Futboll Seria A Sport

RREZIKON BURGUN/ RONALDO tepër i madh për t’u RRËZUAR, por “shfaqja” sapo ka nisur

Kampionatet nëpër Europë janë ndalur për t’i lënë hapësirë kompeticionit të ri Uefa Nations League dhe është e vështirë të mos joshesh disi nga shkëlqimi i ndeshjeve ndërkombëtare, që të kujtojnë sadopak Kupën e Botës. Nations League është kritikuar mbi të gjitha për faktin se është diçka e ndërlikuar, që pakkush e kupton si funksionon dhe pse nevojitet, por ndeshjet si Holandë-Gjermani apo Spanjë-Angli nuk e humbasin kurrë madhështinë e vet.

Në gjithë këtë spektakël mungon një personazh shumë i rëndësishëm. Cristiano Ronaldo nuk ishte pjesë e Portugalisë në ndeshjen e fituar në Poloni dhe nuk do të jetë as të dielën, në miqësoren kundër Skocisë. Zyrtarisht Ronaldo është lënë pushim, jozyrtarisht ai po përgatit mbrojtjen, publike dhe ligjore, ndaj akuzave për përdhunim.

Ronaldo mohon prerë që të ketë ndodhur ndonjë gjë kundër dëshirës 8 vite më parë në Las Vegas, ndërsa që kur Der Spiegel publikoi lajmin me denoncimin bërë nga Kathryn Mayorga në vitin 2009, kjo ka qenë historia më e madhe e sportit, që mund ose mund të mos jetë një histori sporti në fund të fundit: është diçka që kërkon një analizë të ndërlikuar, që përfshin politikat seksuale, miratimin dhe ligjin, lëvizjen për të ndryshuar këtë dinamikë një herë e mirë.

Nëse Der Spiegel është protagonist absolut në këtë histori, duke publikuar gjithçka, gazeta të ndryshme anembanë Europës janë më të përmbajtur dhe nuk kanë plasur gjithçka në faqen e parë, duke pritur të shohin çfarë do të ndodhë në vazhdim. Një hetim është duke u zhvilluar dhe Ronaldo është i pafajshëm, derisa procesi përkatës të vendosë të kundërtën. Është thelbësore që ky princip të respektohet, në një kohë ku manipulimi i së vërtetës është një lojë e përditshme.

Kjo ishte përgjigja e thjeshtë pse historia e Ronaldos nuk është në faqet e para të gjithë gazetave botërore, përditë. Përgjigja më e ndërlikuar është se gazetarët, ashtu si njerëzit e thjeshtë, janë të dashuruar me këto figura të mëdha të sportit dhe Ronaldo është një ndër personazhet absolutisht më të rëndësishëm për mediat.

Kur ndodhi historia për të cilën akuzohet Ronaldo, portugezi po festonte transferimin te Reali, transferimi më i bujshëm në historinë e futbollit, që do të fuste në xhepat e Ronaldos rreth 500 milionë euro në vazhdim, duke i dhënë start një rivaliteti të pabesueshëm me Messi-n, rivalitet që përcaktoi një epokë, ndërsa imazhi i Ronaldos është stampuar përjetësisht në mendjen e çdo futbolldashësi.

Për këtë arsye, akuza që buron nga viti 2009 duket sikur nuk ka lidhje me futbollin. Askush nuk e di çfarë ka ndodhur në Las Vegas, përveç protagonistëve të historisë, ndaj është e kotë të jepet një gjykim.

Ajo që bën përshtypje janë reagimet e perandorisë Ronaldo, zhurmës së bërë për të mohuar gjithçka, që ngjan si një lloj disfate, një pranim faji dhe një shëmti më vete. Krejt papritur gjithçka u kthye në histori sporti, kur Ronaldo përgënjeshtroi gjithçka nëpërmjet makinerisë gjigante të rrjeteve sociale. Der Spiegel thotë se ka dokumente ku Ronaldo pranon se Mayorga thoshte “jo” dhe “stop” gjatë aktit seksual, çka është një provë e mungesës së miratimit nga ana e femrës akuzuese. Të mërkurën avokatët e Ronaldos thanë se “piratë interneti” i kishin vjedhur këto deklarata dhe i kishin deformuar; Der Spiegel u përgjigj se nuk kishte arsye pse të besonte se dokumentet nuk ishin origjinale.

 

Ajo që është e pahijshme dhe e panevojshme është toni i përdorur, amplifikuar si papagallë nga mediat në Itali, me idenë e krijuar se femra akuzuese është treguar mizore dhe se meriton të demaskohet. Në fakt, përdhunimi është një krim që nuk denoncohet sa duhet. Për viktimat femra thjesht nisja e një procesi është një eksperiencë poshtëruese e tmerrshme. Arsyeja është e qartë, shihni çfarë po ndodh me adhuruesit fanatikë të Ronaldos, që i janë vërsulur me të gjitha epitetet dhe ofendimet e mundshme femrës protagoniste në këtë histori të shëmtuar.

Historia u bë edhe më shumë futbollistike kur Reali mohoi me zemërim të ishte në dijeni për marrëveshjen e Ronaldos me Mayorga-n për të firmosur një kontratë ku femra akuzuese zotohej se nuk do të fliste, kundrejt pagesës. Edhe Juventusi, një ndër institucionet sportive më të mëdha në Europë, doli me një deklaratë absurde dhe qesharake, duke shkruar se “ngjarjet që mund të kenë ndodhur 10 vite më parë nuk errësojnë profesionalizmin e një kampioni të madh”. Natyrisht, Juventusi ka vendosur një bast të rrezikshëm, duke shpenzuar disa qindra milionë euro për Ronaldon, me synimin për t’u ngjitur në majën e listës së klubeve më të pasur dhe më të kërkuar në aspektin komercial. Futbolli i mbron investimet e tij dhe, të paktën për momentin, Ronaldo është tepër i madh për t’u rrëzuar.

Ajo që ka më shumë gjasa që të ndodhë është se gjithë kjo histori sapo ka nisur dhe fundi duket larg. Rëndësi ka që tani e tutje të gjykojmë vetëm bazuar mbi fakte, të shohim ku pjesëzat e mozaikut mungojnë dhe nëse rrethanat e diktojnë, të jemi gati që të lejojmë të shpërthejë zjarri.

Related posts

U AKTIVIZUA NË DY ROLE TË NDRYSHME NË MESFUSHË/ De Jong është “vitamina” e Barcelonës, ja statistikat pozitive

Delo.autor

KËRKOHET NGA SHUMË KLUBE TË MËDHA/ Haaland i vë kushte Barcelonës, vjen në “Camp Nou” vetëm nëse…

Delo.autor

Ja pse Mandzukic i tha jo Manchester United

Isa.Autor

Leave a Comment