Futboll Seria A Sport

RRËFEN TË VËRTETAT E LARGMIT/ Viçenco Montela: E sfidoj hapur…

Viçenco Montela tregon të vërtetat e largimit, sfidon Gatuzon dhe analizon aventurën e tij si trajner i Milanit. Italiani thotë se Rino gabohet kur i përmend formën fizike të skuadrës dhe se drejtuesit krijuan pritshmëri shumë të larta.

Montela, shkarkimi juaj erdhi pas një barazimi. Ju ka ngelur peng?

Jo. U largova sepse kisha shumë mundësi të tjera për të fituar dhe nuk kisha më besim nga drejtuesit. Koha po kalonte dhe nuk po reagonim siç duhet. Gabimi im më i madh është që u përfshiva dhe u bashkova me fjalët e drejtuesve, teksa u drejtoheshin tifozëve. Në këtë mënyrë u krijuan shumë pritshmëri. Shumë të mëdha për një skuadër që nisej me 11 lojtarë të rinj dhe që disa prej tyre nuk kishin histori në Champions. Duhet të mbanim një profil më të ulët. Më mbeti në mendje fakti që nuk e mbyllëm punën e nisur, sepse mund të rriteshim shumë.

I ndatë të njëjtat mendime me drejtuesit edhe për merkaton?

Disa prej lojtarëve sigurisht që po, ndërsa për të tjerët i mora vesh gjërat kur kishin ndodhur. Ashtu si për Andre Silvën, një sulmues shumë i ri dhe me të ardhme. Për Bonuçin këmbëngula unë sepse ishte një mundësi e artë për eksperiencën që kishte. Çalhanoglu erdhi teksa kishte 6 muaj që nuk luante. Në fund na mbetën dy role pa mbuluar, një organizator dhe një sulmues, të cilin e kërkoja që nga fillimi.

Ishte vetëm Kaliniç në skenë dhe Mirabeli tha se ju këmbëngulët.

Ishte një lojtar i madh. Por, më parë ishim shumë pranë Moratës dhe Batshuajit. Në fund, me 20 milionë euro në dispozicion ishte e vështirë t’i merrje.

Nuk do të mjaftonin as për Kristiano Ronaldon. E konfirmoni tratativën?

U bë një tentativë.

Pranuat ju që Bonuçi të ishte kapiten i skuadrës?

Shiritin ia kishin premtuar drejtuesit. Unë e mora në telefon dhe i thashë se mund të ishte lider i skuadrës edhe pa shiritin. Por drejtuesit më vunë përpara përgjegjësisë për të zgjedhur kapitenin, njërin prej të afruarve në merkato. Mendova për Bonuçin dhe Biljan, por nuk ishte ndonjë ide entuziaste.

Në vendin tuaj erdhi Gatuzo. Ju ka telefonuar?

Jo. Nuk kemi folur kurrë. Unë thjesht kam dashur t’i them se gaboi në fillim kur tha se skuadra nuk ishte mirë në aspektin atletik. Ishte një aspekt që më prekte mua drejtpërdrejt. Ai është duke bërë mirë, por nuk është e drejtë që të prekë kompetencat e mia. Unë kam 5-6 vite eksperiencë më shumë sesa ai në Serinë A dhe disa gjëra i di mirë. Në një debat publik e sfidoj hapur që të flasim për këtë temë. Është tjetër gjë kur vrapon kot dhe tjetër gjë intensiteti që ke.

Edhe Rino rrezikoi të shkarkohej. Do të ishte një hakmarrje për ju?

Në jetë unë nuk jam kënaqur kurrë për fatkeqësitë e të tjerëve. Jam i përqendruar te vetja. Më intereson shumë pak, apo fare…

As golin ndaj Beneventos në minutat e fundit nuk e “shijuat”?

Brinjolin e kam pasur te Sampdoria dhe ndoshta e kam stërvitur mirë. Për atë ndeshje dua të them diçka: Milani vrapoi më shumë sesa kundërshtari. Nuk ishte aq keq…

Skuadra që ka në dorë Gatuzo është e aftë për të qenë kompetitive sa e juaja?

Nëse merr lojtarët e duhur dhe u jep kohë që të rriten, sigurisht që bëhet ekip kompetitiv. Kesi, Çalhanoglu dhe Muzakio janë përmirësuar sepse kanë pasur kohën e nevojshme. Kanë marrë edhe një si Higuain, i cili është shumë i fortë. E kërkova edhe unë.

Kristian Abiati, ish-menaxheri i skuadrës në kohën tuaj, ka thënë se ishte e vështirë të punonit bashkë për indiferencën tuaj. Si i përgjigjeni?

E kam lexuar dhe nuk u ndjeva mirë. Mendoja se me atë kisha një raport të mirë, por jo. Unë e kisha ftuar gjithmonë në takimet që bëja me ekipin, përveçse në të fundit kur doja të isha vetëm me lojtarët. Por ai nuk donte të merrte pjesë në mbledhje.

Bastet tuaja të para të fituara ishin Suso dhe Kutrone…

Suso ishte shumë pak i impenjuar me Milanin, ishte i ri dhe me shumë kualitet. Thjesht duhet të zhbllokohej. Kutrone nga ana tjetër tregoi dëshirë, uri dhe ambicie. Rrezikova me të dy. I zgjodha dhe ata u përgjigjën siç duhet.

Bukur. Por në majë qëndron Superkupa e Italisë e fituar në Doha.

Ndoshta duhet të isha larguar pas asaj fitoreje. Por, isha shumë i lodhur pas Milanit. Dëshira për të vazhduar ishte e madhe, krenaria që kisha fituar ndaj një ekipi të fortë gjithashtu. Dua të falënderoj Galianin që më zgjodhi dhe Mirabelin dhe Fasonen që më konfirmuan. E mora vesh më vonë se kishte dyshime mbi mua dhe mesazhet e fshehura mes deklaratave.

Kishit diçka tjetër pozitive në periudhën si trajner i Milanit?

Në vitin e parë bënim lojë të mirë dhe me identitet. Lojë të pastër si Milani i vjetër. U rikthyem në Europë, por në vitin pasardhës humba shumë energji në disa aspekte që nuk më takonin. Sa më të larta ishin pritshmëritë, aq më i madh ishte rreziku për të humbur.

Related posts

TRONDITET KLUBI I PRISHTINËS/ 8 raste pozitive me Covid-19 para ndeshjes së Ligës së Europës

Delo.autor

Kur Pique e akuzonte Realin: “Ne jemi ndryshe, s’kemi nevojë të shpenzojmë shuma marramendëse”

Q.Autor

LIVE/ Flamurtari-Partizani: Zhbllokohet super sfida, Bushiç kalon në avantazh vendasit (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment