Futboll Seria A Sport

“RINGJALLJA E ADN-SË” MILANIT/ Shevçenko: “Bomberi” polak ka instinktin “vrasës”, Paqueta solli…

Andrij Shevçenko mund të ketë shumë kohë që është shkëputur nga Milani, pas 8 sezoneve të luajtura në radhët e kuqezinjve, në dy periudha të ndara (1999-2006 dhe 2008-2009), por edhe pse tashmë në moshën 42-vjeçare, ka nisur karrierën e trajnerit në stolin e kombëtares së Ukrainës.

Sulmuesi që ka fituar gjithçka të mundshme me “Djallin” ndien se ish-skuadra e tij është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në shkallët e larta të arenës italiane dhe asaj ndërkombëtare. Dhe në një intervistë për rrjetin “DAZN”, golashënuesi i dytë më i mirë i historisë së Milanit (175 gola për ukrainasin, 221 për Gunar Nordahl), pikësëpari vlerëson “politikën” e vendosur në klub pas ardhjes së Leonardos dhe Paolo Maldinit në kryesinë e klubit, instinktin e tyre në blerjet e Kristof Piontekut dhe Lukas Paketas, që i kanë sjellë skuadrës atë çfarë i mungonte në fazën e parë, si dhe punën e Xhenaro Gatuzos, jo vetëm në aspektin taktik, por mbi të gjitha filozofinë dhe ringjalljen e ADN-së së “Djallit”.

LEO DHE PAOLO – “Që kur ka ndryshuar menaxhimi i klubit me Leonardon dhe Paolo Maldinin, objektivat e skuadrës janë qartësuar totalisht. Mbërritja e tyre i ka sjellë ekuilibër dhe ka ringjallur traditën e Milanit dhe më në fund kjo skuadër tashmë ka në krye njerëz që jo vetëm e njohin historinë, por e ndiejnë në lëkurë peshën që ka fjala ‘Milan’ dhe mbi të gjitha dinë ta bëjnë më mirë se kushdo tjetër punën e tyre, – bën hyrjen e tij Andrij Shevçenko. – Mund të them se tani edhe unë ndihem i lumtur, sepse kam mbetur dhe do të jem përjetë i lidhur me këtë klub, madje ndiej sikur punoj ende për Milanin. Me këtë shoqëri, me tifozët kuqezi dhe me Italinë do të mbetem i lidhur përjetë”.

GATUZO – Pak personave do ia merrte mendja se Xhenaro Gatuzo mund të ishte një trajner i madh, por i sigurt për këtë ka qenë gjithmonë Andrij Shevçenko, i cili bën panoramën e ish-shokut të skuadrës: “Rino ka qenë gjithmonë i mbushur me energji pozitive, i disponueshëm me të gjitha dhe ‘infektonte’ të gjithë me grintën e tij të jashtëzakonshme. Në fushë dhe jashtë saj ka qenë gjithmonë një luan, një peron i gatshëm për të dhënë shpirtin për skuadrën e tij. Flisja për Gatuzon me Ançelotin, duke menduar për Milanin e kohëve tona. Shumë prej ish-shokëve të mi, tanimë bëjnë trajnerin, gjë që tregon se tek ai Milan ka pasur shumë futbollistë inteligjentë. Rino po bën hapa të mëdhenj përpara, po transformon dhe po i jep skuadrës imazhin e tij”.

PIONTEK E PAKETA – Nga ana menaxheriale e taktike, më pas biseda kalon tek aspekti teknik, tek ai që në Milano është etiketuar si “Shevçenko i ri”, bomberi më i denjë dhe më i egër që pasqyron figurën e ukrainasit, që i mungonte prej shumë vitesh “Djallit”. “Piontekun e kam ndjekur që te Xhenoa, ku shënoi gola realisht shumë të bukur. Kur mbërriti te Milani iu desh fare pak kohë për t’u futur menjëherë në mekanizmat e skuadrës dhe po shënon shumë.

Por mbi të gjitha, çdo top që dërgon në rrjetë janë prej bomberi të vërtetë. Mua më pëlqen sidomos për golin që shënoi kundër Romës, i cili tregon se ai ka një nuhatje monstruoze, një nuhatje speciale, një instinkt prej killeri të zonës, di të lexojë më përpara se kundërshtari aksionin e lojës dhe di se ku do të vijë topi i shokëve të tij. Në Itali, vetëm mund të përmirësohet, ndonëse ka treguar se i ka të gjitha cilësitë që duhen për të tërhequr skuadrën: godet shumë saktë, më pëlqen sidomos kur kthehet, kur stopon topin dhe mënyrën se si e sulmon portën për të arritur te konkluzioni, – vazhdon Androj Shevçenko, që në fund ka fjalë të ëmbla edhe për Lukas Paketan. – Po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe i ka dhënë Milanit atë ekuilibër në mesfushë që i mungonte. Sipas meje, nuk ka treguar ende të gjithë potencialin, talentin që ka.

Ka nevojë të luajë, por që tani po bën shumë mirë. Nga janari e në vazhdim i ka dhënë Milanit atë që kjo skuadër kishte nevojë: një lojtar që lëviz në mënyrë gjeniale mes linjave të mbrojtjes rivale, ka një të majtë të rrezikshme, krijon gjeometri loje dhe i detyron kohët e lojës skuadrës. Pastaj, di të shënojë edhe gol dhe kjo është një tjetër pikë e fortë dhe e klasit që ky lojtar ka dhe që i ka sjellë Milanit”, përfundoi 42-vjeçari.

Related posts

SERIE A/ Lazio nuk gabon dhe prek Championsin me Milinkovic-Savic

Sadik.Autor

E BUJSHME/ Igli Tare nuk ndalet, Lazio pranë nënshkrimit me BRAHIMIN

Isa.Autor

PRITET PREZANTIMI TEK ROMA/ Epoka Mourinho tek “Verdhekuqtë” fillon me një përjashtimin e yllit…

Delo.autor

Leave a Comment