Futboll Seria A Sport

DERBI I ITALISË NË “SAN SIRO”/ Interi luan për Champions, “Zonja e Vjetër” për prestigj

Ndonëse llogaritë me titullin kampion janë mbyllur, kampionati italian vijon të ofrojë ndeshje emocionuese dhe një e tillë do të jetë edhe derbi i Italisë, mes Interit dhe Juventusit, që do të luhet sonte në orën 20:30, në “San Siro”.

Bardhezinjtë vijnë në këtë takim, vetëm një javë pasi hapën shampanjën e titullit të 8 kampion radhazi, por derbi i Italisë është një sfidë, që për vetë rivalitetin mes dy skuadrave, sjell emocione dhe luftë sportive, edhe nëse është thjesht miqësore.

Në të tjera pozita janë zikaltrit e Spallettit, që janë shumë pranë sigurimit edhe matematikisht të renditjes në zonën Champions, por kanë nevojë edhe për fitoren ndaj Juventusit, që javët në vijim t’i presin qetësisht.

Luciano Spalletti ka të gjithë organikën në dispozicion, pasi ka rikuperuar edhe mesfushorin kroat Marselo Brozoviç dhe do të ketë mundësi të hedhë në fushë 11-shen më të mirë, për të synuar 3 pikët në këtë sfidë.

Nga ana tjetër, Allegri ka mungesa të shumta, pasi një pjesë e mirë e futbollistëve kanë mbyllur sezonin më herët, për shkak të dëmtimeve dhe do të udhëtojë në Milano me një organikë të reduktuar, ku nuk do të mungojnë as emrat nga ekipi i të rinjve.

Janë plot 171 përballje zyrtare mes dy klubeve të mëdha italiane në historinë e Serisë A, nga të cilat 85 janë luajtur pikërisht në shtëpinë e zikaltërve. Të avantazhuar nga shifrat vijnë bardhezinjtë e Allegrit, që numërojnë një total prej 82 fitoresh kundër 46 sukseseve të zikaltërve, ndërsa barazimi mes tyre është shënuar për plot 43 herë.

Gjithsesi, duhet thënë se sa i përket bilancit në “San Siro”, zikaltrit kanë një avantazh me një total prej 35 fitoresh ndaj 23 sukseseve të bardhezinjve, si dhe 22 barazime të shënuara në shtëpinë e skuadrës së Spallettit.

Related posts

KJO ËSHTË E PAMUNDUR/ Ja momenti kur sulmuesi Iliev bën gafën e vitit në kampionatin bullgar (VIDEO)

Delo.autor

U DËMTUA NË SFIDËN NDAJ LECCES/ Ribery ka një mesazh të fortë për tifozët e Fiorentinës (FOTO)

Delo.autor

KËRKOHESHIN NGA INTER DHE JUVENTUS/ Roma përgatit rinovimin me dy yjet e ekipit…

Delo.autor

Leave a Comment