Futboll La Liga Sport

PLAS TEK REALI/ Verë e gjatë refuzimesh për GALAKTIKËT, i fundit vjen nga Londra

Reali i Madridit preku “majën e botës” pasi arriti të fitonte tri herë radhazi Ligën e Kampionëve, e udhëhequr nga dyshja Zidane-Ronaldo, por Florentino Perez po përballet me një nga momentet më të vështira të presidencës së tij madrilene.

Kjo pasi për herë të parë, Reali i Madridit po has në kaq shumë refuzime nga trajnerë e lojtarë dhe natyrisht që ky fakt peshon shumë te një klub që ishte mësuar të kishte kë të donte në ekipin e tij.

Duke nisur nga trajnerët, me largimin e Zidane, Perez u përball me refuzimin e Massimiliano Allegrit, Antonio Contes, Maurizio Pochettinos dhe Maurizzio Sarrit, ndaj u detyrua t’i besojë drejtimin Julen Lopeteguit, i cili ishte trajner i kombëtares spanjolle në atë periudhë.

Refuzimet vijuan më pas me lojtarët, ku fillimisht ishte Neymar, që përtej zërave të merkatos, vendosi të mbetej te PSG dhe më pas Willian dhe Harry Kane vendosën të mos i bashkohen madrilenëve këtë verë, por të mbeten pjesë e skuadrave respektive, Chelsea dhe Tottenham.

Më i fundit dhe njëkohësisht ai që ka befasuar më shumë, që ka refuzuar të bëhet pjesë e Realit të Madridit, është sulmuesi belg i Chelseat, Eden Hazard, i cili në një intervistë për mediat angleze, konfirmoi se edhe për këtë sezon do të mbetet në Londër.

Kjo ishte një befasi e vërtetë, pasi belgu kishte të paktën dy vite, që theksonte në çdo dalje publike, se dëshiron të bëhet pjesë e Realit të Madridit, por tashmë duket se Maurizio Sarri e ka bindur të mbetet në Londër.

Si të mos mjaftonte kjo, Perez u përball me largimin e Cristiano Ronaldos, që ishte i sforcuar, pasi portugezi i bëri të qartë presidentit të madrilenëve, se nuk do të kthehej më në kryeqytetin e Spanjës, ndaj duhej të pranonte ofertën e Juventusit.

Vetëm në fillim të gushtit ishte kroati Mateo Kovaçiç, që përtej dëshirës së presidentit dhe trajnerit madrilen, vendosi të braktisë stërvitjen, deri në momentin që klubi pranoi ta huazojë te Chelsea, në një operacion që solli Courtois në Madrid.

Ashtu si Kovaçiç, edhe Luka Modriç bëri tentativat e tij për t’u liruar nga klubi madrilen dhe për t’u bashkuar me Interin, në Serinë A, por këtë herë Perez “ngriti murin” dhe ia doli të mbajë në Madrid një nga mesfushorët më të mirë në qarkullim.

I vetmi lojtar që këmbënguli për t’iu bashkuar Realit të Madridit këtë verë, ishte belgu Thibaut Courtois, i cili “luftoi” gjatë me Chelsean dhe detyroi klubin londinez të pranonte ofertën e bërë nga Florentino Perez.

Por edhe belgu, më shumë se nga dëshira për të luajtur me Realin, u nxit nga nevoja për t’u transferuar në Spanjë, ku jeton tashmë ish gruaja, bashkë me fëmijët e tij dhe Courtois nuk mund të vijonte të rrinte kaq pranë këtyre të fundit.

Debutimi i parë zyrtar i madrilenëve ishte në Superkupën e Europës, të zhvilluar të mërkurën në Talin, sfidë që e humbi përballë rivalëve të qytetit, Atleticos së Simeones.

Sonte skuadra e Lopeteguit do të zbresë në “Santiago Bernabeu” për ndeshjen e parë të kampionatit, ku përballë do të gjejë Getafen, në një sfidë që pritet me mjaft interes, për të parë sjelljen në fushë të skuadrës, tani që drejtohet nga një trajner tjetër dhe që nuk udhëhiqet në fushë nga Cristiano Ronaldo.

Related posts

E BUJSHME/ “All Star Game” gati të bëhet realitet, pjesëmarrëse katër kampionatet më të forta në Europë

F.autor

MERKATOJA E JANARIT/ Nëse dështon transferimi i Higuain, Chelsea do të hidhet pas këtij sulmuesi

Delo.autor

Të flasim me shifra: Zidane si “mace e egër” në Camp Nou

Sadik.Autor

Leave a Comment