Futboll Seria A Sport

“MBRETI” I RI NË MILANO/ Piatek rrëfehet: Ka qenë një hap përpara në karrierën time, më ka bërë…

Për 35 milionë euro në këto kohëra nuk është se gjen fenomenë, sepse futbolli është çmendur dhe lojtarët e nivelit të lartë kanë targën 100 milionë nga pas.

Megjithatë, Milani u tregua i shpejtë dhe goditi me blerjen e Krzysztof Piatek, sulmuesit 23-vjeçar që deri verën e shkuar nuk e njihte askush jashtë Polonisë.

Rreth 20 minuta në debutim, më pas 2 ndeshje titullar dhe 3 gola, të bukur dhe shumë të rëndësishëm, sepse u shënuan ndaj ekipeve rivale si Napoli e Roma dhe vlejtën një vend në gjysmëfinalet e kupës, si dhe një pikë të artë në kampionat.

Kaq ka mjaftuar që Piatek të konsiderohet tashmë një mbret i ri në Milano, me tifozët kuqezi që janë të çmendur pas “pistoletës” polake.

“Ka qenë një hap përpara në karrierën time. Më ka bërë shumë përshtypje pritja në Milano. Debutimi me Napolin? Isha aq i përqendruar, saqë nuk i dëgjoja britmat e tifozëve. Vetëm para ndeshjes, kur isha ende në tunel dhe spikeri i stadiumit lexonte emrat”, nis rrëfimin e tij për Onet në Poloni Piatek.

Ish-sulmuesi i Genoas tregon për punën e pandalshme për t’u përmirësuar dhe festimin e tij të çuditshëm, me duart që imitojnë pistoletat: “Sulmuesi qendror duhet të shënojë nga çdo pozicion, ndaj ushtrohem edhe për goditjet e dënimit, kur mbaron stërvitja. Jam përmirësuar fizikisht, edhe në rezistencë e shpejtësi. Kohët e fundit kam korrigjuar edhe goditjen. Festimi? Nuk e kisha përgatitur. Pasi shënova golin e dytë, bëra atë gjest dhe mbeti i tillë. Më pas u bë talizmani im, seria e golave ishte fantastike”.

Moment i artë për polakun, që tashmë krahasohet me Lewandowski-n, ndërkohë që legjendat kuqezi e kanë befasuar: “Seedorf më kërkoi të bënim një foto së bashku. Është fantastike që njerëz të tillë më njohin dhe duan të bisedojnë me mua. Shevchenko erdhi të më takonte në dhomat e zhveshjes para ndeshjes kundër Napolit. Pas firmës në kontratë më dërgoi një mesazh Alvaro Morata: më shkruante që më vëzhgonte dhe më uron shumë fat. Edhe kjo ishte diçka fantastike”.

Piatek ka edhe ritualet e tij: “Kur e di që do jem titullar, nuk dal në fushë pa nisur nxehja. Nëse e nis nga stoli, jam më i qetë dhe shkoj të shoh tribunën. Para ndeshjes me Napolin dola në fushë i vetëm, me kufje në vesh. I hoqa sepse dëgjova duartrokitjen, stadiumi shpërtheu dhe atmosfera u ngroh shumë. Një emocion i pabesueshëm, tifozët e Milanit përshëndesnin kështu një lojtar që ende nuk ka bërë asgjë për klubin”.

Idhulli i Piatek? “Fanella ime e parë ishte e Real Madridit, e Ronaldo brazilianit. Më pas në dhomë kam pasur posterat e Manchester United ku luante Cristiano Ronaldo, si dhe të Arsenalit kur luante Thierry Henry”.

E ardhmja: “Kur erdha në Itali, thashë me vete që 12 gola do më lumturonin në sezonin e parë. Oreksi vjen duke ngrënë, në fund do të shihen rezultatet, duke punuar fort, në çdo stërvitje e ndeshje. Nuk ka rëndësi nëse luaj në San Siro, për Krakovën, apo për kombëtaren polake”.

Related posts

FORMULA 1/ Hamilton piloti më i paguar, Verstappen e Leclerc jashtë podiumit

Delo.autor

Real Madrid apo Barcelona, Salah zgjedh ekipin e së ardhmes

Sadik.Autor

Legjenda e Ukrainës sulmohet nga ish-vjerra (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment