Futboll Seria A Sport

RONALDO NUK PO SHËNON/ Statistikat e bëjnë optimist Allegrin për disa arsyje

Juventusi e ka nisur kampionatin me këmbën e mbarë, duke fituar të dy sfidat e para dhe duke treguar edhe njëherë se do të jetë e vështirë që dikush t’i presë rrugën drejt titullit të tetë radhazi në Serinë A.

Bardhezinjtë treguan se funksionojnë mjaft mirë, sidomos në ndeshjen me Lazion, ku nuk pësuan asnjë gjuajtje në kuadrat dhe arritën të fitojnë 2-0, pas një morie rastesh të krijuara.

Allegri mund të bazohet te një numër mjaft i madh lojtarësh të aftë për të luajtur si titullarë dhe për të interpretuar module të ndryshme, gjë që ia lehtëson ndjeshëm zgjedhjet në formacion dhe ndryshimet e shpeshta të rreshtimit, në lojë e sipër.

Gjithsesi shqetësimi i vetëm që mbetet pas dy javëve të para, janë golat e Cristiano Ronaldos, që pavarësisht impenjimit maksimal dhe mundësive të shumta, nuk e ka provuar ende shijen e të dërguarit të topit në rrjetë, në kampionatin italian.

Edhe ndaj Lazios portugezi pati 3-4 mundësi të mira, por fati dhe portieri i bardhekaltërve Thomas Strakosha, bënë që Ronaldo të mos festonte para tifozërisë bardhezi, golin e tij të parë në kampionatin italian.

Gjithsesi statistikat e viteve të fundit bëjnë optimistë bardhezinjtë, pasi Ronaldo ka treguar se me kalimin e viteve është shndërruar në një “motor diesel”, që niset më ngadalë, por që me kalimin e kohës arrin performanca spektakolare.

Kështu në sezonin e fundit të portugezit, me fanellën e Realit të Madridit, goli i parë i CR7-ës ka ardhur vetëm në javën e tetë, por të katërtën personale të Ronaldos, që mungoi në katër takimet e para për shkak pezullimi.

Më pas ai arriti të shënojë 26 gola në 27 takime të kampionatit spanjoll, ndërsa në të gjithë aktivitetet shënoi 44 gola në po kaq takime, shifra vërtetë mbresëlënëse për një futbollist, i cili për më tepër, Ligën e Kampionëve e ka terrenin e preferuar.

Ajo që bën optimist Allegrin është se blerja më e bujshme e verës ka filluar të njohë më mirë kampionatin italian dhe të gjejë bashkëpunimin me shokët e skuadrës në fushë, ndërsa përshtatja me Mandzukiç në majën e sulmit duket në nivele mjaft të mira.

Nga kjo situatë, humbësi i vetëm është Paulo Dybala, i cili për herë të parë që nga 23 Dhjetori i vitit të kaluar, e pa ndeshjen të gjithën nga stoli, duke mos luajtur asnjë minutë.

Me argjentinasin në fushë, Ronaldos i duhet të luajë më në thellësi, aty ku do humbte mes fanellave kundërshtare, ndërsa me kroatin, portugezi gjen liri veprimi, duke lëvizur sa në krah, aq edhe në qendër.

Related posts

RIGJEN INTERIN “E TIJ”/ Ancelotti: Kam qenë dy herë pranë rikthimit, pasi…

Delo.autor

PRITET FUNDI I “TELENOVELËS” ICARDI/ Ja çfarë bën sulmuesi me propozimin e Marottës

Delo.autor

TIFOZËT “PUSHTOJNË” FUSHËN/ Festa e “çmendur” e finales së klubit francez pas 38 vitesh (FOTO+VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment