Futboll Sport

“Të priten koka!” Tifozët gjermanë kërkojnë fajtorët pas daljes nga botërori

Kur ra bilbili i përfundimit të takimit midis Gjermanisë dhe Koresë së Jugut, Miranda Perk dhe motrat e saj, Milena e Mariela, ishin nga tifozet e para që u larguan nga sheshi përpara Brandenburg Gate, ku ishin mbledhur me mijëra tifozë për të parë ndeshjen e botërorit në një ekran gjigant.

“Vërtet humbje e shëmtuar, dhe e merituar”, tha 23 vjeçarja Perk, nga qyteti Osnabruck, e cila ka veshur të njëjtën fanellë të bardhë si motrat e saj. “Aq dobët sa luajtën këtë botëror, do të kishin dalë herët a vonë, por duhej të ndodhte patjetër që në fazën e grupeve?”

Pas dramës që krijoi Gjermania duke e mundur Suedinë me një gol të shënuar në sekondat e fundit, Perk tha se ajo e motrat kishin parashikuar një fitore 3-0 kundër Koresë së Jugut.

Dhe nuk ishte e vetmja. Mediat gjermane kishin parashikuar se të metat e verifikuara gjatë ndeshjeve të para do të korrigjoheshin dhe ekipi do të fitonte me dy ose më shumë gola. Gjermania është krenuar historikisht se është ekip që përmirësohet me vazhdimin e kampionatit.

Por as miti i vjetër për forcën mendore të gjermanëve nuk e hoqi dot mallkimin që duket se ka zënë çdo ekip europian që fiton botërorin, që prej vitit 1998. Gjermania ndoqi fatin e Francës, Italisë e Spanjës, duke mos dalë nga grupi vetëm katër vite pasi ngriti kupën e botës.

Për fituesit e botërorit të vitit 2014, kjo mposhtje ishte edhe më historike, sepse është hera e parë që Gjermania nuk del nga grupi.

18-vjeçarja-Milena Perk tha se kishte pasur një parandjenjë të keqe kur kishte parë kthimin e mesfushorit të Arsenalit, Mesut Ozil, pas rezultatit të dobët që kishte dhënë në ndeshjen me Meksikën. “Është e trishtueshme, por pres që Ozili të jetë personi më i urryer në Gjermani, dhe jo prej gjërave politike”, shton ajo.

Para botërorit, fotot e Ozilit dhe Gundoganit me presidentin turk Erdogan nxitën debate të forta për dyshtetësinë e lojtarëve dhe për identitetin kombëtar. Disa komentues spekuluan se ky debat e kishte helmuar atmosferën në ekip.

“Dukej sikur dikush shtypi një buton që i hoqi energjinë Ozilit, Reus-it e të tjerëve, menjëherë pas nisjes së ndeshjes”, shkruante gazeta e qendrës së djathtë, Die Welt.

Megjithatë, edhe pse disa lojtarë luajtën keq, me ekipin e Gjermanisë kishin ndodhur shumë gjëra që para kampionatin. Pasi trajneri Joachim Low u bëri rotacion 11 lojtarëve të ekipit në secilën prej tri ndeshjeve, kritikët mund ta kenë të vështirë të fajësojnë një lojtar të vetëm.

23-vjeçari Till Hutner, një tjetër tifoz që largohej i mërzitur nga Brandenurg Gate, e përshkroi rezultatin si “vajtues, ose thjesht bota është mizore”. Ai tha se priste dorëheqje në ditët e ardhshme. “Le të priten koka”, tha ai.

Low, i cili ka që në vitin 2006 që drejton kombëtaren e Gjermanisë, nuk e përjashtoi largimin menjëherë pas ndeshjes. “Nuk e meritonim të vazhdonim më tej”, tha ai për ARD, duke shtuar se lojtarët kishin shfaqur një farë kryeneçësie që nga fillimi i botërorit.

Gazeta “Süddeutsche Zeitung” shtoi se nëse lojtarët e ekipit kanë qenë kryeneçë, atëherë faji i mbetet trajnerit. “Gjermania e tij nuk luajti me shpirt në këtë botëror. Low ka dhënë shembullin e keq të kësaj mendësie, me moskokëçarjen që e karakterizon”, thotë gazeta.

Teksa sheshi boshatisej, ata që mbetën ishin më pak të ashpër me kritikat. “Më vjen shumë keq për të gjithë këtu”, tha Plinio Rodrigues, një 34-vjeçar që sapo ka ardhur në Berlin që nga Brazili, i veshur me fanellën e Gjermanisë. “Por druaj se ishte vërtet e merituar.”

Katër vite më parë, Gjermania e eliminoi Brazilin nga botërori me një rezultat surreal, 7-1. “Nuk di si veproni ndaj mposhtjeve të tilla në vendin tuaj, por në Brazil ka ndodhur”, tha Rodrigues, dhe pasi u mendua një sekondë, shtoi: “Futbolli ka vetinë të të lëndojë vërtet shumë.”

 

 

Related posts

STATISTIKAT/ Bleu më të mirët në treg, PSG “kampione” e… minutave të fundit

Delo.autor

NUK DO TA BESONI/ Yjet e Bayern dhe Borussia së shpejti në krah të Ronaldos

Isa.Autor

ME ARDHJEN E CONTES TEK INTERI/ Wanda Nara zbulon se çfarë do të bëjë Icardi

Delo.autor

Leave a Comment