Futboll Shqipëri Sport

SUPERSFIDA/ Kukësi “harron” të fitojë, durrsakët ruajnë vendin e tretë

U luajt sot në “Selman Stermasi”, prej orës 14:00, ndeshja përmbyllëse e javës së 13-të të Superiores. Kukësi dhe Teuta “përplasën brirët” dhe barazuan 1-1 para një numri jo të konsiderueshëm tifozësh, por edhe drejtuesish të klubeve të tjera. Binte në sy prania e Skënder Gegës dhe Olsi Ramës nga Partizani, e Mirel Josës nga Prishtina, e dy presidentëve respektivë, por edhe e Christian Panuccit, trajnerit të kombëtares kuqezi. Nënkampionët vuajtën, mes të tjerash, mungesën e Uilliam Kordeiro, me kartonë, ndërsa për të njëjtën arsye nuk luan dot te durrsakët as Ditmar Bicaj.

Kjo ishte ndeshja e tretë radhazi e nënkampionëve pa fitore, një ecuri që duket se ka irrituar jo pak presidentin Safet Gjici.

Ndeshja nis e ndezur, me sulme të dyanshme. Që në minutën e 2-të vjen rreziku i parë në portën kuksiane. Krosimi nga jashtë zone gjen në pozicion të mirë Prognin, i cili gjuan menjëherë, por pa shënjestrën e duhur.

Në minutën e 7-të është sërish Teuta, që vë në vështirësi verilindorët. Shkalla godet me kokë topin e adresuar tek ai nga goditja e lirë, por jashtë kuadratit të Frashërit.

Katër minuta më vonë është Donjet Shkodra, që kërkon të bëjë me dije se edhe Kukësi “është gjallë”. Godet fort nga jashtë zonës durrsake, por në mënyrë të gabuar.

Në minutën e 14-të, krosimi nga këndorja shkakton rrëmujë në zonën e bregdetarëve. Fillimisht godet Shameti, por topi ndesh në trupin e mbrojtësve durrsakë, teksa Gjeorgjievski e largon përfundimisht “sferën” nga vija fatale. Drithërima për Shkëmbin dhe të tijtë.

Në minutën e 27-të, Teuta merr një goditje të konsiderueshme. Sulmuesi i saj kryesor, Latif, dëmtohet në në kavilje dhe nuk mund të vazhdojë më tej. Vendin e tij e zë i riu shkodran, Vecaj. Tri minuta më pas zhbllokohet rezultati. Goditje dënimi mbi vijën e 16-metrave për “djemtë e detit”. Topi kalon tokazi murin kuksian, i prekur prej tij dhe me shpejtësi të ndaluar tashmë, ndërsa devijohet nga Kamara, duke përfunduar në rrjetë.

Në minutën e 34-t, Rexhinaldo shënon në portën e Hidit, por anulohet gjithçka nga anësori. Ai mendon se sulmuesi i Kukësit është në pozicion jashtë loje. Moment mjaft i dyshimtë. Pamjet televizive tregojnë për pozicion të rregullt të Rexhinaldos në momentin e marrjes së topit.

Kukësi mundohet të reagojë, shton aksionet nga krahët, duke u munduar të vërë në pozitë shënimi Rexhinaldon, por sulmuesi në fjalë ndodhet në “darën” e së paku dy mbrojtësve kundërshtarë gjatë gjithë kohës. Interesant është fakti se nuk ka tërheqje të Teutës, pas avantazhit. Ajo mbron lart, duke populluar mesfushën dhe thyer që aty manovrat ofensive të bluve të Cungut. Spikat dëshira e madhe te këta të fundit për të rikthyer ekuilibrin rezultativ, por jo qartësia që nevojitet për të shkuar te goli. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0.

Kukësi rikthehet me “mendje të mbledhur” në fushë për 45 minutat e dyta. Menjëherë nis ofensivën drejt portës durrsake, teksa në minutën e 49-të, pas një goditjeje dënimi, Rexhinaldo zhytet me kokë, duke iu vjedhur prapavijës kundërshtare, dhe mposht Hidin. Ndeshja barazohet 1-1.

Në minutën e 55-të, inkursioni i Shkodrës frenohet në mënyrë të parregullt, thuajse mbi vijën e zonës së 16-metërshit të Teutës. Goditjen e lirë e ekzekuton vetë mesfushori, por nuk sjell rrezik në portën e Hidit.

Ndeshja bëhet më e hapur, sepse të dyja skuadrat vihen në kërkim të golit të epërsisë. Ka dyluftime të ashpra në mjaft raste, çka shoqërohet me ndalesa të lojës. Kukësi ka iniciativën, e qarkullon topin më dendur, alternon aksionet në të dy krahët, duke u munduar gjejë hapësira dhe të infiltrojë topin te Rexhinaldo. Në minutën e 60-të ndodh një gjë e tillë, por autori i golit të barazimit, i gjendur te pika e penalltisë, godet shumë gabim, mbi traun e portës së Hidit. Rast ideal për dyfishim të shifrave. Duke parë avancimin e verilindorëve, trajneri Bledi Shkëmbi vendos të ndërhyjë. Në minutën e 62-të hedh në fushë Gashin për Avdylin, me synim për të freskuar disi mesfushën. Kundërpërgjigjet Cungu, duke shtuar shtalartësinë te të tijtë me aktivizimin e Qaqit në vend të Zguros.
Minuta e 73-të është disi e diskutueshme. Kamara driblon dy kundërshtarë, por mbi vijën e 16-metërshit rrëzohet nga sparkata e Shametit. Ka pretendime për goditje dënimi, por kryesori Kridens Meta vazhdon lojën. Në të njëjtën pozitë gjendet edhe Progni disa minuta më pas, por kësaj radhe Shameti ndëshkohet me karton të verdhë dhe faull kundra. Minutat e mbetura luhen për gjithçka. Nis të aplikohet edhe pasimi i gjatë nga durrsakët , duke qenë se lodhja fizike ka nisur të ndihet. Me qëllim freskimin e skuadrës bëhen edhe zëvendësimet e tjera, në minutën e 78-të: Tiguardoja-Kalaja dhe Ethemi-Cyrbja. Kukësi mbetet këmbëngulës deri në fund, por pa e gjetur dot golin e fitores. Atë ia mohoi Isli Hidi, me një superpritje të minutës së katërt shtesë, duke i thënë “jo” predhës së Shkodrës. Mbyllet gjithçka në barazpeshë, 1-1.

Pas këtij barazimi mjaft të luftuar, “djemtë e detit” ruajnë vendin e tretë, me 22 pikë, aq sa ka edhe Laçi, ndërsa kuksianët pozicionohen të pestët në klasifikimin aktual, me 21 pikë. Tashmë për skuadrat ka pushim, frymëmarrje, sepse skena do të jetë për kombëtaren kuqezi, e cila do të luajë ndeshjet me Skocinë dhe Uellsin.

Related posts

SITUATË E RËNDË PËR LEGJENDËN PELE! Prej 6 ditësh i shtruar në spital

F.autor

“KËTIJ EKIPI ME KORONA, FUTI…”/ Ultrasit e Tiranës thumbojnë keq Partizanin para derbit (FOTOLAJM)

Delo.autor

SKËNDERBEU MERR DHURATËN E PAPRITUR/ Mbushet arka e korcarëve

Isa.Autor

Leave a Comment