Futboll Sport

SUPERLIGA/ Merkato e orëve të fundit, ja çfarë duan pretendentët (DETAJE)

Pak orë deri në fund të merkatos, pak orë për të kompletuar skuadrat për pretendentët e Kategorisë Superiore. Panorama në dukje është e qetë, por në zyrat e klubeve kryesore të kampionatit janë orë të ethshme, me hapësirën deri në mbrëmjen e 31 gushtit që pritet të sjellë surpriza.

Pothuajse kudo kërkohet një sulmues, Partizani, Tirana apo Flamurtari, emri më sugjestionues i këtyre ditëve ka qenë Ekuban, pistë tanimë e sfumuar me transferimin eventual të italo-ganezit te Trabzonspor.

Te Partizani vetëm Hebaj dhe Cardozo që rikthehet nga dëmtimi nuk mjaftojnë, me drejtuesit e kuq që do të bëjnë të pamundurën për të afruar një sulmues të rëndësishëm në ditët e mbetura.

Edhe te Tirana, pritja e Ngoo, përtej këshillave të presidentit, duket një bast i rëndësishëm, ndaj njerëzit e merkatos janë në negociata të ethshme me disa pista njëkohësisht, dhe nuk përjashtohet mundësia që orët e fundit të sjellin në kryeqytet jo vetëm një sulmues qendre, por edhe një anësor.

Te Flamurtari e kanë kuptuar se nuk mund të varen vetëm nga Bushiç. Ilir Daja ka nevojë për lojtarë jo vetëm në sulm, por edhe për mesin e fushës, në pritje për të mësuar fatin e Elton Cale, në Vlorë synojnë të gjejnë edhe një lojtar që mund të mbështesë Bushiç, për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga largimi i Danilo Alves.

Te Skënderbeu me alternativa të kënaqshme në mbrojtje dhe besim te sulmuesit aktualë, Shehi pret dy mesfushorë, i pari është një emër i njohur Eskuerdinia. Stafi teknik kërkon një futbollist cilësor për qendrën e repartit të ndërmjetëm, dikë që të bëjë punën e Sabien Lilajt, ndërsa pritet edhe një përforcim tjetër për të shtuar konkurrencën dhe pasuruar stolin.

Te Kukësi surprizat në hyrje mund të vijnë sërish nga sulmi, me disa emra që mbeten si alternativa në orët e fundit, ndërkohë që te verilindorët pritet me shumë kuriozitet edhe sistemimi i disa lojtarëve me dalje të mundshme, si Donjet Shkodra është që tani një i divorcuar në shtëpi, ndërsa edhe Stivi Frashëri nuk ka gjetur ambientin që priste dhe do të tentojë kalimin në një tjetër skuadër të Kategorisë Superiore.

Related posts

PAS HUMBJES NDAJ LUFTËTARIT/ Trajneri Gega: Nuk do doja të vinte kurrë kjo situatë, ndjej…

Delo.autor

Kane i kundërpërgjigjet Lukaku-t, Anglia vuan por mposht Tunizinë (VIDEO)

Sadik.Autor

Ronaldo shpëton përsëri Realin, “madrilenët” në gjysëmfinale (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment