Futboll Seria A Sport

“20 HIJET” E ALLEGRIT TEK JUVENTUSI/ Nga Champions “bastarde” te racizmi, urrejtja ndaj ekipit dhe kritikat

Ironik, i sinqertë, humorist, por edhe shumë i drejtpërdrejt… Massimiliano Allegri, ndryshe “Max”, do të largohet në fund të sezonit nga Juventusi, por në pesë vite, përveç 11 trofeve të fituar (5 tituj, 4 Kupa Italisë dhe 2 Superkupa Italie) ka lënë edhe shumë batuta “bardhezi”. Kemi zgjedhur 20 më të bukurat…

Me presidentin Agnelli do të ulemi dhe flasim. Këtu nuk flitet për raportet tona por për projektet dhe atë që do të bëjmë në të ardhmen. Mos harroni, në gusht nis një tjetër sezon dhe duhet të gjendemi gati. Dashuria është tjetër gjë, sepse nëse nuk mbërrijmë në kushtet më të mira, atëherë objektivi nuk realizohet. Me presidentin kam raport të mirë, por me të gjithë, edhe Nedved, Paratici dhe Marotta deri sa ishte te Juventusi. Pa një klub të madh, nuk shkohet askund”.

“Eliminimi ndaj Atalantas në Kupë? Shkoi gjithçka keq, dhuruam dy gola nga tre që ata shënuan. Edhe Juventusi është njerëzor, nuk mund të fitohen të gjitha ndeshjet”.

“Duhen hedhur hapa të vegjël dhe të hidhen bazat për të ardhmen sa herë që luhet, ky është sekreti. Eshtë e rëndësishme që të rritet niveli çdo ditë, t’i kërkojmë vetes diçka më shumë që të vihemi në diskutim çdo ditë”.

“Futbolli është shumë i thjeshtë: duhet të bësh dy gjëra, fazën ofensive dhe atë difensive. Duhet t’i bësh të dyja shumë mirë. Kur nuk sulmon në maksimum nuk duhet të jetë turp, përkundrazi. Të mbrohesh mirë vlen si të sulmosh mirë, sepse objektivi është rezultati. Spektaklin e gjeni në cirk: ne duhet të fitojmë ndeshjet dhe të marrim 3 pikët”

“Nuk më ka kaluar kurrë në tru që të jap dorëheqjen, sidomos sepse për çdo gjë është faji i trajnerit. Atëherë, qëndroj për të qenë unë koka e turkut”.

“Të gjithë thonë që futbolli italian ta shpif dhe flitet vetëm për arbitrat, por asnjë nuk bën asgjë për t’u përmirësuar. Të gjithë thonë që arbitrat italianë janë më të këqinjtë, pastaj i gjejmë duke arbitruar finale Botërori. Skuadrat italiane jashtë marrin penallti të dyshimta dhe heshtin. Tek ne nuk ndodh kështu”

“Racizmi? Eshtë një problem që nuk ia vlen të flasim, sepse gjithmonë flitet e flitet dhe pastaj nuk ndodh asgjë. Dhe, ta mendosh është shumë e lehtë: ndalo ndeshjen, gjej fajtorët dhe mos i fut më në stadium përjetë”

“Ajax luajti më mirë në ndeshjen e parë, në Holandë, ndërsa në të dytën vetëm me kundërsulme na shënoi. Bëmë shumë gabime ne dhe ata përfituan. Juventusi ndeshjen më të bukur e bëri ndaj Manchester United por humbëm dhe asnjë nuk e mban mend. Në fund, fituesi mbahet mend dhe rezultati që ke arritur. Loja e bukur vlen pak nëse nuk fiton në fund të fundit, që është edhe objektivi”.

“Champions është aq e bukur sa edhe bastarde… Nëse nuk mbërrin në formën më të mirë, e paguan. Ne, përpara Ajax, kishim shumë mungesa dhe dëmtime. Për herë të parë në pesë vite mbërritëm jo në kushtet e duhura në çerekfinalen e Champions dhe fajtori jam unë. Juventusi, megjithatë, vazhdon të jetë pjesë e tetë më të mirave, ka një projekt. Eshtë normale të marrësh kritika, por nuk flaket puna e bërë”.

“Futbolli është si basketbolli. Duhet të kesh një ekip me disa yje, sepse ata zgjidhin situatën. Edhe në sekondat e fundit, ai ndryshon gjithçka. Të luash futboll është shumë e thjeshtë, por që ta bësh është shumë e vështirë. Ronaldo nuk garantonte Champions, pasi duhet që gjithë skuadra të luajë jo vetëm individi. Edhe pse, në Itali merren me teorinë por jo me praktikën. Fëmijët duhen mësuar që në shkolla të rriten individualisht dhe të përmirësohen teknikisht dhe jo taktikisht”.

“Pas finales së Cardiff të humbur ndaj Real Madridit në Champions u mendova disa orë, duhet të kuptoja nëse dëshiroja të qëndroja vërtet te Juventusi. Analizova skuadrën dhe fola me klubin. Vendosa të qëndroj. Champions është objektiv, por më shumë është titulli, sepse në Europë duhet edhe fat jo vetëm aftësi. Pastaj, ka shumë skuadra të mira që e synojnë”

“Conte ka thënë se Juventusi nuk ulet dot në një restorant ku pjata kushton 100 euro? Ndoshta nuk do të ulemi të hamë pjata të kushtueshme sepse ekziston kriza ekonomike, por ne te ai restorant me 100 euro pjatën mund të ulemi”

“Kur mbërrita te Juventusi ishte normale që të kishte kontestime. Ishte larguar një trajner i madh dhe kishte ardhur antagonisti i tij. Po çoj përpara programin tim dhe shpresoj me disa trofe. Në futboll, ashtu si në jetë, koha rregullon çdo gjë. Ka rëndësi rezultati”.

“Në Itali ka 50 milionë tifozë, 12 janë të Juventusit, të tjerët të Milanit, Interit, Roma dhe kështu me rradhë. Të gjithë janë kundër Juventusit. Tani po e kuptoj”.

“Trajnerët e mëdhenj dhe kampionët ndryshojnë, klubi është ai që ka rëndësi. Tifozi nuk duhet të mendojë për Allegrin, po për Juventusin. Dhe, këtu në Torino ekziston një klub i fortë, që fiton prej vitesh dhe vazhdon ta bëjë. Pa një klub që të mbron dhe ndihmon të punosh në qetësi, rezultatet kurrë nuk mbërrijnë. Nuk jetohet me kufinj të së shkuarës”.

“Pas pesë apo gjashtë vitesh do të tërhiqem. Sepse, deri sa të zbavitem që të shkoj në fushë dhe të stërvis unë do të vazhdoj, po kur të mos zbavitem më do të heq dorë. Kështu, zgjidhet problemi. Më pëlqen që të shoh futbollistë të rriten, të rinj të debutojnë dhe të bëhen të mëdhenj. Më pëlqen t’i mësoj. Në fund të vitit, nëse janë përmirësuar dhe rritur, nuk ka kënaqësi më të madhe. Në momentin kur do të heq dorë nga kjo magji, atëherë nuk ka më kuptim të stërvis”.

“Më shërbeu eksperienca e fituar te Grosseto, SPAL, Sassuolo dhe Cagliari. Ishin kalime që më dhanë mundësi të mbërrija te Milani, duke stërvitur për katër vite, pastaj Juventus. Nuk i ndodh të gjithëve. Në këtë moment ndodhem përpara personazhesh si Ferguson, Ëenger, Ancelotti, Capello dhe Lippi”.

“Fajin e kanë magazinierët, që na dhanë 10 fanella të ndryshme nga njëra tjetra dhe lojtarët nuk orientoheshin dot… (për pjesën e parë Lazio-Juventus, janar 2018)”.

“Më pëlqen që të rrëshqas çdo kritikë në trupin tim, por në fund pasi jam mësuar me kritikat dhe sulmet, i pres të gjithë te finishi…”

“Të mbërrish në një vend si Juventusi dhe të përmbysësh gjtihçka duke hequr siguri dhe lojtarë që kishin fituar titullin për 3 vite radhazi do të ishte një gjë jo inteligjente. Dhe, duke qenë se jam inteligjent, e bëra me kalimin e kohës, duke ndërtuar diçka me idetë e mia”

Related posts

TËRBOHET REALI/ Benzema shënon një tjetër gol të SPEKTAKOLAR (VIDEO)

Isa.Autor

Rrëfimi i plotë i Paul Pogba: Mourinho është më i çmendur se unë…

Sadik.Autor

SFIDA NDAJ ITALISË PËR NATIONS LEAGUE/ Luis Enrique: Nuk e kam frikë, është ndër ekipet më të forta në botë

Delo.autor

Leave a Comment