Futboll Kategoria Superiore Sport

NDIZET “ALARMI” PËR SHEHUN/ Ja 5 lojtarët që rrezikojnë për sfidën ndaj Partizanit

Ndeshja me Partizanin, me të cilën do të startojnë fazën e katërt të kampionatit, është në prag dhe bardhekuqtë do të kërkojnë ta nisin me një rezultat pozitiv këtë takim që përkon me ndjekjen e objektivit sezonal të Skënderbeut.

Por, në ndeshjen më të fortë të sezonit, përballë vendit të parë në renditje, Skënderbeu duket se ka një problem të madh, kjo sa i përket gjendjes së ekipit. Momentalisht korçarët kanë katër mungesa të rëndësishme në formacion dhe në të tilla kushte do ta nisnin me një minus të madh ndeshjen përballë kryesuesit në transfertë.

Ajo që shqetëson më shumë trajnerin Orges Shehu është forma jo e mirë që po kalon Marko Radas dhe mbi të gjitha shqetësimet muskulore të dy shtyllave të tjera të ekipit, si Kristi Vangjeli dhe Gjergji Muzaka.

TAIPI DHE SIBO

Dy mungesat e mëdha të Orges Shehit në ndeshjen e së mërkurës kundër Partizanit duket se do të jenë dy futbollistët e mesfushës. Shqiprim Taipi nuk e ka kaluar problemin që e la jashtë në ndeshjen me Luftëtarin, dëmtim që pas disa ditësh stërvitjeje është kthyer sërish prezent për futbollistin shqiptar nga Maqedonia.

Një mungesë e rëndësishme kjo për Skënderbeun, pasi përveçse është një lojtar i rëndësishëm në mesfushë, humb edhe një futbollist që mund të luajë si vendës, për shkak të pajisjes me pasaportë shqiptare. Taipi nuk është i vetmi që do të mungojë në këtë takim. Kuasi Sibo ka marrë një goditje në gju nga sa raportohet nga klubi dhe, sipas trajnerit Orges Shehi, me shumë mundësi ai nuk do të jetë i gatshëm për ta nisur takimin si titullar ndaj Partizanit. Korçarët s’duan të rrezikojnë me Sibon, që është lojtari më në formë në repartin e mesfushës.

MBROJTJA DHE MUZAKA

Si të mos mjaftonin dy mungesat në mesfushë, korçarët kanë dilema për sa i përket gjendjes së Gjergji Muzakës dhe Kristi Vangjelit, të cilët vetëm ditën e djeshme janë bashkuar me grupin, për shkak të kontraktimeve muskulore. Nga sa bën me dije vetë trajneri Shehi, të dy këta lojtarë nuk janë stërvitur me grupin në javën që kaloi, por shpresohet që të jenë të gatshëm për Partizanin.

Në klub po bëjnë të pamundurën dhe do të pritet deri sot për të parë sesi do të shkojnë gjërat. Gjithsesi, si Muzaka ashtu edhe Vangjeli do të duhet të shtrëngojnë dhëmbët. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe kapiteni Marko Radas, i kthyer nga Kroacia vetëm prej disa ditësh.

Radas është jashtë forme, pasi ka 16 ditë pa stërvitje. Por, kjo duket se nuk përbën justifikim për lojtarin që do të jetë në fushë, pavarësisht mungesës për një kohë të gjatë në ekip. Nëse nuk ia dalin edhe lojtarët në dyshim, përveç mungesave të konfirmuara, pritet që formacioni të “arnohet” me adaptime, si Dita mbrojtës i djathtë.

ANULIMI I MIQËSORES

Skënderbeu e ka pasur pushim javën që shkoi, pasi duhej të luante në Kupë dhe kampionat ndaj Kamzës, e cila është përjashtuar nga aktivitetet. Dëmtimet e shumta që shoqëruan ekipin javën e fundit u bënë shkak për të shtyrë edhe programin e Skënderbeut deri në anulimin e ndeshjes miqësore, që kishin programuar për në fundjavën e kaluar.

Related posts

NJË ËNDËRR E REALIZUAR/ Gavi regjistron 100 ndeshje me fanellën e Barcelonës

F.autor

LIVE/ Milan-Bologna, Suso kalon “Kuqezinjtë” në avantazh

Delo.autor

Dëmtimi i Selmanit, mjekët e Juventusit thonë fjalën e tyre

Sadik.Autor

Leave a Comment