Futboll Premier League Sport

NGA GOLAT TEK FITORET RADHAZI/ Ja 10 rekordet që mund të thyejë këtë sezon Liverpool

Liverpuli duket në rrugën e duhur për të prishur mallkimin në Premier Ligë, duke iu drejtuar titullit të parë pas 30 vitesh. Pas 20 javësh ata kanë thuajse një rekord perfekt prej 19 fitoresh dhe 1 barazimi, ato 2 pikë që lanë në “Old Trafford” kundër Mançester Junajtidit në tetor.

Djemtë e Klopit kryesojnë 13 pikë përpara Lestërit të vendit të dytë, por kanë edhe një ndeshje më shumë në dispozicion. Gjatë këtij sezoni, ku “Reds”-at duken të pandalshëm, ata mund të thyejnë 10 rekorde të pabesueshme.

NISJA MË E MIRË PAS 21 JAVËSH – Me 19 fitore dhe 1 barazim deri tani, Liverpuli ka grumbulluar 58 pikë. Një fitore tjetër (udhëtojnë drejt Totenhemit të shtunën) dhe ata do të thyenin rekordin që Mançester Siti vendosi në 2017-’18 me 59 pikë pas 21 ndeshjesh.

FITORET RADHAZI NË SHTËPI – Mançester Siti regjistroi 20 fitore në “Etihad” mes vitit 2011-2012. Liverpuli në “Anfield” ka për momentin 18 suksese të njëpasnjëshme. Mjafton që të mposhtin Mançester Junajtidin, Sauthemptonin dhe Uest Hemin dhe rekordi është i tyre.

FITORET RADHAZI – Liverpuli kishte fituar 17 ndeshje radhazi mes periudhës marstetor 2019, përpara atij barazimi në “Old Trafford”. Prej atëherë, ata kanë 11 fitore radhazi dhe janë vetëm 7 suksese larg rekordit të Sitit (18 fitore) vendosur në gusht-dhjetor 2017. “Reds”-at duhet të fitojnë çdo ndeshje deri në sfidën me Uotfordin në 29 shkurt për ta thyer këtë rekord.

Liverpuli

NUMRI MË I ULËT I HUMBJEVE – Vetëm Arsenali i sezonit 2003-2004 ka mbyllur një sezon të plotë pa humbje në Premier Ligë, duke marrë edhe nofkën “Të Pamposhturit”. Liverpuli u dorëzua vetëm një herë sezonin e shkuar, por këtë sezon do të tentojë të bëjë më mirë, duke e mbyllur të gjithë edicionin me shifrën zero në kolonën e humbjeve.

SERIA E NDESHJEVE PA HUMBJE – Arsenali i famshëm i Arsen Vengerit regjistroi 49 ndeshje radhazi pa humbje në Premier Ligë, përfshirë të gjithë sezonin 2003-’04. Ekipi i Klopit është në kuotën 37, 12 më pak dhe duhet të shmangë humbjen ndaj kampionëve në fuqi të Sitit për ta barazuar këtë rekord, të cilin mund ta thyejnë një javë më vonë, në shtëpi kundër Aston Vilës.

KOHA MË E GJATË PA HUMBJE – Skuadra që mban sot rekordin e kohës më të gjatë pa u mundur është Arsenali: 537 ditë. Fitorja ndaj Shefilld Junajtidit në 2 janar i mundësoi Liverpulit që të mbyllte një vit të plotë pa e ndier shijen e humbjes. Nëse do ta përfundojnë sezonin kështu deri në fund, atëherë ata do ta thyenin rekordin e “Topçinjve” në fund të qershorit, gjatë ditëve të pushimit.

 MË SHUMË FITORE NË NJË SEZON – Një tjetër rekord në Premier Ligë, një tjetër rekord që mbahet nga Mançester Siti i Pep Guardiolës. Në secilin prej dy viteve të fundit, “Qytetarët” kanë fituar 32 nga 38 javët në rrugën e tyre drejt titullit. Liverpuli duhet të fitojë 14 nga 18 ndeshjet e mbetura për ta thyer këtë rekord.

liverpuli

MË SHUMË FITORE NË SHTËPI – Kurrë më parë një skuadër nuk e ka fituar çdo ndeshje të sezonit në shtëpi. Çelsi në 2005-’06, Mançester Junajtid në 2010-’11 dhe Mançester Siti në 2011-’12 dhe 2018-’19 kanë arritur të fitojnë 18 ndeshje brenda fushës së tyre gjatë një sezoni. Liverpuli ka fituar 11 deri tani dhe do ta kompletonte këtë rekord (19 fitore) nëse do të mundë Mançester Junajtidin, Sauthemptonin, Uest Hemin, Bornmëthin, Kristal Palasin, Aston Vilën, Bërnlejn dhe Çelsin deri në fund.

MË SHUMË FITORE NË TRANSFERTË – Nuk ka asnjë dhuratë për atë që zbulon se cila skuadër ka fituar më shumë ndeshje jashtë fushe gjatë një sezoni. Po, sepse është përsëri Mançester Siti. Ata dolën fitimtarë në 16 nga 19 udhëtimet e tyre gjatë sezonit 2017-’18. “Reds”-at kanë arritur 8 nga 9 fitore deri tani jashtë “Anfield”-it dhe nëse marrin tri pikët në 9 nga 10 transfertat e mbetura, atëherë ky rekord do të bëhet i tyri gjithashtu. Kjo do të thotë se atyre u lejohet të lënë pikë në një prej këtyre ndeshjeve: Totenhemit, Uolvesit, Uest Hemit, Noruiçit, Uotfordit, Evertonit, Mançester Sitit, Brajtonit, Arsenalit dhe Njukasëllit.

liverpuli

MË SHUMË PIKË – Liverpuli është skuadra e tretë në renditjen e atyre që kanë grumbulluar më shumë pikë gjatë një sezoni, me 97 pikët që koleksionoi sezonin e shkuar, një më pak se kampionët e Sitit, të cilët dy sezone më parë u bënë skuadra e vetme që arriti kuotën e 100 pikëve. Matematika i lejon Liverpulit ta mbyllë sezonin aktual me 112 pikë nëse do të jenë perfektë deri në fund. Por, ata kanë luksin që të barazojnë një ndeshje dhe të humbasin tri të tjera dhe sërish ta thyejnë rekordin e “Qytetarëve”.

Related posts

LEGJENDAT SPANJOLLE/ Torres ende “thatë”, Iniesta feston suksesin në japoni (VIDEO)

Isa.Autor

(FOTO) Manchester United, Zlatan Ibrahimovic kujton momentin e sikletshëm te ‘Djajtë e Kuq’

Q.Autor

Zyrtarizohet gjithçka, Kamer Qaka firmos me Steaua Bukuresht

Sadik.Autor

Leave a Comment