Futboll Seria A Sport

BUKË, VERË, LETRA/ “Udhëtimi” i Derby della Madonnina nisi 100 vite më parë në TREN

Të përpiqesh të zbërthesh fjalën “Derby” (në anglisht) është shumë e vështirë. Shumë histori, ngjarje, fakte, gola, emocione, hidhërime, gëzime, personazhe, atmosferë, mister, por edhe rivalitet i ndezur… Do të duhen ditë, muaj dhe ndoshta vite të tëra për të paraqitur koncepte, ide dhe një tablo të asaj që përfshin një ndeshje që vendos përballë dy skuadra të një qyteti.

Dhe, kur ato dy skuadra kanë një histori të jashtëzakonshme dhe kanë fituar trofe, atëherë bëhet edhe më “e pamundur” që të rrëfesh…

Imagjinoni pak, një derbi që do të mbushë ditën e diel plot 110 vjet histori. Po flasim për “Derby della Madonnina”, ai i qytetit të Milanos. Në një anë “bauscia” (në dialektin milanez do të thotë “mburravec”), në tjetrën “casciavìt” (në dialektin milanez do të thotë “kaçavida”). Tifozeria e Interit dhe e Milanit, sipas rangut të tyre. Punëtorët e thjeshtë dhe shtesa pak më e lartë, borgjezët. Por, kjo është një histori tjetër…

Sepse, zanafilla ka rrënjë të thella. Duhet të kthehemi mbrapa në të largëtin vit 1908, teksa vjeshta sapo kishte hapur dyert e saj. 18 tetor, një sfidë që do të bëhet SFIDA.

Një ditar që kurrë nuk mund të fshihet. Një ditë e diel, ashtu si do të jetë edhe sfida e radhës.

Gjithçka e fiksuar ditën e diel… Të shtunën e 17 tetorit 1908, në stacionin e Porta Nuova, në orët e para të mëngjesit, bashkohen 30 djem të veshur në mënyrë kurioze dhe ekstravagante: fanella me vija vertikale kuqezi dhe zikaltër. Pantallona që mbërrinin deri te gjuri dhe këpucë që duken më të përshtatshme për të ngjitur malin se sa për një ndeshje futbolli (foot-ball, prononcimi i asaj kohe).

“Kushedi ku po shkon kjo bandë harmonioze”, do të kenë pyetur veten udhëtarët e tjere. Adresa? Chiasso, në Zvicër. Dhe, ato djem të veshur çuditshëm ishin futbollistët Interit dhe Milanit. Zikaltërit kishin “lindur” vetëm 7 muaj më parë. Sapo ishin regjistruar në Kupën Chiasso, ku merrnin pjesë gjithashtu Ausonia, Lugano dhe Bellinzona.

Një turne serioz dhe Milani, që vinte nga dy suksese të mëparshme (1906 dhe 1907), donte të arrinte objektivin për ta rifituar trofeun dhe për të mbajtur e ekspozuar kupën në Milano, sipas rregullores.

Turneu – Djemtë e Interit dhe Milanit blejnë biletat për Chiasso, ngjiten në tren me çanta shpine dhe sapo zënë vend, nxjerrin bukë, sallam dhe disa damixhane verë. Eshtë mëngjesi i zakonshëm përpara ndeshjeve. Ishte koha kur dietologët nuk ekzistonin: mjaftonte të përtypja diçka. Në atë epokë, të mbushje barkun ishte lluks. Disa luajnë edhe me letra.

Pasi mbërrijnë në Chiasso shkojnë të akomodohen në hotelin ku do të qëndrojnë disa ditë. Mëngjesin e të dielës janë në program ndeshjet kualifikuese, pasdite gjysmëfinalet dhe finalja. Milani mund Bellinzona, Interi heq Ausonia dhe Chiasso likuidon Lugano.

Milan, Inter dhe Chiasso në gjysmëfinale. Nuk ka kohë që të luhen dy ndeshje ndaj hidhet short për një gjysmëfinale të vetme, ndërsa ekipi tjetër pret si finalist. Interi shpëton në short dhe lojtarët shkojnë të bëjnë një gjumë, ndërsa Milani mposht Chiasso në fushë.

Ndeshja – Në fushë, pasditen e së dielës, zbresin Internazionale Milano dhe Milan. Milani hedh në fushë Radice, Glaser, Sala, Bianchi, Steltzer, Meschia, Lana, Madler, Forlano, Laich, Colombo. Interi përgjigjet me Campelli, Fonte, Zoller, Yenni, Fossati, Stebler, Capra, Peyer, Peterly, Aebi, Schuler.

Njeriu simbol i kuqezinjve është Pierino Lana, 20 vjeç, mesfushor cilësor. Zikaltërit i besojnë klasit të 16-vjeçarit Ermanno Aebi, me nënë italiane dhe baba zvicerian. Internazionale është e mbushur me të huaj, ndërsa Milani është i gjithi italian.

Pjesët e lojës zgjasnin 25 minuta, aq sa i duhen Milanit për të shënuar dy herë me Lana dhe Forlano. Në pjesëne dytë, Payer shënon për Interin, që nuk arrin të barazojë. Mbyllet 2-1 për “Djallin” që feston dhe kthen në Itali trofeun.

Organizatorët fërkojnë duart, fitimi nga biletat do të jetë 400 franga zviceriane. Lojtarët menjëherë i drejtohen stacionit të trenit, ngjiten dhe kthehen në Milano. Dikush të hënën duhet të punojë, dikush të shkojë në shkollë.

Futbolli nuk ishte i vetmi në ato kohë… Kohë kur shtyllat e portave ishin katrore, kur topi ishte prej lecke dhe kur fanellat ishin prej leshi…

Bukë, sallam, verë dhe letra, kthimi si mbërritja. Derby i Madonnina-s sapo ka nisur të shkruajë faqen e parë… Një libër që nuk do të përfundojë kurrë!

Campo della Giovannina, Chiasso (Canton Ticino, Zvicër)

2-1

MILAN-INTERNAZIONALE

Golat: Lana 10′, Payer 18’/ Forlano 36′

Milan: Radice, Glaser, Sala; Bianchi, Steltzer, Meschia; Lana, Madler, Forlano; Laich, Colombo. Trajner: Gerolamo Radice.
Internazionale: Campelli, Fonte, Zoller; Yenni, Fossati, Stebler; Capra, Payer I, Peterly; Schuler, Aebi. Trajner: Virgilio Fossati.
Gjyqtar: Bollinger (Zvicër)
Spektatorë: 2.000

Post Scriptum: Shumica e këtyre djemve, vite më pas, do të shkonin ushtar në Luftën e Parë Botërore…

Related posts

E KONFIRMON GAZETA SPANJOLLE/ Sulmuesi i njohur kërkon shtëpi në Barcelonë, ja arsyeja…

Delo.autor

“MË MIRË SHQIPTARËT APO GANEZËT?” Sulmuesi Balotelli habit me deklaratën e tij në rrjetet sociale (FOTO)

Delo.autor

MERKATOJA E BUJSHME/ E kërkuan për 45 milionë stërlina, ja vendimi që merr sulmuesi i Premier Leagues

Delo.autor

Leave a Comment