt të gjithëve. “Mjaft më me ‘tiki-taka’. Revolucionin e bërë në vitin 2004 e kishin bazuar te zotërimi i topi, te teknika e pastër, por tani ka ardhur koha që të ndryshojmë, pasi ky model është lënë pas. Duhet të kthehemi që të prodhojmë sulmues dhe futbollistë që të dinë të driblojnë dhe ta kërkojnë ta bëjnë pa gjë këtë në fushën e lojës”. Pra, siç nënvizoi Birhof, mjaft më me “tiki-taka”… Ka ardhur ora që brenda pak kohësh te Gjermania të vihen në vitrinë ndonjë “Rumenige i ri”, apo disa Fëlera, Haslera apo Litbarski. Dhe mbi të gjitha, të vihet në vitrinë një kombëtare, një Gjermani që nuk eliminohet që në fazën e grupeve…

Lëv, fjalë lamtumire

Dhe pikërisht mbi këtë bazë, por edhe për faktin se ndonjë bisedë e parë mes trajnerit Joakim Lëv, menaxherit Oliver Birhof dhe idesë së tij të ndryshimit të stilit të lojës dhe mbi të gjitha me presidentin e federatës, Reinhard Grindel, tashmë është bërë. Edhe pse ky i fundit ka kërkuar që askush të mos nxitohet, sepse fundja rinovimi i kontratës deri në vitin 2022, nënvizon vlerësim, gjithsesi fjalët e Lëvit nuk është se linin një shije të mirë, ndonëse gjithçka me siguri do të bisedohet dhe do të vendoset me qetë, javën e ardhshme.

“Nuk kishim menduar ta mbyllnim kaq shpejt këtë Kupe Bote, por tani jemi në shtëpi. Përgjigja që morëm nga ajo që ofruam në Rusi është se tashmë duket që ka ardhur koha për vlerësime dhe ndryshime të mëdha. Ishim kampionët e botës në fuqi, nuk na falej të dilnim në këtë mënyrë, prandaj siç kemi rënë dakord do të marrim pak kohë për analizë dhe më pas do të mendojmë se cila do të jetë zgjedhja që duhet bërë. Por e ritheksoj, me atë që ofruan, kjo Gjermani ka nevojë për ndryshime të qarta dhe të forta”, u shpreh pak, por mjaft qartë Joakim Lëv, i cili pret të bëjë një analizë të plotë dhe më pas të konfrontohet në federatë, me dorëheqjen e tij, e cila duket zgjidhja më e mundshme për momentin.

Related posts

Man. United kërkon t’i rrëmbejë një lojtar me peshë Barcelonës

Sadik.Autor

LËSHON NJË DEKLARATË TË FORTË/ Mazrekaj: Ekipi më i dobët në Shqipëri mund më të fortin në Kosovë

Delo.autor

SKANDALI NË KROACI/ Futbollisti i kërkon gjyqtares marrëdhënie seksuale

F.autor

Leave a Comment