Futboll Sport

MOURINHO PASUROHET NGA SHKARKIMET/ Ja milionat e përfituara si kompensim

Jose Mourinho, dikur e quajti kolegun rival, Arsene Wenger, një “specialist në dështime”. Në fakt, portugezi ka parë më shumë shkarkime nga puna, krahasuar me francezin e mirënjohur. Megjithatë, dështimet (shkarkimet) e tij iu kanë kushtuar shumë shtrenjtë klubeve respektive gjatë viteve.

Manchester United publikoi të dhënat financiare të enjten, ku zbuloi se Mourinho dhe pjesëtarët e tij të stafit u paguan me një total prej 19.6 milionë stërlina kompensim, pasi u shkarkuan në dhjetor. Vetëm Mourinho u pagua 15 milionë stërlina. Kjo është hera e katërt, që portugezi shkarkohet në karrierën e tij të shquar.

Në çdo rast, ish-punëdhënësi i tij është dashur t’i paguajë një shifër kompensuese të madhe për prishjen e njëanshme të kontratës. Kjo, falë një menaxheri si Jorge Mendes, që mbron të drejtat e disa yjeve të futbollit, mes të cilëve edhe të Cristiano Ronaldos.

Sipas “The Sun”, totali i kompensimit për “Special One”, referuar katër shkarkimeve të tij, kap shifrën e lartë të 62.5 milionë stërlinave. Më shumë se shumica prej nesh nuk do t’i bënim dot ato para, edhe nëse punojmë disa jetë. Eksperienca e tij e parë te Chelsea mbetet më fitimprurësja.

Pasi humbi titullin në sezonin 2006-2007, Mourinho ishte në “fije të perit”, pas përplasjeve të vazhdueshme me bordin drejtues të klubit. Një betejë për pushtet, që do të përfundonte vetëm në një mënyrë: Roman Abramovich, më në fund, e shkarkoi portugezin, pas një fillimi të dobët të sezonit.

Miliarderi rus i dorëzoi Mourinhos 18 milionë stërlina për eksperiencën e tij të parë në “Stamford Bridge”, kur fitoi dy tituj të Premier League, dy Kupa të Ligës dhe “FA Cup”. Pas një periudhe të shkëlqyer në stolin e Interit, ku fitoi dy tituj të Serie A dhe “tripletën”, Mourinho kaloi te Real Madridi.

Në Spanjë iu kundërvu me të gjitha mjetet e forcat skuadrës më të madhe të të gjitha kohërave, Barcelonës së Pep Guardiolës. Megjithëse Mourinho ishte në gjendje të fitonte një titull në Madrid, drejtimi i tij u përcaktua nga shpërthime të mëdha me Iker Casillas, Sergio Ramos dhe Cristiano Ronaldo.

Florentino Perez përfundimisht u dorëzua dhe e shkarkoi trajnerin, por duke e kompensuar me 17 milionë stërlina, para se portugezi të merrte rrugën e kthimit te Chelsea. Eksperienca e dytë në “Stamford Bridge” nisi mirë. Gjërat sigurisht dukeshin rozë, kur Chelsea dominonte rivalët dhe fitonte Kupën e Ligës dhe titullin e Premier League në vitin 2015.

Sidoqoftë, atë verë, Mourinho përsëri u bë person i urryer nga bordi drejtues i Chelsea. “Special One” u zemërua nga vendimi i bordit për të shitur legjendën e bluve, Petr Cech, te rivalët e Arsenalit. Ky zemërim u shtua më tepër, kur lista e tij e objektivave në merkato u injorua nga klubi.

Përplasja e tij masive me mjeken e skuadrës, Eva Caneiro, në ditën e hapjes së sezonit, sinjalizoi fundin. Dhe pas tre muajsh të nderë, Chelsea ia “hoqi spinën” për herë të dytë, në dhjetor. Një tjetër shumë e majme, 12.5 milionë stërlina, u kompensua në llogarinë e tij bankare, pas atij shkarkimi.

Te Manchester United ishte një histori e ngjashme: sukses i menjëhershëm, me klubin që fitoi Kupën e Ligës dhe “Europa League”, në sezonin e tij të parë, para se të nisnin problemet e ndryshme. Lufta me bordin drejtues dhe lojtarë të ndryshëm ishte evidente, ajo vazhdoi deri në shkarkimin e dhjetori të kaluar.

Related posts

MPOSHT UDINESEN NË TRANSFERTË/ Lukaku nderon “Zikaltërit” me dopietë

Delo.autor

ASNJË HUMBJE NË “ANFIELD”/ Vendos rekordin në Premier sulmuesi i Liverpool… (FOTO)

Delo.autor

Po e kërkon e gjithë Europa, djali i Patrick Kluivert: Ja skuadra që kam në zemër

Q.Autor

Leave a Comment