Gonzalo Higuain me sa duket do të largohet nga Juventusi këtë verë, por bisedimet dhe firmat duket se janë shtyrë deri në përfundim të Botërorit rus. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, të cilat shtojnë se argjentinasi është vënë në shitje (përflitet një akord i arritur) me kërkesë të trajnerit Masimiliano Alegri.
ALTERNATIVA
Një skuadër si Juventusi nuk është e lehtë të refuzohet, pavarësisht se quhesh Mauro Ikardi, por ja që nuk është kapiteni i Interit kandidati për të zëvendësuar “Pipitan” te bardhezinjtë. Më sa duket, Bepe Marota dhe Fabio Paratiçi kanë identifikuar tek Edinson Kavani kandidatin kryesor për të marrë vendin e numrit 9 në sulmin e Juves. Mosha e Kavanit nuk është shumë shpresëdhënëse e aq më pak rroga e tij duke qenë se arkëton 11 milionë euro në vit. Ujë në mullirin juventin çon fakti që uruguaiani nuk ka raporte të mira me drejtuesit për shkak të zënkave me Nejmar, çka mund ta detyrojë që të largohet që këtë verë.