Futboll Sport

“Reginaldo show”/ Kukësi merr tre pikët e para me Tiranën në “Loro Boriçi”

Duhej një super Reginaldo që Kukësi të merrte tre pikët e para në këtë kampionat. Skuadra e Cungut ka mposhtur në shifrat 3-1 Tiranën në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Përballja fillon me marshin e duhur për Kukësin që e gjen rrugën e rrjetës që në minutën e dytë. Është afrikani Reginaldo që përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe shënon për verilindorët. Pas këtij goli të shpejtë, Tirana mundohet të reagojë dhe shkon disa herë pranë golit të barazimit. Blazhevski është rreziku numër një për mbrojtjen e Kukësit, por goli nuk mundi të vinte. Nga ana tjetër Kukësi, me një gol në avantazh është më i kujdesshëm në daljet e saj përpara. Kur u mendua se pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-0, Reginaldo shënon sërish. Këtë herë sulmuesi i sapoardhur në skuadrën e Kukësit, ka përfituar nga krosi i Çyrbjas për ta çuar topin në rrjetë për të dytën e herë.

Në 45’ minutat e dyta, loja është sërish me ritëm të lartë dhe aksione nga të dyja krahët. Tekniku i Tiranës, Ze Maria ndërhyn duke bërë disa zëvendësime dhe hedh në fushë energji të reja, por duke ndryshuar edhe modulin e lojës. Ndryshimet japin efekt dhe Tirana arrin të barazojë me anë të talentit 17-vjeçar Muçi, që gjen rrugën e rrjetës në minutën e 61’.

Tirana hap lojën me këtë gol, por gëzimi bardh e blu ka zgjatur shumë pak, pasi vetëm 3 minuta më vonë Kukësi dyfishon sërish avantazhin. Ai që shënon është, sërish Reginaldo që kompleton tripletën e parë sezonale. Sulmuesi nga Mozambiku përfiton nga një pakujdesi në mbrojtje e Tiranës dhe e çon rezultatin në 3-1.

Me këtë gol ritmi i lojës ra dhe Kukësi ia del deri në fund që ta mbrojë rezultatin dhe të sigurojë tre pikët në këtë përballje me Tiranën që pëson kështu humbjen e dytë në tre takimet e para në rikthimin e saj në Superligë. Kukësi tashmë me këtë fitore shkon në kuotën e katër pikë dhe pas rezultateve negative në dy javët e para, i bashkohet kryesuesve të tabelës. Gjatë ndeshjes pas golit të dytë të Kukësit ka pasur edhe një moment tensioni mes tifozëve të Tiranës të pranishëm në “Loro Boriçi”.

Related posts

NUK BËN PJESË NË PLANET E ALLEGRIT/ Mbrojtësi Demiral pranë transferimit tek gjigantët e Bundesligës…

Delo.autor

SERIA A RIFITON VËMENDJEN E MUNGUAR/ Rekord tifozësh në javën e 13-të!

Isa.Autor

Simeone feston si i çmendur kalimin në finale të Europa Leagues (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment