Futboll Historiku Sport

SPECIALE/ Botërori 1998: Franca e Zidanit “shkurorzon” Brazilin dhe fiton Kupën e Botës (FOTO)

Edicioni i 16-të i Kupës së Botës mbahet mend për pjesëmarrjen e 32 skuadrave nga të gjitha kontinentet. Tetë grupet e ekipeve u shpërndanë në gjithë Francën në dhjetë stadiume moderne, ku si ndeshja e hapjes dhe finalja u zhvilluan në mitikun “Stade de France” të Parisit. Dhe ashtu siç ndodh jo rrallë, në ndeshjet në grupe vijnë surprizat e para, ku disa nga skuadrat e ashtuquajtura favorite i lanë vendin ekipeve pak të njohur.

Gjysmëfinale

Kroatët mund të quhen pa dyshim surpriza e këtij Botërori. Ishin pikërisht këta të fundit që do të ndesheshin në gjysmëfinale me Francën. Kjo ishte pjesëmarrja e parë e Kroacisë në Kupën e Botës, pas ndarjes së ish-Jugosllavisë. Heronjtë e saj, si Miroslav Blazeviç, kishin mundur Gjermaninë 3-0. Kishte ardhur ora e zgjimit për francezët dhe ja ku vjen dhe njeriu i fatit, Liliam Turam, që zgjedh këtë moment për të shënuar golin e tij të parë dhe të dytë ndërkombëtar, për të arritur një finale të ëndërruar.

Finalja

Në finale, Brazili ndryshoi ngjyrë. Larg lojërave më të mira latino-amerikanët iu përulën francezëve, të cilët, të udhëhequr nga Zinedin Zidan, fituan për herë të parë në historinë e tyre Kupën e Botës. Dopieta e kapitenit Zidan dhe goli i Petit gjunjëzuan brazilianët. Skuadra e trajnerit Zagallo ishte shumë larg formës që pritej, me një yll si Ronaldo që nuk bëri thuajse asgjë në fushën e lojës. Bebeto e Rivaldo e patën të pamundur që të lënë gjurmë, ndërkohë që në fushën e lojës Zizu ishte i pakapshëm. Elegancë në lëvizjen me topin, autoritar dhe një finalizim magjik. Francezët ngritën për herë të parë në historinë e tyre trofeun e kampionatit të botës, pikërisht në vendlindje. Një brez i artë futbollistësh që do triumfonin edhe dy vite më pas në kampionatin europian…

Karlos bërtiste i trembur: Po vdes Ronaldo!

Një incident ka ndodhur në Kombëtaren e Brazilit, pak para finales kundër Francës. Sulmuesi brazilian Ronaldo kaloi një krizë epilepsie, ndonëse nuk vuante nga një sëmundje e tillë. Ai ndodhej në dhomë me Roberto Karlosin. Ky i fundit, pasi pa krizën që po kalonte sulmuesi i talentuar, doli menjëherë në korridor duke bërtitur: “Ronaldo po vdes! Ndihmë! Ronaldo po vdes!”. I pari erdhi Edmundo e më pas një mjek. “Nuk mbaj mend asgjë. Të gjitha m’i kanë treguar shokët. Mjeku më tha se ishte një krizë e çuditshme, por ndërhyrja e tij në kohë kishte arritur të më qetësonte. Në fakt, është e vërtetë që unë humba në finalen e Kupës së Botës, por isha i lumtur se kisha fituar një jetë të re. Ndihesha i traumatizuar për faktin se rrezikova të humbisja jetën”, tha “Fenomeni”.

Davor Shuker, “Këpuca e Artë” e Botërorit
Davor Shuker është golashënuesi më i mirë i këtij kampionati botëror. Sulmuesi i përfaqësueses kroate shënoi gjashtë gola në gjashtë ndeshje (nga një për ndeshje). Por sulmuesi i Real Madridit do të mbahet mend më shumë për golin e famshëm që i shënoi pikërisht portierit legjendar Oliver Kahn. Ishte pikërisht ai gol që eliminoi dhe Gjermaninë.

Zinedin Zidan, “ylli” magjik i kompeticionit
Është pa dyshim Botërori i tij. Kapiteni i Francës, me dy golat e shënuar në finalen e madhe ndaj Brazilit, sigloi jo vetëm trofeun e parë botëror për Francën, por shkroi edhe emrin e tij në legjendat e futbollit botëror. Botërori i dha atij edhe çmimin e futbollistit më të mirë si dhe “Topin e Artë” për vitin 1998, pas paraqitjes brilante.

Ronaldo mori çmimin si më i miri në Francë
Edhe pse erdhi me shumë pretendime në Botërorin francez, pasi kishte qëndruar vetëm në pankinë në Kupën e Botës në SHBA, “Fenomeni” nuk mundi të ngrinte lart trofeun. Megjithatë Ronaldo tregoi se ishte në një gjendje mjaft të mirë sportive dhe se e meritonte plotësisht trofeun individual të “Topit të Artë”, që kishte marrë një vit më parë. Madje, u shpall edhe lojtari më i mirë i kompeticionit.

Majkëll Ouen, talenti që mahniti botën
Ishte surpriza e Kupës së Botës “Francë ’98”. Djaloshi që nuk kishte mbushur ende 20 vjeç, shënoi një nga golat më të bukur të këtij kompeticioni në përballjen ndaj Argjentinës në ndeshjet e 1/ 8-ve finale. Edhe pse shumë anglezë ishin skeptikë për aktivizimin e tij me kombëtaren, përsëri ai mbajti peshën e sulmit të Anglisë.

Përgatiti:AlpeNews.al

Related posts

ZJARRI NË “NOTRE DAME”/ Klubi i PSG-së bën gjestin e madh, dhuron 500 bileta falas për…

Delo.autor

Tifozi i Arsenalit iu gëzua fitores së Juves, festoi me fanellën e Topçinjve në mes të “Wembley”

Q.Autor

Përsëri Dzeko, Roma nuk dorëzohet kurrë (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment