Ish-sulmuesi i Milan, Inter dhe Sampdoria, Antonio Cassano, është tërhequr përfundimisht nga futbolli këtë vit. Duke folur për “Il Secolo XIX”, Cassano ka thënë se skuadrat italiane nuk janë të mira aq sa duhet për të përvetësuar stilin e lojës të skuadrave të Guardiola-s. Gjithashtu, ai ka shtuar se Icardi nuk do të kishte luajtur dot për Inter-in në 1999-ën. Sulmuesi argjentinas është një nga golashënuesit më të mirë të Europës, por Cassano është i bindur se ai nuk do të kishte arritur të merrte vendin e Ronaldo-s dhe Vieri-t tek ai Inter.
“Në 1999-ën, për shembull, kur unë fillova të luaja si futbollist profesionist kishte lojtarë, si Pirlo, Cozza dhe Baronio te Reggina, një skuadër që luftonte për mbijetesë”, ka thënë ish-sulmuesi. Çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë? Gjithçka e ka një cikël. Në atë kohë kishte shumë numra 10 në futbollin italian, si Baggio, Totti, Del Piero dhe unë, plus që kishte edhe mbrojtës shumë të mirë”.
“Në 2006-ën fituam Kupën e Botës duke luajtur me topa të gjatë drejt Luca Toni-t. Tani mbizotëron filozofia e Guardiola-s, por ka vetëm një Guardiola në botë. Futbolli italian nuk ka cilësinë e duhur për të luajtur në atë mënyrë. Nëse Icardi do të kishte qenë tek Inter në atë kohë, a do të kishte luajtur para Vieri-t dhe Ronaldo-s?”, ka përfunduar Cassano.
