Futboll Sport

Sfida që premton spektakël, Tirana e Teuta gati të “ndezin” kampionatin

Pavarësisht se gjatë gjithë verës ambienti bardheblu ishte karikuar shumë dhe pritshmëritë ndaj Tiranës ishin shumë të mëdha, skuadra e Ze Marias doli kokë-ulur në startin e kampionatit përballë Kamzës.

Në një “Selman Stërmasi” të mbushur si në kohët e vjetra, ishte një gol i Sebino Plakut në minutat e fundit, që bëri të pllakosë heshtja te tifozëria bardheblu dhe çoi tre pikët te skuadra e periferisë së kryeqytetit.

Java e dytë e Kategorisë Superiore do të startojë sot, ku sërish në “Selman Stërmasi”, Tirana do të presë Teutën në një sfidë që do të startojë në orën 19:45 dhe do të transmetohet si gjithmonë vetëm në ekranin e Supersport 3, bashkë me atmosferën para ndeshjes dhe emocionet e protagonistëve, pas saj.

Në javën e parë trajneri brazilian vendosi t’u besojë lojtarëve që pati në skuadër edhe vitin e kaluar në Kategorinë e Parë, ndërsa për sfidën e sotme ka premtuar ndryshime, ku pritet që të rikthehet Ilion Lika në portë dhe të luajnë nga fillimi disa futbollistë të ardhur këtë verë, si Edon Hasani dhe ndonjë tjetër.

Ze Maria e di më mirë se kushdo, se në javët e para të kampionatit duhen vetëm pikët, pasi loja pret për më vonë, ndaj e ka të qartë që ndaj Teutës duhet të synojë triumfin, për të rikthyer qetësinë psikologjike në skuadër dhe për të mos zhgënjyer tifozërinë bardheblu, që ashtu si ndaj Kamzës, pritet e shumtë në numër.

Nga ana tjetër, përballë vjen Teuta, një skuadër e riorganizuar tërësisht këtë verë, që ka ndryshuar stafin teknik dhe ka afruar plot 14 lojtarë të rinj, për të krijuar një grup konkurrues në Kategorinë Superiore.

Skuadra e Shkëmbit debutoi me një ndeshje mjaft të mirë ndaj Flamurtarit në “Niko Dovana”, por shfaqi probleme të shumta në finalizim, shkak ky që bëri që sfida të mbyllej në barazim pa gola.

Me Isli Hidin në portë dhe Bicin e Osmanin në qendër të mbrojtjes, katërkëndëshi i durrsakëve duket i siguruar, ndërsa trajneri korçar do të duhet të mendojë më shumë për fazën sulmuese, ku përgjegjësia bie mbi finalizuesit e aksioneve.

Si Tirana, ashtu edhe Teuta, janë skuadra të ndërtuara për të arritur Europën dhe pavarësisht se jemi vetëm në javën e dytë, askush nga trajnerët nuk fshihet dhe premtojnë se ekipet që ata drejtojnë, do të zbresin në fushë për fitore.

Tirana apo Teuta, pak rëndësi ka kush merr tre pikët, pasi jemi vetëm në javën e dytë dhe kampionati do të ketë edhe 34 të tjera më pas. Rëndësi ka që sfida e sotme premton spektakël dhe gola, dhe për të gjithë ata që nuk do të jenë në “Selman Stërmasi”, Supersport do t’ju sjellë stadiumin në shtëpi, me një super transmetim, që fillon rreth 60 minuta para ndeshjes dhe përfundon një orë pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit kryesor.

Related posts

ARRIHET MARRËVESHJA/ Mesfushori Kimmich rinovon kontratën me Bayern Munich, ja detajet e akordit…

Delo.autor

Roma kërkon Justin Kluivert por nuk harron as Balotellin

Sadik.Autor

ZYRTARE/ Tirana bën përforcimin e radhës, bardheblutë prezantojnë portierin e njohur

Isa.Autor

Leave a Comment