Futboll La Liga Sport

ANALIZA/ Ja pse MESSI udhëtoi drejt Milanos, por nuk luajti kundër INTERIT

Të dielën e kaluar, trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde mori vendimin, pasi ra dakord me lojtarin. Leo Messi do të udhëtonte për në Milano, të hënën, për të qenë pjesë e ekspeditës Blaugrana në “San Siro”. Në atë kohë, pavarësisht disa raporteve që pretendonin me siguri absolute se ai do të luante disa minuta si zëvendësues, trajneri dhe vetë lojtari ishin të vetëdijshëm se shanset për këtë ishin të pakta. Për asnjërin te Barcelona, qëllimi kryesor i udhëtimit të tij me skuadrën në transfertën milaneze nuk ishte ky.

Atëherë, përse udhëtoi Messi për në Milano, por nuk luajti? Në thelb, sepse ai donte t’i mbështeste shokët e tij, të ushtronte rolin e tij si kapiten dhe ta bënte të qartë se këtë vit, fitimi i Ligës së Kampionëve është objektivi numër një. Ky ishte qëllimi i udhëtimit të tij bashkë me skuadrën, një veprim më shumë simbolik se sportiv, më frikësues për kundërshtarin se efektiv.

Messi në Milano do ta kushtëzonte ndeshjen dhe Interin logjikisht e paraprakisht, sepse zikaltrit do të kishin mëdyshjet e veta. Kjo, për shkakun se asnjë ndeshje nuk mund të jetë e barabartë me Messin dhe pa të, kur bëhet fjalë për Barcelonën. Kjo mëdyshje ekzistoi deri në fund të seancës stërvitore të pasdites së hënë, në të cilën mori pjesë edhe Messi.

Aty është konfirmuar, me marrëveshje të përbashkët mes Valverde dhe Messit, se duhej të tregoheshin të kujdesshëm, të mos rrezikonin me riaftësimin e parashikuar 3-javor. Pra, kjo periudhë e caktuar nga mjekët duhej respektuar. Valverde, duke pasur parasysh ndeshjen në Milano, pavarësisht rëndësisë së saj, mori në konsideratë diferencën e pikëve me ndjekësit më të afërt në grup.

Burimet e katanalases “Sport” thanë se Messi u stërvit shumë lehtë në Milano, pa iu nënshtruar ngarkesave fizike të shokëve të skuadrës. Ai nuk është riaftësuar plotësisht. Në fakt, Messi ende nuk e ka lejen e stafit mjekësor për të luajtur dhe nuk ka ngut për ta shkurtuar kohën e kthimit të tij.

Në klub tashmë e dinë, me pak fjalë, se Messi ka mësuar të jetë i durueshëm dhe në pjekurinë e tij të plotë është i vetëdijshëm se duhet të veprojë me inteligjencë, të jetë në gjendje të dëgjojë trupin e vet dhe të mendojë në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Kjo, edhe për shkak se këtë vit, qëllimi i Messit, Barcelonës dhe të gjithë katalanasve është fitimi i Champions-it dhe kompensimi i goditjes së rëndë të sezonit të kaluar, të cilën e morën në Romë, që ende djeg…

 

Related posts

LIVE/ Skënderbeu-Flamurtari, Nisje e mirë për korçarët. Krasniqi kërkon 11-metërsh

Delo.autor

“MEZI PO PRES TË TAKOHEMI NË HOTEL”/ Zbulohet tradhtia e Mesfushorit të Manchester Cityt

Delo.autor

FRYMËZOHET NGA SERGIO RAMOS/ Mbrojtësi Bastoni: Kam folur me të kur luajtëm kundër Real Madridit dhe…

Delo.autor

Leave a Comment