Futboll Seria A Sport

ALLEGRI-JUVENTUS/ Është dita që do të njihet me fatin e tij, ja skenarët e mundshëm

Pas “lumenjve” të fjalëve, fundi i ngjan një fryme të pastër, plot oksigjen. Sot, në fakt, Massimiliano Allegri do ta njohë fatin e tij. Dhe vendimi do t’i komunikohet drejtpërdrejt nga Andrea Agnelli, i cili me tonin e tij tipik do të japë verdiktin sovran: vazhdojmë kështu, ose mirupafshim. Asnjë masë e ndërmjetme, që parashikon rritje rroge për trajnerin. Pas një dite të tërë të kaluar në Livorno, midis dashurive dhe miqve më të dashur të të gjitha kohërave, Max është i përgatitur për ditën e gjykimit.

Ai ka nënvizuar se e ka në kokë Juventusin e së ardhmes prej të paktën gjashtë muajsh. Një skuadër më pranë ideve të një trajneri si ai, që në fakt nuk ka asgjë më shumë për të provuar pas 5 vitesh. Megjithatë, nuk dihet nëse titujt radhazi të fituar në Serie A do të konsiderohen sukses, në mesin e të gjitha garave, ku bardhezinjtë kishin synime maksimale. Zhgënjimi i fundit europian (eliminimi që në çerekfinale të Champions-it) tregon se “Zonja e Vjetër” nuk e ka një trajner ndërkombëtar në drejtim…

Kohët e fundit diçka duket se është thyer. Për shembull, fjalët e zv.presidentit Pavel Nedved nuk janë sinjale fort pozitive për trajnerin livornez. Me shprehjen “kush do të jetojë, do ta shohë të ardhmen e stolit të Juventusit”, numri dy i klubit i ka përforcuar dyshimet dhe pasiguritë. Koha nuk kthehet pas. Nga eliminimi ndaj Ajax ka kaluar (pothuajse) një muaj. Janë 29 ditë plot spekulime. Megjithatë, Allegri nuk ka dhënë asnjëherë shenja të padurimit. Nuk dihet nga vjen kjo; ngaqë është i lidhur me bardhezinjtë edhe për një vit kontratë, apo sepse, për mirë ose për keq, gjithmonë arrin ta kontrollojë vetveten.

Në takimin e sotëm, Max do t’i paraqesë idetë e tij tek Agnelli, i cili dje, gjatë eventit “Cuore Bianconero” do t’i përgjigjej një tifozi: “Allegri mbetet, por pastaj varet prej tij”. Asnjë revolucion, por vetëm evolucion “fiziologjik”. Pas këtij mendimi të presidentit, ish-trajneri kuqezi do të përpiqet të gjejë një pikë takimi. Ndoshta duke synuar një përmirësim të konsiderueshëm të pagës. Allegri merr aktualisht 7.5 milionë euro neto në vit, por tenton më shumë. Agnelli duket të mos lëvizë nga kjo kuotë. Megjithatë, komponenti ekonomik nuk do të jetë vendimtar.

Vizioni i projektit do të llogaritet më shumë se çdo gjë tjetër. Klubi synon trofe të mëdhenj, sidomos fitimin e Champions-it. Dhe presidenti e bëri të qartë këtë ambicie qysh verën e kaluar, me paratë e shpenzuara, duke e sjellë Cristiano Ronaldon në Torino. Allegri, nga ana tjetër, nuk mund të ketë objektiv të ndryshëm. A do të gjendet një emërues i përbashkët? Gjasat janë. “Samiti” i sotëm, në mënyrë të pashmangshme do të kalojë edhe përmes individëve të veçantë.

Menaxheri i zonës sportive të Juventusit, Fabio Paratici, tashmë e ka siguruar një përforcim falas, Aaron Ramsey. Sidoqoftë, kaq nuk mjafton. Duhen më shumë prurje cilësore në të gjitha repartet. Vetëm në këtë mënyrë, pas mendimit të Allegrit, mund të bëhet realitet fitimi i Ligës së Kampionëve. Topi tani është në fushën e Agnelli. A do të jetë një vendim shumë i thjeshtë? Le të presim e ta mësojmë nga takimi i sotëm mes presidentit dhe trajnerit të kampionëve të Italisë.

Related posts

Sefer Seferi rrëfehet para duelit me Tyson Fury: I uritur për fitore

Sadik.Autor

Atmosferë derbi, Donnarumma i trembet Icardit

Sadik.Autor

E PABESUESHME/ Zbuloni skuadrën që do debutojë Ronaldo me Juventusin

Isa.Autor

Leave a Comment