Futboll Sport

Luftëtari katastrofik/ Flamurtari del në krye falë një SUPERGOLI të Bushiç

Flamurtari i falet kapitenit Tomislav Bushiç për tri pikët e radhës në kampionat. Luftëtari merr humbjen e tretë radhazi, ndërsa në takimin e sotëm dukej qartë se ishin mjaft të tensionuar dhe shumë të paqartë para portës. Goli i shënuar në minutën e 25 nga kuqezinjtë i mjaftoi trajnerit Daja për të zotëruar më së miri deri në fund rezultatin dhe në fund buzëqeshi për tri pikët e marra.

Tashmë Flamurtari ka po të njëjtat pikë me Skënderbeun në krye të tabelës së renditjes pas tre javë kampionat, ndërkohë që nuk ka pësuar asnjë gol. Sa i përket Luftëtarit, duket se Kostiç e ka nisur në mënyrën më katastrofike aventurën e tij me bluzinjtë.

Pjesa e parë – Flamurtari e nis lojën në sulm. Të besuarit e trajnerit Ilir Daja edhe pse në fushë nuk kishin ndihmën e argjentinasit Agustin Torrassa, sërish arritën që të krijonin volum loje dhe shumë aksione sulmuese. Të qartë në atë që kërkonin që në minutat e para, ndërsa Bushiç ishte njeriu që kërcënonte portën e Luftëtarit.

Megjithatë, gjirokastritët të ndodhur nën presion krijonin shpesh kundërsulme me Shkurtajn dhe Ymerajn, por që nuk ishin aspakt të qartë në atë që kërkonin. Rastet drejt portës ishin sporadike, por disa herë të rrezikshme, megjithatë, goli ishte larg.

Pas disa minutash ngulmim për golin, kuqezinjtë arrijnë që të zhbllokojnë rezultatin. Një dalje e qartë e Mustës në krahun e majtë, i cili në fund sheh në zonë shtatlartin Bushiç. Kroati me kokë e devijon topin në rrjetë dhe 0-1! Flamurtari arrin që të marrë në kontroll sfidën.

Si të mos mjaftonte goli i parë, kuqezinjtë i afrohen sërish golit në minutat e mbetura. Mundësi e artë u krijua nga Arbër Beqja, por që nuk arriti ta çojë topin në rrjetë sepse preferoi që të gjuante diagonalisht, por që gjithçka përfundoi mbi kuadrat.

Në minutën e 42 Luftëtari pati rastin më të mirë që të barazonte shifrat. Ishte një aksion në krahun e djathtë të sulmit, ku Shkurtaj u shfaq papritmas para portierit Koliçi, ku Kotobelli gaboi në mbulimin e sulmuesit, megjithatë në fund shtatlarti i gjirokastritëve gjuan jashtë kuadratit.

Pjesa e dytë – Luftëtari është më kërkues në nisjen e fraksionit të dytë të lojës, por që para portës Shkurtaj apo dhe Demaj janë shumë të paqartë. Vijojnë problemet para portës, ku u pa se dëshira ishte e madhe, por që konkretizimi linte shumë për të dëshiruar për skuadrën gjirokastrite. Nga ana tjetër, Flamurtari i Ilir Dajës konkretizoi mirë lojën, por sidomos në prapavijë u tregua mjaft i gatshëm për të ruajtur të paprekur portën.

Ndryshimet e bëra nga trajnerët respektivë nuk sollën ndonjë diferencim të rezultatit deri në minutën e 70 të sfidës. Hyseni mori vendin e Radoviç për vendasit, ndërsa Arbër Beqja i la vendin kosovarit Mustafa.

Të tensionuar në stolin e Luftëtarit për disa minuta radhazi, goli dukej se shfaqej në horizont, megjiathtë dukej se mungonte njeriu që do të çonte sferën në rrjetë. Deri në përfundim të sfidës nuk ka asnjë ndryshim, Flamurtari merr tri pikë dhe shkon në krye të tabelës ku shoqëron Skënderbeun që ka gjithashtu 7 pikë.

Related posts

FOTOLAJM/ Tifozët shqiptarë nuk zhgënjejnë, shpalosin flamurin gjigand në “Air Albania”

F.autor

TË QESHURA PAFUND/ Çfarë ndodhi me Armando Brojën në stërvitje (VIDEO)

Delo.autor

FRANCË-BELGJIKË/ Vëllezërit Hernandez startojnë nga minuta e parë, ja formacionet e mundshme..

Delo.autor

Leave a Comment