Futboll Kombëtarja Sport

LEGJONARËT/ Vrioni e Kaçe sërish vendimtarë, Qose vijon të mahnisi në Sllovaki

Në kërkim të dëshpëruar sulmuesish për kombëtaren, mund të buzëqeshim për Giacomo Vrionin, sepse rritja e sulmuesit kuqezi po ecën si duhet, pa sforcim, me minutazhin në rritje dhe me rol gjithnjë e më të rëndësishëm në sulmin e ekipit të tij, Venezia.

Djaloshi 20-vjeçar, i cili prej vjeshtës është bërë pjesë e kombëtares shqiptare, duke shënuar edhe ndaj Italisë në një përballje me U-21, duket se po shpërthen me trajnerin Walter Zenga, sepse ish-portieri i famshëm po i jep gjithnjë e më shumë hapësirë, që kur ka marrë drejtimin e klubit lagunar, para pak javësh.

Ashtu si në ndeshjen e fundit të kampionatit, kur dha asist kundër Cittadella-s, Vrioni ka shkëlqyer sërish sot, në fitoren 2-1 kundër Brescia-s.

Në minutën e 14-të Vrioni krijoi golin e shënuar nga Di Mariano, ndërsa prej minutës së 22-të Venezia luajti me 10 lojtarë dhe sulmuesi shqiptar pati ngarkesë të dyfishtë, sepse i duhej të ndihmonte edhe në aspektin mbrojtës.

Në minutën e 37-të një goditje dënimi për Venezia-n u devijua edhe nga Vrioni, para se Di Marino të shënonte golin e dytë personal.

63 minuta në fushë për Vrionin, pasi në fund Venezia duhej të mbrohej me të gjitha forcat dhe goli i shënuar nga Donaruma në shtesë nuk i vlejti Brescia-s, ku mungonte mesfushori ynë Ndoj, i dëmtuar që në ditët kur ishte i grumbulluar me kombëtares.

KAÇE – Pas golit në derbin e madh kundër Olympiakos-it askush nuk ia heq dot vendin në formacion Ergys Kaçes, i cili po ecën gjithnjë e më mirë te Panathinaikos. Sot skuadra nga Athina fitoi pa probleme 5-1 ndaj Smyrnis, duke dominuar totalisht, me sfidën e mbyllur që në pjesën e parë nga dy golat e italianit Macheda. Në rastin e golit të dytë pasimin final e dha Kaçe, i cili mori edhe një karton të verdhë në pjesën e dytë.

QOSE – Mesfushori 23-vjeçar nga Korça, Kristi Qose, është bërë tashmë një “sllovak” i vërtetë, sepse sezonin e shkuar u bë lojtar kyç te Ružomberok, aty ku po shkëlqen edhe këtë sezon dhe që tani ka vendosur rekordin personal, sepse ka shënuar 5 gola në kampionat, në vetëm 13 ndeshje. Sot Ružomberok barazoi 1-1 në fushën e Slovanit kryesues, duke marrë një pikë të çmuar, ndërsa golin e avantazhit të përkohshëm e shënoi pikërisht Qose, në fundin e pjesës së parë. Gjashtë gola këtë sezon, një rendiment i lartë dhe ndoshta që në janar është momenti që Qose të “gradohet” në ndonjë kampionat më cilësor, për të pretenduar edhe kombëtaren shqiptare, ku mungon që prej vitit 2015, kur ishte pjesë e kombëtares U-21.

BAKAJ – 78 minuta dhe asnjë gol sot për Elis Bakajn. Duket si një lajm i keq për sulmuesin shqiptar, por në të vërtetë ka qenë një tjetër paraqitje shumë e mirë e tij dhe i mungoi vetëm goli në fitoren 2-0 që Shakhtyor arriti në fushën e Smolevichy-STI. Ishte java e parafundit në kampionatin bjellorus dhe Shakhtyor Soligorsk ka mbrojtur vendin e dytë, ndërsa në 2 dhjetor me një fitore shtëpiake do të mbyllë sezonin në vendin e dytë, çka do të ishte një arritje e shkëlqyer, për klubin dhe Bakajn, autor i 8 golave me shumë peshë në kampionat.

Related posts

EMËROHET LEGJENDARI MENOTTI NË ARGJENTINË/ Maradona i lumtur: Kthehet personi që ndryshoi futbollin tonë (FOTO)

Delo.autor

ZBULON NJË HISTORI INTERESANTE/ Ish-ylli i Interit kujton: I thamë Zanettit se nëse je kapiten i vërtetë duhet të…

Delo.autor

Rummenigge: Ky është Bayern më dominues në histori, falenderoj Ancelottin

Q.Autor

Leave a Comment