Futboll Sport

Vllaznia denoncon skandalin me Çinarin, u falsifikua transferimi i tij në Spanjë

KF Vllaznia, përmes një komunikate për shtyp, dëshiron të sqarojë publikun në lidhje me situatën e futbollistit Erald Çinari. Futbollisti Çinari pretendon të ketë firmosur një kontratë me klubin spanjoll, Deportivo Alaves, dhe ky e ka huazuar për një sezon te skuadra kroate NK Istra 1861.

E vërteta është se deri më sot, KF Vllaznia nuk ka arritur asnjë marrëveshje transferimi dhe huazimi me asnjë klub për futbollistin Erald Çinari. KF Vllaznia ka patur vetëm një komunikim me Deportivo Alaves në fund të muajit maj 2018, ku i kërkon kohë për bisedime, për shkak të ristrukturimit të klubit.

Më pas, me emërimin e administratorit të ri të klubit, z.Suad Lici, menjëherë i jemi drejtuar zyrtarisht klubit spanjoll duke i shprehur gatishmërinë për të negociuar për këtë transferim, duke i kujtuar njëkohësisht edhe klauzolën që lojtari Erald Çinari ka në kontratë për prishjen e parakohshme.

Në mënyrë të çuditshme, Deportivo Alaves është përgjigjur më datë 1 gusht 2018, duke kujtuar se pretendimet e KF Vllaznia janë të kota, sepse sipas tyre, “….Klubi i Futbollit “Vllaznia” kishte pranuar ofertën e tyre, kishte dërguar edhe numrin e llogarisë dhe se ishte bërë transferimi i shumës financiare në llogarinë përkatëse.” Madje, klubi spanjoll shkon edhe më tej, duke deklaruar se KF Vllaznia kishte konfirmuar marrjen e parave.

Të çuditur nga një reagim i tillë, me një shkresë të datës 2 gusht 2018, klubi “Vllaznia”, pas verifikimit të të gjithë fakteve dhe dokumenteve, i është përgjigjur sërish Deportivo Alaves, duke ia bërë të qartë se nga KF Vllaznia nuk ka dalë asnje leje-kalimi apo marrëveshje transferimi për futbollistin Erald Çinari. Njëkohësisht i është kërkuar sjellja e të gjithë dokumenteve, që sipas tyre ata posedojnë në “komunikimin me KF Vllaznia”.

Pas pritjes disa ditë të ndonjë pergjigjeje nga klubi Deportivo Alaves, nuk ka ardhur asnjë e tillë. Për këtë arsye, me datë 8 gusht 2018, KF Vllaznia i ka nisur një tjetër shkresë klubit në fjalë, duke i kërkuar edhe njëherë dokumentacionet dhe njëkohësisht edhe transfertën bankare të shumës së bërë për këtë transferim.

Por sërish asnjë reagim. Pas verifikimeve të bëra rezulton se numri i llogarisë, i pretenduar nga spanjollët, ku kanë bërë pagesën, është në Itali. Diçka absurde, sepse KF Vllaznia jo vetëm që nuk ka asnjë numër llogarie jashtë territorit shqiptar, por edhe numri i llogarisë në fjalë nuk ekziston.

Lidhur me dokumentacionin e përcjellë nga Deportivo Alaves pranë Klubit Vllaznia për sportistin Çinari, na rezulton dokumentacion jo i lëshuar nga klubi apo nga Bashkia Shkodër. Ka dokumentacion të pavërtetë dhe kemi dyshime të bazuara se mund të jetë përdorur për qëllime jo të mira. Për këtë, Bashkia Shkodër, kryetarja e bashkisë, i janë drejtuar prokurorisë për hetim të mëtejshëm.

Ndërkohë, më datë 13 gusht 2018, klubi kroat NK Istra 1961, që pretendon se ka marrë në huazim futbollistin Erald Çinari, ka kërkuar që KF Vllaznia të ndërhynte në sistemin TMS të FIFA-s për të mbyllur transferimin e këtij futbollisti, sipas rregullave të transferimit ndërkombëtar.

Të gjendur para këtij fakti, KF Vllaznia më datë 14 gusht 2018 i është përgjigjur me një shkresë zyrtare edhe klubit kroat, duke i shpjeguar edhe këtij klubi se për futbollistin në fjalë nuk ka asnjë marrëveshje huazimi apo transferimi me asnjë klub.

Në rrethana të tilla, KF Vllaznia ka njoftuar të dyja klubet, Deportivo Alaves dhe NK Istra 1961 se do ta ankimojë këtë çështje në FIFA dhe UEFA për bllokimin e këtij transferimi dhe për të kërkuar dëmshpërblim për dëmin që i është shkaktuar klubit të futbollit “Vllaznia”.

Related posts

KËRKON PËRFORCIME NË EKIP/ Juventus në kërkim të një sulmuesi, piketon yllin e Napolit…

Delo.autor

PO SHKËLQEN/ Bardhi: Gega të jep atë që meriton, nëse vazhdoj kështu do të…

Isa.Autor

PARTIZANI-TIRANA/ Mbrojtja e “Bardhebluve” në përgjumje, Çinari zhbllokon sfidën për “Demat” (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment