Futboll Shqipëri Sport

Gjonaj vendos ndeshjen/ Laçi mbetet i pamposhtur dhe i bashkohet kreut 

Laçi mbetet skuadra e vetme në Superiore, pa asnjë humbje, deri më tani, në këtë kampionat. Me 13 pikë, pas fitores minimale të sotme ndaj Flamurtarit, në kuadrin e javës së 7-të, skuadra e Artan Mergjyshit i bashkohet kreut, me 13 pikë. Vlen të përmendet fusha e stadiumit kurbinas, në kushte aspak të mira, teksa ngjyra e gjelbër thuajse nuk ekziston më në të. Tapetit duket se i ka mbaruar “afati i skadencës”, ndaj nga e premtja nis mbjellja e barit të ri në të dhe përkujdesje të tjera specifike.

Ndeshja nis më kërkuese për vendësit. Flamurtari ka shumë “muskuj” në mesfushë, ku synon të thyejë kundërshtarin dhe të dalë shpejt në kundërsulm. Në minutën e 15-të, Laçi ekzekuton këndoren e parë të ndeshjes. Gjoni godet lehtë, nga afër portës vlonjate, por pret në pozicion Koliçi. Pas tri minutash, krosimi nga e djathta e sulmit mik për qendërsulmuesin Bushic është i përpiktë, por dalja e Selmanit eviton rrezikun serioz. Devijim i topit nga portieri bardhezi dhe vjen këndorja e parë për kuqezinjtë.

Shtubina është në majën e sulmit kurbinas, ndaj të gjithë topat adresohen për te shkodrani. Prapavija mike tregohet e kujdesshme, duke mbrojtur që në vijën e bardhë të 16-metrave. Minuta e 25-të: Shtubina fare pranë golit. Goditja e tij në kthesë e sipër, afër pikës së penalltisë, kalon ngjitur me traun e portës së Kolicit. Minuta e 33-të: Idi Batha tenton me roveshiatë të befasojë vendësit, por topi nuk ka “kolaudimin” e duhur.

Pjesa e parë mbyllet me një rast të artë për vendësit. Shtubina, as dy metra larg portës vlonjate, shfrytëzon mosmarrëveshjen e mbrojtjes dhe portierit kundërshtar, godet fort, por topi ndalet në shtyllë. E pafalshme çfarë humbet shkodrani. Pjesa e parë mbyllet pa gola, por me epërsi në lojë dhe raste të Laçit. Fraksioni i dytë nis me një tjetër mundësi të vendësve. Najdenov zbulohet mirë nga mbrojtja vlonjate dhe godet në pozicion ballor me Koliçin, por ky i fundit pret.

 

Kurbinasit e spostojnë lojën përpara, duke e detyruar Flamurtarin të ngjeshet në gjysmëfushën e vet. Megjithatë, skuadra e Dajës nuk heziton që me pak pasime të synojë topin për te Bushic, i cili angazhon gjithë kohës dy mbrojtës vendës. Goditjet nga këndi të Laçit shpeshtohen, duke dëshmuar presionin në rritje. Dhe goli nuk mund të mungonte, teksa në minutën e 59-të, Gjoni dërgon në rrjetë topin e ardhur nga goditja e dënimit. Skemë e bardhezinjve, që zë në befasi miqtë.

Reagon menjëherë Ilir Daja, duke hedhur në fushë një sulmues, si Andi Ribaj. Ndeshja e parë e fierakut me Flamurtarin në këtë sezon. Bushic gabon në dërgimin e topit drejt rrjetës, në minutën e 63-të, pasi ka dribluar edhe portierin Selmani. Vetëm rrjetë e jashtme. Edhe “predhës” së Bathës nga distanca, portieri bardhezi i thotë “jo”, duke e grushtuar topin në trekëndësh. Nga minuta e 71-të, Flamurtari ka në sulm edhe Danilo Alves. Një kartë tjetër e Dajës për të evituar humbjen në këtë transfertë.

Andi Ribaj, në minutën e 75-të, del i vetëm me portierin Selmani, godet fort, por jashtë kuadratit. E pabesueshme çfarë rasti shpërdoron për të barazuar. Presioni vlonjat rritet, Laçi gjendet në vështirësi, por mungon goli për miqtë. Minutat kalojnë dhe në fuqi mbetet “rrjeta” e Gjonajt, e cila shton tri pikët të tjera të çmuara në llogarinë e skuadrës së Mergjyshit, që tashmë e sheh veten në kuotën e 13 pikëve, aq sa kanë për momentin edhe dy kryesuesit, Kukësi me Partizanin.

 

Related posts

Donis Avdijaj shënon gol të bukur në Holandë

Q.Autor

KORONAVIRUSI IU PRISH PLANET/ Ndërlikohet rinovimi PSG-Mbappe, ja skenarët

Delo.autor

PSG ka në plan të shesë lojtarin më të mirë në botë, 3 ekipe italiane në garë

Isa.Autor

Leave a Comment