Pesë pikë në po aq ndeshje përbëjnë nisjen më të dobët të Serisë A nga ana e Romës në dekadën e fundit. Statistikat dënojnë ekipin, por edhe lëkundin fuqishëm stolin e Eusebio Di Françeskos. Ndeshja e nesërme me Frozinonen dhe ajo në fundjavë kundër Lacios mund të jenë vendimtare për fatin e trajnerit, teksa në horizont kanë nisur të duken pasuesit e mundshëm.
Kandidatura – Paulo Soza dhe Loro Blank janë dy emrat e parë që janë përmendur për rolin e trajnerit të verdhekuqve. Konsulenti verdhekuq, Franko Baldini, përflitet se ka nisur kontakte me portugezin, i cili njëkohësisht po diskuton një prishje të kontratës që e lidh me kinezët e Tianzhin. Pasi stërviti Bordon, kombëtaren franceze dhe PSG-në, ish-mbrojtësi i Interit do të ishte entuziast për një aventurë të re, por sidoqoftë duhet pritur sesi do të reagojë skuadra nën urdhrat e Di Françeskos.
Ish-i – Një tjetër emër është ai i Vinçenco Montelës, i mbetur pa punë pas shkarkimit nga Sevija. Për ishsulmuesin do të bëhej fjalë për një rikthim të dyfishtë duke qenë se ka qenë pjesë e kryeqytetasve si futbollist, por edhe si trajner i ekipit të të rinjve. Konte – Pa punë, por i shumëkërkuar edhe Antonio Konte. Ish-tekniku i Çelsit mund të pranojë një stol italian vetëm për t’u rikthyer në atdhe, ku gjithashtu Milani dhe Interi presin “përgjigje” nga trajnerët përkatës përpara se të mësyjnë ndaj Kontes.