Futboll Shqipëri Sport

TEUTA PËRMBYS TIRANËN/ Bardheblutë nuk shërohen as nga “ilaçi” MEMA

Ndeshja ka filluar me 14 minuta vonesë, për shkak të një banderole të “Tirona Fanatics”, që kontestonte presidentin e bardhebluve, Refik Halili. Duhej të ndërhynte policia, që ajo të mblidhej në duar nga tifozët kryeqytetas, të cilët në shenjë proteste janë larguar fare edhe nga stadiumi. Luhej në “Tofik Jashari” të Shijakut, për shkak se tapeti i stadiumit të Durrësit është në rikonstruksion të plotë.

Në minutën e pestë të lojës vjen rreziku i parë i ndeshjes. Sidibe, në pozicion ballor me portën e Ilion Likës, godet fort, por jo saktë. Durrsakët mundohen të jenë më kërkues, ngulmojnë me aksionet e tyre, por thyhen në zonën e 16-metrave të bardhebluve. Tirana duket e përforcuar në prapavijë, ndërsa ka si orientim daljen e shpejtë, me pasime nga krahët, për të shfrytëzuar kundërsulmin.

Në minutën e 13-të vjen këndorja e parë, në favor të Teutës. Hoxhallari eviton një rrezik serioz të bregdetarëve. Të dyja skuadrat kanë paqartësi në organizimin e lojës, ku bien në sy pasimet jo të sakta. Greca, në minutën e 16-të, tenton një parabolë sipër portierit durrsak, duke kërkuar më të vështirën dhe humbur një mundësi të mirë

Tri minuta më pas, Avdyli godet bukur nga goditja e dënimit, ndërsa prekja me majat e gishtave e Likës eviton golin e sigurtë për “djemtë e detit”. Imami lëshon një predhë të vërtetë në minutën e 22-të, por grushton në vështirësi Hidi. Tri minuta më vonë, Edon Hasani i merr kohën portierit Hidi, e godet keq topin, pas asistit të Sentamu, dhe humbet rast ideal. Por, nga goditja e këndit, në minutën e 27-të, Tirana zhbllokon shifrat. Shkalla e devijon paksa topin në rrjetën e tij, pas krosimit direkt të Hasanit.

Minutat e mëtejshme të pjesës së parë janë disi konfuze, me dëshirë për të reaguar nga durrsakët, por Tirana mbron mirë dhe lart, mbi vijën e 16-metrave. Sentamu dhe Greca vënë në vështirësi prapavijën e Teutës me shpejtësinë e tyre, mund të kishin dyfishuar, por gabojnë në goditje.

Pjesa e dytë nis me një zëvendësim te durrsakët. Camarra i mer vendin Avdylit. Trajneri Shkëmbi kërkon të korigjojë diçka në mesfushë, sidomos nga krahët. Ka lëvizje taktike te bregdetarët, që tashmë luajnë me modulin 3-4-3, duke tentuar të shtyjnë sa më përpara. Bardheblutë janë më të zhdërvjellët, sidomos në qarkullimin e topit dhe pasimet e sakta, duke amortizuar në maksimum tendosjen e kundërshtarit, që bën gjithçka për të dalë nga disavantazhi.

Në minutën e 58-të, Kobina lëshon një silur nga distanca, por pa shënjestrën e duhur. Faullat shpeshtohen, me durrsakët që kërkojnë t’i zgjidhin gjërat me dëshpërim, por pa qartësi. Kjo gjë, bashkë me vonesat e lojës, iu shkon për shtat kryeqytetasve, që në planin taktik janë superiorë, duke administruar epërsinë me pjekuri. Terreni fillon e rëndohet, ndaj rrugëdalje për lojtarët janë pasimet e gjata dhe topat e lartë. Mema i orienton të tijtë të mbrojnë lart, duke e mbajtur portën e Likës të paarritshme për Teutën.

Por kjo ndodh deri në minutën e 71-të, kur Bicaj shfrytëzon lëmshin në zonën bardheblu, duke barazuar, pas një krosimi të lartë nga goditja standarte. Nuk vonon shumë dhe brenda dy minitave, është sërish mbrojtësi lezhjan i Teutës, që shënon sërish. Përmbys gjithçka në dy minuta skuadra durrsake. Tirana nuk u beson syve, që më herët ka shpërdoruar një mundësi të artë me Kobina, kur mund ta kishte dërguar rezultatin në 2-0. Përmbushet ligji i pashkruar në futboll: po nuk shënove, do ta pësosh. Minutat kalojnë dhe rezultati nuk ndryshon. Shkëmbi mund Memën, me këtë të fundit ende në kërkim të suksesit të parë si trajner i 24 herë kampionëve të vendit.

 

Related posts

Conte: Wenger është një nga trajnerët më të mirë në botë

Sadik.Autor

PUBLIKOHET KALENDARI/ Kategoria Superiore rikthehet më 8 janar, ja të gjitha sfidat dhe oraret…

Delo.autor

Në Barcelonë janë të sigurt: Griezmann lojtar i katalanasve

Sadik.Autor

Leave a Comment