Futboll Seria A Sport

BEFASON ICARDI/ Jetoj për GOLIN, ju tregoj raportet me Wanda NARËN, e kam si…

Ka një ide bazike dhe përcaktuese për lojën e futbollit. Mauro Ikardi e nis nga roli i tij dhe nga detyrat në fushë, në intervistën për “Corriere dello Sport”:

“Sulmuesi duhet të shënojë, mesfushori të ndërtojë, mbrojtësi të mbrojë e portieri të presë”. Pikë. Dhe nuk ka pasur, e kurrë nuk do ketë, një Spaleti, Mançini, Pioli, De Bur, Maxarri apo Stramaçoni që t’i ndryshojë mendim. Numri 9 ka vetëm një “zanat”, atë të bomberit.

mauro ikardi

Duke qëndruar te golat: Romës i ka shënuar 4 në 5 ndeshjet e fundit (plus një asist) përpara sfidës së sotme. “Në këtë sport goli është thelbësor, mjafton qoftë edhe një më shumë se kundërshtari. Flitet, fatkeqësisht, për pjesëmarrjen time në lojën e skuadrës, që shihet e dobët, pra e pamjaftueshme, por nuk dëgjoj asgjë nga çfarë thuhet mes gazetarëve e kritikëve.

Njoh vetëm një mënyrë për të ndihmuar shokët e skuadrës dhe trajnerin: golin dhe më nevojitet një sekondë për t’i vjedhur kohën kundërshtarit. Si e quani? Mision? OK, ky është misioni im”.

Ekzistojnë dy modele liderësh: i heshturi, por që jep zgjidhje dhe ai që brohoret në dhomat e zhveshjes e në fushë. E shihni veten në shembullin e parë?

Unë bërtas, ndonjëherë ngre zërin edhe me shokët e skuadrës. Nuk ishte shiriti i kapitenit që më ndryshoi, jam i ndërtuar kështu: besnik ndaj zgjedhjeve të mia, me objektiva të qartë. Për veten flas shumë pak, janë të rralla intervistat dhe rrëfimet më personale.

ikardi

Por, dikush tjetër e bën për ju: Vanda.

Vanda e di shumë mirë atë çfarë thotë dhe bën. Di të sillet në televizion, i njeh gazetarët e tani ka hyrë edhe në botën e modës që gjithmonë i ka pëlqyer. Është e zgjuar, nuk ka nevojë për kontroll: i besoj totalisht. Jeta në Milano? Nuk dal thuajse asnjëherë, në shtëpi kam 5 fëmijë e 4 qen: me Vandën bëhemi 11, një skuadër. I mbaj të gjithë në lëkurë, mungojnë vetëm qentë.

Në fakt, jeni i mbuluar nga tatuazhet.

Të dashurit i mbaj në trup, jo vetëm në zemër… Ndoshta e kuptova çfarë po synon: të rinjtë që luajnë futboll, marrin si model futbollistin e famshëm dhe i shohin tatuazhet si një lloj riti.

Po.

Sinqerisht nuk do doja të ishte kështu, por çfarë mund të bëj. E përsëris, të tjerët s’mund t’i ndryshoj. Kuptoj që rrezikon të merret si referim nga më të rinjtë, por askush nuk duhet të bëjë një tatuazh sepse e sheh tek unë apo te dikush tjetër, por vetëm nëse e pëlqen dhe është i bindur.

Një pyetje e fundit për Vandën dhe e mbyll argumentin: jeni ndier ndonjëherë në siklet për daljet (në të gjitha kuptimet) e partneres?

Jo, kurrë. Ndihem gjithmonë i qetë. E thashë dhe e përsëris: besim i plotë. Bëj pjesën time dhe mjaftohem: stërvitem në shtëpi, qëndroj me fëmijët; ajo bën “shopping”, detyrën e mamasë e jetën që ka zgjedhur.

vanda ikardi

Në periudhën kur diskutohej një grumbullim i juaji, ndoshta shumë imagjinar, në kombëtaren italiane është pëlqyer besnikëria ndaj Argjentinës, rrënjëve tuaja.

Nuk e mendova as për një moment, e jo për mungesë respekti apo mirënjohjeje kundrejt Italisë që më ka dhënë shumë. Ndihem thellësisht argjentinas, përtej faktit që me familjen time u larguam kur u deklarua falimenti financiar dhe çdo argjentinas priste më të keqen. Jam rritur në Spanjë, por gjithmonë jam kthyer për të takuar prindërit e mi. Edhe Mesi la Argjentinën vetëm 12- 13 vjeç.

Në këtë moment vendi im po përjeton një situatë të ngjashme me atë që na detyroi të arratiseshim: njerëzit nuk kanë para për të ngrënë, e arrijnë me vështirësi fundin e muajit, ka nervozizëm, episodet e dhunës po përsëriten me frekuencë të frikshme. Pashë çfarë ndodhi për BokaRiver, nuk bëhet fjalë vetëm për fanatizëm. Presidenti i Bokës ka të drejtë kur thotë se pamundësia për të organizuar një event si një ndeshje që për Europën vlen Champions-in është turp kombëtar.

Folët për Mesin: ka vërtet kaq influencë në kombëtaren argjentinase?

Në dhomat e zhveshjes nuk e kam dëgjuar asnjëherë Leon t’i thotë trajnerit çfarë të bëjë dhe nuk imponon miqtë e tij. Për këtë jam i bindur. Formacionin në Botëror e bënte Sampaoli.

I keni kërkuar ndonjëherë presidentit apo Auzilios ndonjë përforcim? Mançini si futbollist këshillonte një në ditë.

Edhe si trajner (qesh). Personalisht jo. Më e shumta mund t’i kërkoj një nder Mesit në Champions… Është e vërtetë që varemi nga Barcelona, por duhet të mendojmë për PSV-në. Barça luan gjithmonë për të fituar, shpresojmë të mos i duhet një pushim.

Ikardi

Njëzet e tetë pikë, Napoli një hap larg, Juvja ende larg, 1/8-at e Ligës së Kampioneve në lojë: a është Interi që kishit imagjinuar?

Skuadra është më e kompletuar se në të kaluarën, e sigurt. Kemi lënë disa pikë në dytri ndeshjet e para: nëse do kishim luajtur si Interi, do ishim me disa pikë më shumë. Kur menduam se kishim fituar vetëbesim, humbëm në Bergamo: u treguan më të zotë se ne.

E keni menduar ndonjëherë largimin?

Duhet ta thotë Auzilio (qesh)… Unë i kam qartësuar gjithmonë objektivat: së pari, rikthimi në Champions me Interin dhe ia dolëm; së dyti, të fitoj diçka me Interin.

Ende nuk keni rinovuar, edhe pse kontrata skadon në 2021-shin. Pipo Inzagi pretendonte rinovimin pas çdo goli, kur ishte te Juvja…

Kur të jetë momenti do rinovojmë. Ka kohë.

Ndeshja në “Olimpico” është një pikë thelbësore për sezonin tuaj, por mbi të gjitha për atë të Romës.

Do japim maksimumin, sepse nëse gabojmë, Juvja e Napoli largohen. U ktheva nga Londra në 6 të mëngjesit, me skuadrën, e hyra menjëherë në vaskë me ujë të ftohtë për të reduktuar hematomën. Dua të luaj menjëherë.

ikardi

Njëra nga të dyja ka Ronaldon…

Dhe shtatë tituj radhazi. Kristiano i ka dhënë shumë edhe kampionatit. Vetëm Juvja mund t’ia lejonte vetes.

Verën e kaluar u përpoq edhe me ju.

Diçka e kam dëgjuar, por në këto raste jam i fundit që vihem në dijeni sepse mendoj vetëm për detyrën time. Pyesni Vandën dhe Auzilion.

Keni kaluar edhe disa momente antipatie me tifozët interistë, kujtohet ai pas daljes së librit. Por, edhe ju: të shkruash autobiografi vetëm 23 vjeç…

Nuk ishte autobiografi, rrëfeva vetëm nisjen e karrierës sime. Për sa i përket krisjes me tifozët, mendoj se ishte një vijimësi e episodit me Sasuolon. Kur ekzistojnë probleme, diskutohen. Kur i takoj nuk sillen aq ftohtë, përkundrazi.

Ikardi

Thonë se jeni “kujdestari” i Lautaros.

E kam ndihmuar shumë, sepse në Milano nuk njihte askënd. Është 21 vjeç dhe mund të rritet. Në fushë nuk kursehet, është mësuar me futbollin argjentinas ku jepen dhe merren goditje. Nga kjo pikëpamje VAR-i është diçka pozitive, sepse detyron mbrojtësit të limitojnë numrin e faulleve. Tani luhet më pastër.

Nga larg ndihen ende “sirenat” e Realit që ju kërkojnë.

Nuk më duket momenti i duhur për t’i diskutuar, duke konsideruar rezultatet me Interin. Ndihem mirë këtu ku jam.

Related posts

NUK FALIN FRANCEZËT/ Kampionëve të Botës u mjaftojnë 13’ për të kaluar në avantazh ndaj Holandës

Isa.Autor

NUK NDALEN “KATALANASIT”/ Griezmann tregohet altruist, Coutinho vulos fitoren nga Osasuna-s (VIDEO)

Delo.autor

AKOMA NUK KA GJETUR NJË KLUB/ Kukësi mendon të rikthejë në janar mbrojtësin…

Delo.autor

Leave a Comment