Futboll Kategoria Superiore Sport

NË PRAG TË NDESHJES DERBI/ Engert Bakalli: Është përballje që do ta vendosin…

Engert Bakalli është një nga ata futbollistë, i cili ka luajtur me të tria skuadrat e kryeqytetit. Kampion me dy prej tyre dhe sigurisht me Tiranën, duke luajtur me një nga ekipet më të forta në Shqipëri gjatë viteve 2000.

Në një intervistë, mbrojtësi i krahut ka analizuar ndeshjen derbi, e cila luhet ditën e premte. Duke veshur si fanellën bardheblu dhe atë të kuqe, Bakalli flet për këtë takim që, sipas tij, këtë herë ndahet në barazim.

“Bake”, derbi luhet të premten. Ju keni luajtur me të dyja skuadrat…

Derbi është i veçantë dhe në të dyja kampet shihet me sy të veçantë. Sigurisht, Partizani vjen favorit në këtë takim, sepse është në vendin e parë dhe ka fituar dy sfidat e para, por kjo nuk do të thotë asgjë. Është ndeshje që do ta vendosin individët dhe gabimet e pakta. Ai që gabon më pak, arrin ta fitojë ndeshjen. Gjithsesi, nga të tria takimet, dy të parat dhe ky i së premtes, vetëm këtë herë skuadrat janë të barabarta.

Pse mendoni se skuadrat janë të barabarta?

Sepse më në fund në lojë ekipet nuk ndryshojnë shumë. Natyrisht, Partizani mund të jetë më i fortë në letër, por në derbi avantazhet veniten fare. Është një përballje e barabartë në çdo lloj aspekti.

Më i fortë se në kohën tuaj, kur luhej Tirana-Partizani…

Derbi në kohën tonë ishte i jashtëzakonshëm dhe shumë i fortë në fushën e lojës. Ishin të tjerë lojtarë në fushë. Flasim për këtë sezon. Ky është derbi më i fortë i momentit, sepse ekipet vijnë në ndeshje pa probleme.

Tirana këtë herë vjen e plotë, ndërsa për Partizani ka dy mungesa që në takimet e para kanë qenë në fushë…

Tirana është në rregull. Më në fund ka gjetur qetësinë dhe rezultatet. Problemi është te Partizani dhe mungesat. Trashi që, me sa di unë, mungon, është i rëndësishëm për të gjithë ekipin. Në dy takimet e para ka qenë vendimtar në lojë, por edhe për Partizanin gjatë sezonit ka qenë i rëndësishëm. Është një lojtar që në fushë mund të bëjë shumë dhe do të jetë një mungesë që mund të ndikojë te Partizani.

Tirana më në fund është skuadra që merr shumë pikë, siç bënte dikur…

Mund ta themi që më në fund Tirana doli në lojën e saj. Me rikthimin në formacion të disa titullarëve që në fillim u lanë jashtë, gjërat kanë ndryshuar. Është punuar shumë, por ka dhënë shumë edhe trajneri i ri Ardian Mema. Thjesht Tirana nuk duhet të fluturojë. Është një skuadër që duhet të punojë kokulur për të marrë rezultatet më të mira, sepse po iu rrit mendja ekipit, kthehet atje ku ishte.

Mund t’ia dalë Tirana që të arrijë Kupat e Europës?

Në fakt, skuadrat tona nuk është se po ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Tirana mund të ngjitet në renditje, por Europën e kap nga Kupa e Shqipërisë.

Partizani është në vendin e parë. Mund të fitojë kampionatin?

Jam i bindur se Partizani do ta fitojë kampionatin, paçka se çfarë mund të ndodhë në derbi. Është skuadra më fortë e kampionatit. Ka bërë punën e saj. Që në fillim është në krye dhe në fund do ta kthejë titullin në kryeqytet. E përsëris, është skuadra më e mirë e Superiores.

Më thoni një rezultat për ndeshjen…

Nuk do të them shifra, por do të them se ndeshja është barazim. Ose del barazim, shpresoj me gola, për të qenë spektakël në fushë. Edhe nëse nuk do të jetë ndeshje e bukur, do ta zbukurojnë tifozët.

Related posts

Stones “KËRCËNON” Panamanë: Ndaj tyre do sigurojmë raundin tjetër

Isa.Autor

MES GËZIMEVE DHE ZHGËNJIMEVE/ Ja shkëmbimi i pabesueshëm i dy sulmuesve…

Isa.Autor

U NGJITËN PAS 24 VITESH/ Presidenti i skuadrës në Serinë A në telashe. Duhet të shesë klubin, ja shkaku…

Delo.autor

Leave a Comment