Futboll Shqipëri Sport

“FURIN BLU” nuk e ndal as Luftëtari/ Teuta në podiumin për në Europë

Teuta ka triumfuar në shtëpi ndaj Luftëtarit me rezultatin 1-0 dhe ngjitet në treshen e podiumit që i drejtohet Europës. Ka mjaftuar goli i Kallakut që në minutën e 3’ të takimit, që durrësakët të hipotekojnë 3 pikë mjaft të vlefshme në rrugëtimin e rëndësishëm dhe mjaft pozitiv të këtij sezoni nën drejtimin e trajnerit Bedi Shëkmbi, me plot shtatë ndeshje që nga disfata e fundit e pësuar përballë Partizanit kryesues, që tashmë ndodhet vetëm 6 pikë larg. Nga ana tjetër, skuadra e Luftëtarit nuk ka mundur dot të mbajë ritmin pozitiv të dy javëve të fundit, duke u dorëzuar në “Niko Dovana”, për të qenë sërish në zonën e nxehtë të ekipeve që do të luftojnë deri në momentin e fundit, për mbijetesë.

Superioriteti në statistika i Teutës u shoqërua me dominimin e durrësakëve në fushën e lojës që në fillimin e takimit. Kështu kur luhej minuta e tretë e ndeshjes, Teuta ka kaluar në avantazh pas një aksioni të rrjedhshëm, me Osmanin që ka bërë rolin e asistuesit perfekt për Kallakun, që me të njëjtin perfeksion ka goditur nga jashtë zone, për të dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Ruçi. Ndonëse në epërsi, vendasit kanë vijuar të kërkojnë golin e dytë, por pa saktësinë e duhur në finalizim.

Të tilla ishin dy rastet më flagrante dhe të rrezikshme në zonën e gjirokastritëve, të regjistruara në minutën e 48’ kur Kamara, i vetëm dhe shumë pranë portës ndalet në momentin e fundit nga portieri i Luftëtarit, që bën të njëjtën magji edhe në të 65’ kur ka neutralizuar tentativën e bukur të Prognit nga goditja e dënimit. Nga ana e miqëve, rasti i regjistruar në të 25’ ishte më flagranti që gjirkastritët të barazonin shifrat, kur Rapo në duel me Hidin, ka dërguar topin mbi traversë, pavarësisht se në përfundim të aksionit arbitri ka sinjalizuar edhe për pozicion të parregullt. Në fakt gjirokastritët kanë ushtruar presionin maksimal në 20’ minutat e fundit të takimit, duke u spostuar thuajse tërësisht në gjysmëfushën durrësake, por pa mundur të kërcënojnë mjaftueshëm portën e Teutës, e cila ka qëndruar e paprekur deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.

Related posts

NGA ANËT E ERRËTA TEK RRALIZMI I ËNDËRRS/ Mesfushori Depay tregon për transferimin tek Barcelona

Delo.autor

E BUJSHME/ Federata Skoceze paralajmëron kombëtaren e saj ç’e pret në Shqipëri

Isa.Autor

LA FUTBOLLIN PËR MUZIKËN/ Ish-futbollisti i njohur: Po çmendesha, nuk isha një…

Isa.Autor

Leave a Comment