Futboll Kategoria Superiore Sport

PARTIZANI PA “FRENA”/ Ofertë Agim Ibraimit, ja situata me fantazistin tetovar

Partizani i luan të gjitha, i bën ofertë edhe fantazistit nga Tetova, Agim Ibraimi. Trajnerit Skënder Gega i duhen tri goditje të mëdha për të qenë i sigurt drejt titullit dhe drejtuesit e kuq duket se janë gati që të plotësojnë çdo kërkesë, duke bërë një sforco të madhe financiare në merkaton e janarit.

Pas negociatave për të afruar në skuadër qendërsulmuesin ganez, Kuame Karikari, tashmë zbulohet se një prej emrave më të rëndësishëm në orbitën e të kuqve është 30-vjeçari që ka luajtur edhe me Kaljarin në Serinë A. Në fakt, Ibraimi është një dëshirë e vjetër e Partizanit, madje drejtuesit e kuq arritën një marrëveshje paraprake me fantazistin në janar të vitit 2017, por në atë kohë lojtari pati probleme kontraktuale me klubin kazak, Astana dhe gjithçka u venit.

Tashmë gjërat janë më të thjeshta për të kuqtë, pasi Ibraimi vetëm pak ditë më parë ka prishur kontratën me klubin slloven, Domzhale, ku dhe luan në dy sezonet e fundit. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta pranë drejtuesve të Partizanit se një përfaqësues zyrtar i klubit po merret enkas me këtë çështje. Pasi kanë mësuar se Ibraimi prishi marrëveshjen me Domzhalen, i kanë bërë një ofertë zyrtare dhe tashmë presin përgjigjen e futbollistit.

Ky i fundit ka kërkesa të larta, por duke qenë se bëhet fjalë për një lojtar që bën diferencën, pikërisht si një sulmues i dytë, drejtuesit do të mundohen të plotësojnë kushtet e tetovarit. Për Ibraimin mësohet se interesohet edhe Shkëndija e Tetovës, skuadra ku ai nisi karrierën si profesionist. Lojtari ka pasur kulmin e tij te Maribor në Slloveni, teksa luajti edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Ai numëron 39 ndeshje me fanellën e Maqedonisë, teksa ka shënuar 7 gola.

MBIPOPULLIMI

Kontingjenti i Partizanit është aktualisht i mbipopulluar me sulmues krahu, që natyrisht mund të përshtaten edhe si sulmues të dytë, por që nga halli kanë bërë edhe “pykën” në pjesën e parë të sezonit. Asani, Mala, Bardhi, Mensah, Lukas, So Hyon-Uk, Çinari dhe Jusufi janë të gjithë sulmues krahu.

I vetmi pozicion ku deficitet janë të mëdha është pikërisht maja e sulmit, aty ku i mirëfilltë në atë rol është shkodrani Rubin Hebaj. Nëse Agim Ibraimi firmos me Partizanin, atëherë me skemën që përdor Gega, ai do të jetë në rolin e një sulmuesi të dytë. Në karrierën e tij tetovari më shumë ka bërë këtë pozicion, por gjithashtu ka luajtur edhe si sulmues krahu, më tepër në të majtë.

Related posts

CHAMPIONS/ Shikoni gafë e pabesueshme të Timo Werner ndaj Renens (VIDEO)

Delo.autor

ÇFARË KA BËRË GABIM SHAQIRI? Klopp po e trajton padrejtësisht

Delo.autor

Sanchezin dhe Mkhitaryanin në “Old Trafford”? Mourinho:”Nuk ka asgjë të re”

Q.Autor

Leave a Comment