Futboll Sport

Përballja mes nxënësit dhe mësuesit/ Shehi i “jep” leksion Dajës, Skënderbeu mposht Flamurtarin

Skënderbeu ka mundur Flamurtarin në javën e katër të kampionatit me rezultatin 2-0. Në sfidën e luajtur në Vlorë këtë mbrëmje, skuadra korçare ka dominuar pothuajse gjithë takimin, ndryshe nga sa pritej. Nxënësi kundër mësuesit, kundërshtarët e përjetshëm kundër tyre. Kështu mund të cilësohet sfida mes Flamurtarit dhe Skënderebut, e vlefshme për javën e katër të kampionatit, e luajtur mbrëmjen e kësaj të hëne. Nis me agresivitet, qarkullim topi dhe pasime të shumta në mesfushë. Kështu janë minutat e para të sfidës, ndërsa rastet e para nisin të krijohen nga fundi i dhjetëminutshit të parë. Në mintuën e 7-të është Sirghi që gjuan me kokë drejt portës së Skënderbeut, por topi shkon mbi tranversë. Tre minuta më vonë sërish Flamurtari nga këndi, aty ku Torasa gjuan në zonë, por Busic shkakton faull.

Pas këtij momenti skuadra mike shton presionin dhe mbrojtja vlonjate vihet në vështirësi. Në harkun e pesë minutave, Dita, Radas dhe Bregu shfaqin rrezik, por këto episode nuk shfrytëzohen si duhen. Është sërish Skënderbeu dhe të besuarit e Orges Shehit, që pas minutës së 20-të dominojnë në fushën kundërshtare. Dejvi Bregu ka një rast të mirë për të shënuar, por gjuajtja e tij ndalet nga shtylla në minutën e 20-të, ndonëse më herët anësori kishte sinjalizuar për një pozicion jashtë loje. Presioni në rritje dhe loja e dobët e skuadrës vendase, bën që trajneri Ilir Daja të ngrejë zërin nga bankina, pasi hapësirat në mbrojtje dhe loja pa busull e Flamurtarit po bëhej e rrezikshme.

Minuta e 30-të dhe sërish rastet janë për miqtë. Agresiv, të shpejtë dhe të saktë, tregohen futbollistët e Skënderbeut që sulmojnë në të gjitha drejtimet, ndërsa Krasniqi shkëlqen me sprintet e tij. Do duhej të vinte minuta e 35-të, që loja të vendosej në ekuilibër. Flamurtari del nga gjysmë fusha e tij dhe hidhet në sulm, por pa sukses. Në të 40`, Andi Koçi nxjerr kartonin e parë të verdhë për Gripshin, i cili bie brenda zonës së rreptësisë duke simuluar. I vetmi rast i rrezikshëm për vendasit do të ishte ai i Busic dy minuta para përfundimit. Sulmuesi gjuan drejt portës, por portieri Teqja pret dhe mban të pa prekur rrjetën.

Kështu mbyllet pjesa e parë, pa asnjë minutë shtesë dhe me rrjeta të pa prekura. Pjesa e dytë nis sërish me ritëm të lartë, teksa Skënderbeu kërkon të befasojë kundërshtarin, pas një goditje dënimi e ekzekutuar nga Radas. Por rrezikun e largon Pollozhani, që ndërhyn duke i hequr një mundësi kundërshtarit në minutën e 47-të. Tre minuta më vonë janë vendasit që fitojnë një goditje këndi, por gjuajtja pastrohet nga mbrojtja e miqve. Loja bëhet më dinamike dhe e luftuar nga të dyja skuadrat, të cilat nisin të shfaqin agresivitet por pa mundur të rrezikojnë. Në minutën e 60-të Skënderbeu bën zëvendësimin e parë, Dita i lë vendin Benyamin ndërsa katër minuta më vonë te Flamurtari Musta i lë vendin Alveshit.

Ndërkohë Flamurari detyrohet të bëj dhe një tjetër zëvendësim në minutën e 68-të, pasi Hyseni del i dëmtuar dhe në vend të tij futet Mustafa. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe Skënderbeu vijon presionin në rritje, ndërsa vendasit janë të paqartë dhe hera-herës konfuzë në fushën e lojës. Daja nga ana tjetër duket i mërzitur me të tijët që humbin shumë dyluftime me kundërshtarin. E gjithë kjo situatë do të prodhojë edhe ndëshkimin fatal. Është minuta e 74-të kur në zonën e Flamurtarit ka rrëmujë, ndërsa shpërqëndrimin e mbrojtjes vlonjate e shfrytëzon Krasniqi që gjuan dhe dërgon topin në rrjetë. Në stadium bie heshtja, festa është e korçarëve.

Goli sjellë “shkundjen” e vlonjatëve, të cilët mundohen të reagojnë, por pa u shfaqur asnjëherë kërcënues. Nga ana tjetër lojtarët e Skënderbeut kombinojnë shumë mirë, ndërsa mbrojtja është e sigurtë në mbylljen e hapësirave. Në minutën e 83-të Flamurtari kryen zëvendësim tjetër të detyruar. Del i dëmtuar Pollozhani ndërsa në fushë hidhet Veliu. Nga ana tjetër është Skënderbeu që vijon të sulmojë dhe kërkon të mbyll ndeshjen. Minuta e 56-të, Dejvi Bregu në mesfushë jep një asist për Oto John që del i vetëm përballë Koliçit dhe e dërgon topin në rrejtë. Tashmë s`ka më heshtje në stadium por fishkëllima dhe zbrazje të shkallëve nga tifozët.

Pas këtij momenti Flamurtari e ka të pamundur të reagojë. Skuadra vlonjate gjendet e pafuqishme të ndryshojë diçka, në një sfidë që ishte parashikuar të ishte ndryshe para nisjes së saj. Në minutën e 90-të Skënderbeu kreyn zëvendësim të detyruar, pasi Muzka i dëmtuar del nga loja dhe në vend të tij futet Fili. Tre minutat shtesë nuk sjellin asgjë të re veç faktit që sfidën e parë midis “nxënësit dhe mësuesit” e fiton i pari.

Related posts

ZYRTARE/ Nis aventurën e tij të re, ish-lojtari “Zikaltër” transferohet tek skuadra e Serisë A

Delo.autor

“SKUADRA ËSHTË E KOMPLETUAR”/ Trajneri Martini: Tani prisni Teutën e vërtetë!

Delo.autor

Orges Shehi iu gëzohet trofeve, por për lamtumirën mendohet mirë

Sadik.Autor

Leave a Comment