Bundesliga Futboll Sport

MINIERIË TALENTESH/ Freiburg i Abrashit është kampioni i vërtetë gjerman!

Bundesliga gjermane kryesohet me meritë nga Borussia Dortmund, që ka 27 pikë pas 11 ndeshjesh dhe po luan një futboll të mrekullueshëm.

Megjithatë, kampioni i vërtetë gjerman quhet SC Freiburg! Kështu titullon sot Bild, që e lidh këtë përkufizim me faktin që Freiburg-u është ekipi më gjerman i Bundesligës.

Klubi ku luan Amir Abrashi këtë sezon është kthyer në thuajse 100% gjerman, sepse në 11 javët e para 94.9% e lojtarëve që kanë zbritur në fushë kanë qenë gjermanë. Në renditjen e Bundesligës, Bayern ka ekuilibër, ndërsa te Dortmundi vetëm 27% të minutave të këtij sezoni janë rezervuar për lojtarët gjermanë. Rekordi i përket Frankfurtit, me vetëm 21% të minutave për gjermanët, por në përgjithësi Bundesliga ka pasur ekuilibër, me 43% të minutave të këtij sezoni që janë rezervuar për lojtarët vendas.

Asnjë klub në Gjermani nuk i afrohet klubit të vogël nga jugperëndimi i Gjermanisë, edhe pse drejtori sportiv Jochen Saier deklaron: “Të jem i sinqertë, edhe ne jemi të shtangur nga këto shifra. Brenda klubit nuk kemi ndonjë strategji për të hedhur në fushë më shumë lojtarë gjermanë, thjesht ka ndodhur, pa plan. Ne shohim cilësinë e lojtarit, jo pasaportën, ndërsa faktori që ndoshta ndikon në këtë tendencë është gjuha, ne preferojmë lojtarë që flasin gjermanisht”.

Këtë verë Freiburg u përforcua me 6 lojtarë, ndërsa tre prej tyre janë gjermanë. Turku Caglar Söyüncü është shembulli më i qartë si punojnë te Freiburg, sepse u ble për më pak se tre milionë euro dhe këtë verë u shit për 21 milionë te Leicester në Angli.

Aktualisht Freiburg ka vetëm 8 legjionarë në 29 lojtarë që ka skuadra. Reputacioni i Freiburg-ut në Gjermani është i shkëlqyer, kur bëhet fjalë për rritjen e talenteve, sepse emra si Philipp (BVB), Ginter (Gladbach) apo Grifo (Hoffenheim) janë rritur në Freiburg.

Trajneri Christian Streich shpjegon: “Kemi plot talente në Gjermani, thjesht duhet të tregohemi të zotët për t’i zbuluar dhe për t’i rritur si duhet. Identifikimi është shumë i rëndësishëm, njerëzit janë shumë të lumtur kur djem të rritur në shkollat tona të futbollit ia dalin mbanë të luajnë në ekipet e para, por duhet guxim dhe pjekuri, për t’i hedhur në fushë kur të jenë gati”.

Christian Günter (25), Alexander Schwolow (26) e Nicolas Höfler (28) janë tre lojtarët e formacionit që janë rritur në Freiburg, ndërsa drejtori sportiv Jochen Saier thotë: “Të huajt janë gjithashtu në fokusin tonë, por jemi shumë të kujdesshëm për t’i ndihmuar të përshtaten shpejt. Ata duhet të ndihen rehat, por duhet të mësojnë gjuhën dhe të bëhen pjesë e kulturës sonë. Një orë mësim gjuhe në javë nuk mjafton. Për integrimin e Söyüncü punuam shumë, një person i besuar i qëndronte pranë çdo ditë, duke i mësuar gjuhën dhe zakonet gjermane, duke e shoqëruar kudo nëpër qytet, edhe në supermarket”.

Këtë sezon 5 nga lojtarët e huaj nuk kanë debutuar ende, por Amir Abrashi ka munguar për dëmtimin e rëndë pësuar muaj më parë. Mesfushori i kombëtares sonë është një ndër lojtarët më të moshuar në ekip, edhe pse vetëm 28 vjeç, dhe është mjaft i respektuar në skuadër e në klub.

Related posts

WATFORD-MANCHESTER UNITED/ Vendasit të papërmbajtshëm, Sarr ndëshkon “Djajtë Kuq” (VIDEO)

Delo.autor

POLEMIKAT PËR LARGIMIN E “PLESHTIT”/ Barcelona e ka ndarë mendjen për Messin, ja vendimi për të ardhmen

Delo.autor

CHAMPIONS/ Icardi zhbllokon sfidën dhe konfirmon formën perfekte (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment