Futboll Shqipëri Sport

KUKËSI cinik mposht dhe LAÇIN/ Rexhinaldo bën “paqe” me trajnerin Cungu

Kukësi shfaqet sërish cinik! Ekipi i Cungut fitoi me rezultatin 0-1 kundër Laçit. Ekipi verilindor i falet golit të William që vlen 3 pikë. Takimi ishte i ekuilibruar dhe ritmi ishte i kënaqshëm. Të dy skuadrat u treguan agresive dhe me shpirt të lartë gare. Në fund, diferencat i bënë kualitetet, pasi pasimi i Chafik dhe qetësia e brazilianit për të përcjellë topin në rrjetë ishin për t’u duartrokitur.

Pjesa e parë mes të dy skuadrave ka qenë më e vakët. 45-minutat e para kanë qenë shumë të luftuara në mesin e fushës me lojtarët e të dy kampeve që janë munduar të shohin drejt portave respektive. Verilindorët ishin disi më superior në % e topit, por kurbinasit ishin më të rrezikshëm. Të dy trajnerët kishin rreshtuar ekipet në mënyrën e duhur dhe nuk donin të rrezikonin shumë. Frashëri dhe Selmani nuk kishin shumë punë, pasi futbollistët tentuan të befasonin nga largësia, por nuk ishin të saktë.

Pjesa e dytë ndryshoi dhe ritmin e lojës. Kukësi mori në zotërim fushën e lojës dhe u mundua të shihte më shumë drejt portës së Laçit. Verilindorët arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 59′. Chafik vertikalizon mjaft bukur nga mesi i fushës për William. Top fantastik nga mesfushori francez që shtang mbrojtjen e kurbinasve me sferën e futur pas shpinës së tyre. Kontroll mjaft i topit nga lojtari brazilian që i vetëm përballë Selmanit nuk gabon.

Minutat e mbetura kthehen në një “luftë” të vërtetë, pasi kurbinasit u munduan të barazojnë, ndërsa verilindorët të gjenin golin e qetësisë. Minutat e mbetura u karakterizuan me duele të forta në fushë. Në minutën e 85′, Shameti u largua i dëmtuar nga fusha duke i lënë vendin Harallamb Qaqit. Një shqetësim më tepër për numrin një të stolit. Kukësi me këtë fitore shkon në kuotën e 19 pikëve dhe “blindon” vendin e tretë duke iu shkëputur Laçit. Kurbinasit marrin humbjen e dytë radhazi dhe mbeten në vendin e 4-t, 1 pikë më shumë se Flamurtari dhe Teuta. Kukësi tani e ka mendjen te ndeshja e “Selman Stërmasi” ku do të përplasen mes tyre, Partizani kundër Skënderbeut.

Related posts

TONI CROOS KËRKON LARGIMIN NGA REAL MADRIDI/ Ja cili është ekipi që dëshiron të luajë ylli gjerman

Delo.autor

MANCINI I KRAHASOI UELLSIANËT ME STOKE CITY/ Gareth Bale ironizon: Kurrë nuk e kam ditur që…

Delo.autor

Man City i ‘prish’ punë Barcelonës për Griezmannin

Q.Autor

Leave a Comment