Futboll La Liga Sport

NGA ZIDANE TEK ISCO/ Van der Vaart “SKANON” në 360 gradë Real Madridin

Nëntorin e kaluar, ai vendosi t’i “varte këpucët në gozhdë”. Dhimbjet nuk e lejonin të vazhdonte më tej në radhët e danezëve të Esbjerg, klubi i tij i fundit. Rafael van der Vaart (Heemskerk, 1983) ka dhënë një intervistë interesante për spanjollen “Marca”.

Si po e kaloni këtë fazë të re jashtë fushave të lojës?
Shumë mirë, edhe pse jam pak i trishtuar, sepse më mungojnë ndeshjet e futbollit. Ndonjëherë, koka më shtynte për të luajtur, por gjendja ime fizike më bëri të dal në “pension”. Tani jam i fokusuar në gjëra të tjera.

A ishte e lehtë për të dalë në “pension”?
Ishte vendimi im, nuk ishte e lehtë ta merrja atë. Pas stërvitjeve, këmbët i kisha të lodhura dhe plot dhembje. Në ditën e fundit kam shkuar në shtëpi dhe i thashë partneres time: Mjaft është mjaft. Nuk vlente të vazhdoja në këtë situatë. Nuk pendohem që e kam zgjedhur këtë opsion.

A do të ishte e rrezikshme të vazhdoje?
Unë mendoj se po. Tani për tani nuk kam ankesa, por në qoftë se do të luash futboll, duhet të jesh 100 për qind. Ishte zhgënjyese për mua, që nuk jepja dot më të mirën nga vetja, kështu që zgjodha të tërhiqesha.

Si e mbani mend fazën tuaj të fundit në Spanjë, me Betisin?
Kjo ishte një fazë e vështirë, por unë nuk dua të flasë keq për Betis, sepse kam pasur një vit të mirë me kolegët. Gjërat nuk shkuan ashtu siç dëshiroja, por ekipi ishte i mirë.

Si ju kujtohet duke kaluar nëpër të dyja strukturat e klubeve të tilla si Ajax dhe Real Madridi?
Ajax është shtëpia ime, kam filluar të luaj atje që kur isha 10 vjeç. Një ditë isha për ta vizituar klubin dhe pashë ata, që vijonin ende atje. Unë kam qenë i lumtur për t’i përshëndetur, Ajax është si një familje. Real Madridi ishte përmbushja e ëndrrës që ka çdo fëmijë. Veshja e fanellës së bardhë është diçka e veçantë. Unë mendoj se bëra shumë mirë në dy vitet që isha atje, edhe pse përkoi me disa kohë të vështira, në të cilat kemi pasur disa ndryshime trajnerësh, madje edhe të presidentëve. Unë kam kujtime mjaft të mira nga të dyja përvojat.

Te Real Madridi koinçiduat me Cristiano Ronaldon, Alonso… Çfarë ju kujtohet për ato ditë?
Isha me lojtarët më të mirë në botë: Ramos, Guti, Raul, Ronaldo, Kaka, Benzema… Është diçka e veçantë. Të jesh në një ekip me Cristiano Ronaldon, për shembull, është diçka mbresëlënëse. Tani të gjithë e dinë se sa i rëndësishëm ishte Cristiano për Real Madridin. Mos harroni se flasim për dikë, që shënonte 60 gola në sezon.

A është Juventusi, favorit për të fituar Champions-in këtë sezon?
Me siguri. Ekipi që ka Cristiano Ronaldon në radhët e tij do të jetë gjithmonë favorit. Ai i bën shokët e tij më të mirë. Ju i pasoni topin dhe e dini se Ronaldo mund të shënojë. Kjo është garanci për sukses.

Kthehemi në lojë. Sneijder tha për “Marca” se Ajax është më i rrezikshëm se sa mendojnë në Spanjë për Real Madridin në Champions. A jeni dakord?
Është e vështirë të japësh një parashikim. Në Holandë, njerëzit mendojnë se Ajax do të fitojë me siguri, por dua t’ju kujtoj se Real Madridi në Ligën e Kampionëve është Real Madridi. Ky është një raund i vështirë për Ajax. Do të ketë shanse për t’u kualifikuar, por nëse bën dy ndeshje perfekte.

De Ligt dhe De Jong përfliten te Barcelona dhe PSG. A mendoni se do t’i përfundojnë këto transferime?
Unë dua të qëndrojnë në Amsterdam, por është normale të marrin oferta nga më të mirët, sepse ata luajnë me të vërtetë mirë. Janë talentë mbresëlënës, kanë përpara një karrierë shumë të madhe. Edhe pse janë shumë të rinj, duhet të rriten hap pas hapi. De Jong më kujton Guti, ka shumë cilësi. E trajton topin si të doni nga qendra e fushës.

Sa ka mbetur nga “filozofia Cruyff” në këtë Ajax?
Ajax e ka filozofinë e njëjtë si Barça, do të ketë topin në zotërim dhe të luajë në sulm. Konkurron pa frikë. Kjo është diçka, që e bën klubin të rëndësishëm.

A mendoni se Jose Mourinho duhet të kthehet si trajner te Real Madridi?
Më pëlqen shumë, për shkak se ai është shumë i drejtpërdrejtë. Në Holandë jemi njerëz të drejtpërdrejtë, si ai. Mourinho është në gjendje t’ju tregojë se “ju nuk luani”. Do doja ta shihja të kthehej në Madrid, pse jo? Është i veçantë dhe fitues. Jo vetëm e pëlqej atë si person, por edhe si trajner. Ai ka fituar shumë gjëra dhe akoma nuk mund ta bëjë këtë.

Me ju ishte më shumë se i sinqertë…
Po, kjo është e drejtë. Ai më tha: Rafa, duhet të largohesh, sepse kemi Kaka dhe lojtarë të tjerë. Gjëja më e mirë është që të ikësh nga këtu, në mënyrë që të luash më shumë në një ekip tjetër. Dhe për këtë shkova te Tottenham.

Real Madridi me trajner Solarin nuk po ecën mirë. Çfarë zgjidhjesh të mundshme sheh në këtë situatë?
Është diçka shumë e rrallë, që Real Madridi të luajë kaq keq, si ndaj Real Sociedad, për shembull. Unë nuk mendoj se është çështje qëndrimi. Real Madridi ka humbur Cristiano Ronaldon dhe Zidane, është duke dashur të rifitojë pulsin. Me siguri do ta mbyllë sezonin duke fituar një titull, përveç Botërorit të Klubeve.

Ju që keni luajtur në pozitën e tij, ku mendoni se po gabohet me Isco?
Isco është i çmendur për mua, lojtari më i mirë në botë. Por, ai ka gjithmonë probleme me trajnerët. Zidane kurrë nuk i besonte atij 100 për qind.

Si mund të tregojë Reali një fytyrë kaq të parregullt në La Liga dhe një tjetër kaq të mirë në Champions?
Kjo është arsyeja, pse Real Madridi është më i miri në botë, sepse ka 13 Champions. Askush nuk e ka arritur atë, prandaj është i veçantë. Kur luani te Real Madridi vëren se La Liga është e rëndësishme, edhe Kupa e Mbretit, por Champions-i është tjetër histori.

A është e mundur që të bardhët të fitojnë Champions-in e katërt radhazi?
Po. Nëse dikush mund ta arrijë këtë gjë, ky është Real Madridi. Asnjëherë mos e nënvlerësoni atë, aq më shumë në Europë.

Së fundi, a guxon të japësh një parashikim specifik?
Unë jam i keq në këtë lloj gjëje, por them që në Holandë do të barazojë 2-2 me Ajax, në Champions.

Related posts

LIVE/ Po luhet ndeshja Shakhtar Donetsk-Manchester City. Rezultati 0-3

Delo.autor

Arrihet marrëveshja mes klubeve, futbollisti italian plotëson dëshirën

Sadik.Autor

PAS GERD MULLER/ Radhën e ka Pele; Messi “kërcënon” legjendën braziliane

Delo.autor

Leave a Comment