Champions League Futboll Sport

SUKSESET NË EUROPË/ Shkëndija si “feniksi”, ja ringjallja e lavdishme e klubit kuqezi

Të rilindur nga hiri. Disa herë. Ashtu si feniksi. Gjithmonë për tu kthyer më të fort. Kjo është Shkëndija e Tetovës, klubi shqiptar që po shkruan histori të lavdishme vit pas viti. Kualifikimi në turin e tretë të Champions-it përballë Sheriff Tiraspol-it është një tjetër arritje e madhe.
Rezultate që vijnë si vazhdimësi e punës së shkëlqyer të viteve të fundit, me investimet absolutisht më serioze të një skuadre shqiptare në të gjitha trevat, por edhe një prej menaxhimeve më të mirë në rajon. Kuqezinjtë janë një prej ekipeve me të cilët identifikohen shqiptarët e Maqedonisë. Dhe jo vetëm…

Shkëndija është një simbol i mbijetesës pavarësisht shtypjes së vazhdueshme, që arriti deri në tentativë për ta zhdukur. Ashtu si ndodhi në vitin 1981 kur regjimi ish-Jugosllav e mbylli klubin, sepse orientimi ishte tepër shqiptar. Një pishtar në luftën për të ruajtur ndjenjën kombëtare në një periudhë asimilimi.
11 vjet më pas Shkëndija rilindi. Për të përfaqësuar sërish shqiptarët. Ngjyrat kuqezi janë më tepër sesa një uniformë. Janë një mënyrë identifikimi. Janë lidhja me flamurin kombëtar. Ngritja nga kategoria e tretë deri në Ligën e parë ndodhi shumë shpejt. Në vitin 1994, vetëm pas dy sezoneve, tetovarët nisën të luanin në elitën e futbollit maqedonas, për të mos zbritur më.

I rezistuan sulmeve, diskriminimit dhe lojës së pandershme. Madje, u kthyen më të fort edhe pas riorganizimit të klubit në sezonin 2003-2004. Titulli i parë kampion në vitin 2011, duke u kurorëzuar pasi në edicionin e mëparshëm ishte një tjetër ekip shqiptar që ishte shpallur kampione, Renova nga Tetova.
Problemet u rikthyer në sezonin 2012-2013, me klubin që e pa vetën në krizë të rëndë financiare. Fushata e tifozëve, të cilës i’u bashkuan edhe disa yje të futbollit shqiptar, si Lorik Cana dhe Xherdan Shaqiri, bindën kompaninë Ecolog se kishte ardhur koha të investonin te Shkëndija.

Aty ndryshoi gjithçka. Feniksi Shkëndija rilindi edhe një herë, për të fluturuar edhe më lart. Nga korriku i vitit 2013 kur mori drejtimin e klubit, investimi serioz i dha jetë një historie suksesi. Ecuri mbresëlënëse në kupat e Europës, ku në dy sezonet e kaluara tetovarët arritën dy herë deri në fazën “play off” të Europa League, për t’u eliminuar nga dy superfuqi si belgët e Gent dhe italianët e Milanit.

Dy humbje që nuk e zbehën ëndrrën. Përkundrazi i dhanë më tepër besim drejtuesve të Shkëndijës se projekti duhet të vazhdojë me të njëjtin seriozitet dhe përkushtim. Rezultatet flasin vetë. Kalimi pengesave New Saints dhe Sheriff Tiraspol, i afron kuqezinjtë me një tjetër rezultat historik. Pengesa e radhës janë austriakët e Salcburgut.
Kualifikimi do ti garantonte minimalisht vendin në grupet e Europa League. Në rast të kundërt, për arenën e madhe kontinentale do të duhet të luajnë në “play off”. Rivalët janë një emër i madh i futbollit europian, përballë të cilit Shkëndija do provojë shanset e e veta. Me më tepër besim dhe bindje. Më kryesorja, me mbështetjen e të gjithë shqiptarëve.

Related posts

LIVE/ Përfundon pjesa e parë, Laçi dhe Kastrioti në baraspeshë totale

Isa.Autor

“EURO 2020″/ Xherdan Shaqiri njeriu i rekordeve, dopieta kundër Turqisë e fut në historinë e Zvicrës

Delo.autor

TIRANA KËRKON PROJEKT AFATGJATË/ Gati rinovimin me tre të paprekshëm

Delo.autor

Leave a Comment